E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji, tjetër “gol” ushtrisë

• Nuk dihet se kur ka nisur, por faktet thonë se biznesmeni Mihal Delijorgji...

Ferdinand Dervishi

..., nëpër depot e ushtrisë, kryesisht këto vite të fundit, ka gjetur një kopsht të artë përfitimesh.Natyrshëm që marrëveshjet më të mira kanë qenë ato që kanë pasur lidhje me skrapin, nisur me tanket e përfunduar te fishekët e predhat që sollën katastrofën në Gërdec. Marrëveshje që, zbritur në shifra, rrumbullakosin miliona dollarë. Por Delijorgji nuk u ka bërë naze edhe materialeve të tjera të ushtrisë, qofshin edhe pa kurrfarë lidhjeje me biznesin e hekurit, apo hekurishteve. Për të duket mjaftonte që prej tyre të realizohej fitim. Po le të flasim me letra. Sipas buletinit të datës 20 maj 2006, Agjencia e Prokurimit Publik, në një njoftim për ankand të “Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjeksit në Elbasan”, një ndërmarrje në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, thotë se do të zhvillohet ankandi i shitjes së toluolit (toulene ose methylbenzene, likuid i pangjyrë që shërben si lëndë bazë për prodhimin e TNT, lëndë plasëse që përdoret në mina e predha). Sasia e nxjerrë në ankandin e datës 10 qershor 2006 ka qenë 80 tonë, ndërsa vlera fillestare e llogaritur ka qenë 10 lekë/litër.
Nuk dihet se si kanë rrjedhur ujërat deri më 10 qershor 2006, por buletinin e të njëjtës agjenci, që mban datën 20 qershor 2006, njoftohet se firma D.I.J sh.p.k, me pronar Mihal Delijogjin është shpallur fituese e ankandit me kuotimin e saj 11 lekë/litër. Pra nga vlera fillestare prej 10 lekë/litër, Delijorgji ka fituar një ankand duke bërë ofertën minimale të mundshme, 1 lekë/litër. Duke gjykuar hipotetikisht duket sikur ky ankand ka pasur vetëm një ofertues, pikërisht Mihal Delijorgjin.
Fitimi i Delijorgjit
Gjithsesi nëse në këtë rast ka vend fjala abuzim, ai bëhet më i lexueshëm në një tjetër fakt. Nuk dihet se ku ja ka gjetur vendin Delijorgji kësaj sasie likuidi, që përdoret në industrinë luftarake, gjithsesi edhe nëse ai do të ketë realizuar vetëm shitjen në të njëjtën linjë, pra   pa e shmangur nga industria e prodhimit të materialeve luftarake, fitimi është disafish më i madh. Po të bëhet një llogari e thjeshtë, Delijorgji e ka blerë të gjithë sasinë prej 80 tonë me çmimin 11 lekë/kilogram (ose 11 mijë lekë/ton) për gjithsej 8.8 milion lekë të vjetra. Një shifër e dyshimtë nëse do të ballafaqohemi me vlerat e shitjes së toluolit në tregun ndërkombëtar. Aktualisht në këtë treg shifra për 1 ton e toluenit shkon rreth 900 USD/ton. Sipas një llogaritjeje të fitimit të Delijorgjit, në këtë rast shuma e përftuar nga shitja në tregun evropian e kësaj sasie likuidi shkon në 72 mijë USD, ose rreth 8 herë më tepër se sa u shpenzua për ta blerë. Në këtë rast, edhe nëse do të zbritet nga kjo llogari, kostoja e transportit si dhe e shpenzimeve të tjera, që do jenë dashur deri në mbërritjen te një tjetër pronar, gjithsesi norma e fitimit duket e lartë. Për më tepër duket i habitshëm fakti se përse MEICO, ndërmarrja kompetente e Ministrisë së Mbrojtjes, nuk e ka administruar vetë këtë shitje në një kohë që mundësitë e operimit me tregjet e huaja, nisur nga vjetërsia e saj në terren, i ka pasur më të mëdha.     

Tri firmat
Për biznese të ndryshme, biznesmeni Mihal Delijorgji ka përdorur firma të ndryshme. Biznesmeni duket nuk ka dashur të ngatërrojë skrapin me fishekët dhe këta të fundit me likuid që përdoret për prodhimin e lëndëve plasëse. Kështu për skrapin e hekurit ai i ka kryer të gjitha veprimet me anë të firmës së regjistruar “Përparimi”, për demontimin e fishekëve dhe predhave ka përdorur firmën “Alb-Demil”, ndërsa për blerjen e shitjen e toluenit ka përdorur firmën tjetër të regjistruar me inicialet “D.I.J”.

Autoveturat
Toluoli është një likuid që ka lidhje me karburantet me oktanat të lartë, madje ai në raste të ndryshme është përdorur edhe si përzierës me benzinën, nga amatorët, për të shtuar shpejtësinë e autoveturave të formatit për shpejtësi të mëdha apo të garave. Gjithsesi njohësit e mirinformuar nuk e rekomandojnë përzierjen e tij me benzinën. Sipas tyre,
kjo përzierje karburanti mund të shkaktojë deri në shpërthimin e makinës.

Çfarë është tolueni?
Tolueni (Methylbenzene ose Phenylmethane me formulë kimike C6H5CH3/C7H8) është hidrokarbonat aromatik që gjendet me shumicë edhe në solucione që përdoren në shtëpi. Përdoret si shkrirës apo përzierës për piktorët, për pastrimin e vernikut, llaqeve, por edhe si përzierës në shumë solucione për pastrimin qoftë të dyshemeve. Për shkak të aftësisë së madhe për të shkrirë substancat, ai përdoret edhe në përzierje të insekticideve për të shkritë përmbajtjen. Tolueni është avullues, merr flakë lehtë si dhe është shumë toksik. Shkrin në -95°C dhe zien në 110.8°C. Tolueni përftohet nga bitumi ose nafta me anë të distilimit. Nëse tolueni trajtohet me përzierje të acideve nitrike apo sulfurike, një proces që quhet nitratim, atëherë ai kthehet në trinitrotoluene (TNT), lëndë eksplozive që përdoret për mbushjen e minave, bombave apo edhe predhave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›