E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet banka merren 9 mln lekë

TIRANE- Së paku një person i armatosur me një pistoletë ka grabitur dje në mesditë rreth orës 15 filialin e Raiffesen Bank në Tiranë, në rrugën "Ferit Xhajko", pranë ish - restorant Durrësit, duke marrë që aty rreth 9 milionë lekë të vjetra. Autori, një person ende i paidentifikuar ka mundur t'iu shmanget vëzhgimit të kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur vetëm në njërin krah të ndërtesës ku ndodhet godina e bankës. Personi që ka kryer grabitjen pasi ka hyrë në filialin e bankës, që ndodhet në rrugën "Ferit Xhajko" pranë restorant "Durrësi", u ka kërkuar punonjësve të arkës duke i kërcënuar, që të dorëzojnë shumën e lekëve që gjendeshin në ato momente në arkën e filialit. Pas grabitjes që ka zgjatur vetëm pak minuta, autori ka arritur që të largohet, duke mos lënë asnjë gjurmë për policinë. Blutë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të nisur hetimin ndërsa kanë marrë dëshmitë e para të punonjësve të bankës dhe dëshmitarëve që ndodheshin aty. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, punonjësit e filialit e mbanin të mbyllur derën kryesore dhe duhej të hapej nga punonjësit brenda në momentin kur vinin klientët. Sipas tyre, ditët e fundit dera kryesore e bankës ka qëndruar e hapur, edhe në momentin e grabitjes dera e filialit të Raiffesen Bank nuk ka qenë e mbyllur. Po sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, e gjithë skema e grabitjes ka ndodhur pa u vënë re dhe nga personat që ndodheshin pranë filialit të bankës, për shkak se grabitja e parave është kryer në një kohë shumë të shkurtër. Autori i grabitjes së djeshme nuk është identifikuar nga policia, e cila ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur ngjarjen. Pas hetimeve të para policia ka shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.4 dhe nr.1, disa persona në cilësinë e të dyshuarve, të cilët janë marrë në pyetje, por që më pas janë lënë. Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, hetuesit kanë regjistruar më tepër se 20 dëshmi të punonjësve të bankës si dhe personave të tjerë që ndodheshin në ambientet e saj si dhe jashtë bankës në momentin e krimit. Sipas burimeve të policisë, autori ka kryer grabitjen dhe më pas është futur në një lokal pranë bankës për të dalë më pas në një derë të pasme në pjesën veriore të godinës. Që aty personi është larguar me qetësi në drejtim të panjohur. Autori i krimit sipas burimeve të policisë, besohet se është ndihmuar nga një person tjetër, që gjithashtu nuk është identifikuar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›