E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgjit e Balliu, ndërtuan pa leje të bashki

Gjeneral Astrit Jaupi iu kërkoi tri herë rresht eprorëve të tij pajisjen e firmës me dokumentacionin e duhur të punimeve në Gërdec


Punonjësit e Delijorgjit zbarkuan në Gërdec dhe shkatërruan repartin vetëm me një urdhër gojor të Komandantit të Forcës së Bashkuar


TIRANË- Firma "Trans Diggining Consturction" sh.p.k,b (TDC) me ortakë të pandehurin Mihal Delijorgji dhe vajzën e pronarit të shtëpisë botuese "55" Fahri Balliu, që ndërtoi fabrikën e "ferrit" në Gërdec kanë kryer punimet pa u pajisur me leje nga bashkia e Vorës. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë grupit hetimor të çështjes së tragjedisë së shpërthimit të 400 tonëve barut në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Sipas tyre, në Bashkinë e Vorës, firma që përshtati ish-repartin e tankeve në një punishte demontimi të municioneve të lehta e të rënda në Gërdec, ka kryer punime pa lejen e bashki, por edhe nuk janë shqetësuar nga punonjësit e kësaj të fundit. "Nga verifikimi i kryer dhe nga sekuestrimi i një sërë shkresash e të ndryshme është provuar se firma ndërtuese "Trans Diggining Consturction" sh.p.k, nuk posedonte leje ndërtimi në atë zonë. Kjo me justifikimin dhe pretendimet se trualli dhe objekti ku u punua ishte në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në emër të këtyre dy institucioneve është përgjigjur komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar gjeneral-brigade Shpëtim Spahiu",-thuhet nga burimet. Për punonjësit e firmës ndërtuese "TDC" sh.p.k, ka mjaftuar një urdhër gojor i gjeneral Spahiut, që mëngjesin e 28 prillit 2007 të zbarkojnë në ish-repartin e tankeve në Gërdec që të fillojnë punën e shkatërrimit të disa objekteve ekzistuese për të ndërtuar punishten e demontimit të municioneve. "Në Gërdec, firma private me fillimin e punimeve mbi bazën e një urdhri gojor të gjeneral Shpëtim Spahiut ka prishur terrenin sportiv, infermierinë dhe lokalin e repartit, duke i rrafshuar ato dhe më pas të gjithë sipërfaqen ku kryhej demontimi e kanë rrethuar me teneqe llamarinë për të mos u dukur nga jashtë"-thuhet nga akuza. Zyrtarët e Bashki së Vorës, të pyetur në prokurori për faktin e mos pajisjes me leje të firmës ndërtuese, kanë pretenduar se territori ku ishte vendosur ish-reparti i tankeve nuk ishte në vartësi të tyre por të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe nuk kishin tagrin e kontrollit të punimeve që po kryheshin aty. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmuan gjithashtu se gjeneral Astrit Jaupi, në adresë të zyrës së ish-Komandantit të Forcës së Bashkuar, Gjeneral Shpëtim Spahiu ka nisur tre shkresa, ku i kërkonte të pajiste firmën ndërtuese me urdhrin me shkrim për kryerjen e këtyre punimeve dhe nënshkrimin e një kontrate pune. Por, në asnjërën nga këto letra i pandehuri tashmë Spahiu nuk është përgjigjur duke favorizuar kështu firmën Delijorgji & Balliu për kryerjen e punimeve të ngritjes së fabrikës së demontimit të municioneve të rënda e të lehta, ku si pasoj e shpërthimit të 15 marsit 2008 gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen.


PJESË NGA KËRKESA PËR GJYKIM
TIRANË-....I pandehuri Shpëtim Spahiu, me gradë ushtarake Gjeneral Brigade dhe ish- komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar (KFB), në mospërmbushje të rregullt të detyrave të tij, me synim sigurimin e përfitime të padrejta materiale dhe jo materiale për shoqërinë ALBADEMIL shpk, në funksion të shitjes së municioneve dhe të procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre:
Ka urdhëruar drejtues të komandave dhe strukturave vartëse të tij, për periudhën 28 prill 2007 dhe 15 qershor 2007:
a) të vënë në dispozicion të shoqërisë "Albademil"sh.p.k. pronën nr.126 "IshBrigada e Tankeve", Gërdec të Vorës;
b)të lejojë përfaqësuesit e këtij subjekti privat, të prishë objekte (ushtarake dhe civile) në inventarin e kësaj prone;
c)të lejojë përfaqësuesit e shoqërisë "Albademil" shpk të kryenin punime për ndërtimin e infrastrukturës për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, si dhe;
d)të fillojë procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, pa lidhur më parë kontratë qeraje me këtë subjekt dhe pa administruar asnjë dokument të nevojshëm për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›