E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vjedhin fqinjit 90 mijë euro, kapen 2 vëllezërit

17/04/2009  Ngjarja në Fier, autorët kapen në Shkdoër me 20 mijë euro më pak. I dëmtuari, emigrant

FIER- Kanë grabitur fqinjin e tyre, i cili i kishte djemtë emigrantë, por arrestohen nga blutë e Shkodrës në bashkëpunim me ato të Fierit. Vëllezërit Taulant dhe Alket Rrapaj përkatësisht 33 dhe 25-vjeçar banues në fshatin Dukas të Patosit kanë rënë në pranga të policisë pas zbatimit të operacionit të koduar me emrin “Dukasi”. Arrestimi i tyre u krye në orën 19.30 të mbrëmjes se kaluar teksa dy vëllezërit sapo dolën nga një lokal në hyrje të qytetit të Shkodrës. Gjatë ushtrimit të kontrollit trupor dy vëllezërve Rrapaj u është gjetur sasia prej 70 mijë eurosh që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Vjedhja

Burimet policore fierake pohuan se pas një pune të specializuar e të zgjatur është bërë e mundur që të identifikoheshin personat që kryen vjedhjen e shtetasit Avdul Velcani, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia ku punonte prej shumë vjetësh si emigrant me dokumente të rregullta. Velcani kishte sjelle sasinë prej 90 mijë eurosh për të ndërtuar shtëpi pranë banesës së babait të vet. Ai ishte larguar së bashku me gruan tek njerëzit e gruas, pasi kishte pak ditë që ishte kthyer për të festuar pashkët. Kur u kthye në banesën e babait, Avduli nuk ka gjetur sasinë prej 90 mijë eurosh që kishte futur në dhomën e gjumit. “Menjëherë i alarmuar kam bërë denoncimin pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier”,-ka pohuar i dëmtuari Velcani. Kanë qenë kursimet e disa viteve punë të vështira në ndërtim, bujqësi dhe ku të mundja në Greqi për të realizuar një ëndërr timen, atë të ndërtimit të një shtëpie në tokën time. Isha shumë i shqetësuar dhe të them të drejtën humba shpresat se do të mund t’i gjeja më paratë e mia”, tha ai. Vjedhësit së bashku me shumën e 90 mijë eurove kishin vjedhur dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish të arta që gruaja e Avdulit kishte lënë në sirtar të komosë. Në vendngjarje u fiksuan prej ekspertëve gjurmë papilare, të cilat janë marrë për ekzaminime të mëtejshme. Këto gjurmë “tradhtuan” 2 vëllezërit Rrapaj, si dhe fakti që në vendngjarje nuk kishte shenja thyerje, apo dëmtimi, ç’ka vërteton faktin se grabitësit kanë qenë afër të dëmtuarit dhe të mirinformuar për shumën e parave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›