E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgjit i kapen 2 celularë në qeli

Dy të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji e Dritan Minxholli u kapën me celularë në qeli. Burime nga administrata e burgut thonë se pas një kontrolli të imtësishëm të zhvilluar në çdo qeli të paraburgimit 313-të “Jordan Misja”, janë zënë në flagrancë me celularë dy të pandehurit.
Kontrolli
Fakti konfirmohet për “standard” nga burime zyrtare pranë institucionit të paraburgimit, të cilat sqarojnë se kontrolli është kryer pas gjetjes së një pakoje me hashash në afërsi të murit të burgut. “Të gjendur para një situate të tillë, vendosëm të kryejmë një kontroll të befasishëm në çdo qeli të burgut. Nuk është se ndodh për herë të parë që gjejmë telefona, pasi kontrolle ne kryejmë shpesh. Por, dy ditë më parë, punonjësit e Policisë së Burgjeve gjetën në dhomat e të pandehurve, Minxholli e Delijorgji, celularë”, - u shprehën burime zyrtare të këtij paraburgimi. Madje, po sipas burimeve, bosit të kompanisë “Albdemil” iu gjetën në posedim dy celularë, me të cilët komunikonte me familjarët, miqtë, madje ndoshta duke mbikëqyrur edhe bizneset e tij përmes telefonit.
Hetimi
Gjithashtu, burimet zyrtare shtuan se një celular i është gjetur edhe një 39-vjeçari, F.Dullaj, i akuzuar për trafikun e 7 kg heroine, si dhe dy minorenëve. Pas rezultatit të këtij kontrolli të beftë nëpër qeli dhe gjetjes së celularëve, nga ana e krerëve të burgut ka dalë edhe një urdhër, sipas të cilit, në rast se pas pastrimit të qelive gjenden sërish sende të tilla, atëherë do të procedohen për “shpërdorim detyre” deri në shkarkim detyre policët e sektorëve përkatës në paraburgim. Madje, sipas burimeve, për gjetjen e celularëve është njoftuar edhe SHKB-ja e burgjeve, së cilës si strukturë i është kërkuar të fillojë hetimet për të gjetur personat që fusin celularët në burgje. Dyshohet se në paraburgimin 313-të, celularët janë futur në qeli nga gardianë, ndaj dhe është kërkuar nisja e hetimeve nga struktura e SHKB-së së burgjeve.

“Nuk është se ndodh për herë të parë që gjejmë telefona, pasi kontrolle ne kryejmë shpesh. Por, dy ditë më parë, punonjësit e Policisë së Burgjeve gjetën në dhomat e të pandehurve, Minxholli e Delijorgji, celularë”, - u shprehën burimet zyrtare nga burgu

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›