E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pazaret e prishura të Bregdetit



Bregdeti është rikthyer në debatin politiko-mediatik dhe është fokusuar kësaj here rreth një projekti të financuar nga BB-ja për mbrojtjen e tij. Palët në këtë debat kanë reaguar duke sjellë argumente pro dhe kundër, por objekt i këtij shkrimi nuk do të jetë debati, por realitetet në zonën më turistike, njëherazi edhe më të lakmuar të Shqipërisë.

Paraprakisht dua të sqaroj se për shkak të origjinës dhe lidhjeve të mia me këtë zonë, kam qenë i interesuar deri në detaje për zhvillimet që lidhen me të. Për ta bërë më të kuptueshëm thelbin e problemit, po e ndaj bregdetin ose, më mirë, raportet e qeverive dhe shtetit me të në dy kohë, duke marrë si limite mandatet e dy qeverisjeve, nga 1997-a e deri sot.

Pak histori

Bregdeti, e kam fjalën për zonën nga Vlora në Sarandë, me gjithë burimet e shumta natyrore e njerëzore, doli nga diktatura me një infrastrukturë nga më të prapambeturat, një “ndëshkim” kolektiv nga qeveritë komuniste ndaj një prej zonave më kundërshtare të saj. Gjithsesi, banorët e kësaj zone arritën të mbijetonin me një standard jetese nga më të mirët falë zotësisë, zgjuarsisë e kulturës se tyre, por mbi të gjitha, për terrenin që Zoti ua ka falur me bujari të pashoqe. Të etur për liri dhe jetë më të mirë banorët e kësaj zone ishin të parët që sfiduan kufijtë dhe përbëjnë ndoshta mesataren më të madhe të emigrimit për frymë popullsie në shkallë vendi .Por me gjithë emigrimin masiv, ata janë aq të lidhur me vendin e tyre të mrekullueshëm, gjë që mund të vërtetohet me rikthimin e tyre në kohën e pushimeve apo të festave të ndryshme. Ajo që duket se nuk përsëritet në asnjë vend të Shqipërisë, është ndjenja kolektive për të ruajtur me fanatizëm pronat dhe trojet e të parëve, gjë që vërtetohet nga shifrat pothuaj inekzistente të shitjes së pronave në këtë zonë. Banoret autoktonë të zonës, falë edukimit dhe raporteve pothuaj të shenjta me pronën, kanë kundërshtuar masivisht ligjin 7051, por protesta e tyre ka qenë brenda normave të demokracisë dhe ligjit që i kanë po aq të shenjta sa edhe pronën. Jam i bindur se ata do ta kishin ndryshuar dukshëm standardin ekonomik dhe atë të zhvillimit të zonës së tyre, por fatkeqësisht, planet e tyre janë ndalur nga indiferenca dhe planet aspak dashamirëse të politikes ndaj tyre. Mungesa e infrastrukturës dhe problemet me pronësinë kanë qenë pa dyshim pengesa kryesore e staniacionit ekonomik e shoqëror të një prej zonave ku mundësitë e natyrës dhe iniciativat njerëzore premtojnë të kundërtën. Mungesa e infrastrukturës dhe bllokimi i pronësisë mbi tokën ishin vetëm pjesa e dukshme e problemit (këto i dinë të gjithë) mirëpo pas kësaj situate fshiheshin skenarë nga më malinjët që synonin jo vetëm grabitjen e banorëve, por edhe shkatërrimin e kësaj perle të ekonomisë turistike.

Qeverisje apo grabitje

Shumica e shqiptarëve janë dëshmitarë të asaj që qeveritë e majta i ofruan deri në vitin 2005 bregdetit të Jonit. I vetmi investim ka qenë rruga deri në Urën e Palasës që u paraqit si projekt zhvillimi, por që në fakt synonte mbështetjen e një projekti privat turistik, Plazhin e Palasës, pas të cilit qëndronin krerët më të lartë të qeverisë dhe politikës socialiste të saj kohe. Projekti i financuar nga BB-ja ka qenë aktiv edhe gjatë qeverisjes se PS-së, por ai degjeneroi në një projekt grabitjeje dhe shkatërrimi. Është shumë e thjeshtë për ta verifikuar, mjafton ta shikoni hartën e para 2005-ës të mbushur me njolla ku qeveritarët qendrorë vendosin se ku do të ndërtohej, duke i orientuar planet ndërtuese tek trojet që kishin blerë vetë apo njerëzit e tyre më parë. Kjo nxirrte jashtë funksionit ekonomik shumicën e pronave të banorëve të thjeshtë të zonës dhe i hiqte çdo mundësi pushtetit vendor dhe komunitetit për të planifikuar, studiuar e zhvilluar një ekonomi turistike sipas rregullave të konkurrencës së lirë dhe standardeve elitare që ofron natyra në këtë zonë. Bllokimi i investimeve në infrastrukturë synonte pikërisht realizimin e planeve të grabitjes që në majta kishte apo edhe i ka për bregdetin. Me pak fjalë, ekonomia e planifikuar turistike në këtë zonë do të ishte monopol i kasës politike-ekonomike të PS-së dhe lidhjeve korruptive të saj. Modeli në planet e qeverisjes socialiste për bregdetin ishin në mos të njëjta, të përafërta me katastrofën që ata realizuan me sukses në Golem apo në zonat e tjera bregdetare të Shqipërisë së mesme. Kjo situatë nuk besoj se do koment.

Plane të prishura

Deshi Zoti, por edhe votuesit shqiptarë, që bregdeti të shpëtonte nga katastrofa që thamë më lart, falë ndryshimit të qeverisjes në 2005-n. Projekti katastrofik i nisur nga qeveria e PS-së natyrisht që nuk mund të vazhdonte më. Zyrtarët e rinj në Ministrinë e Ndërtimit arritën të shmangnin në kohë më të keqen, duke e kthyer projektin në qëllimin e vërtetë të tij, përcaktimin e prioriteteve dhe rregullave të përgjithshme të zhvillimit turistik të zonës, gjë që çoi pastrimin e hartës nga njollat e politikave dhe praktikave klienteliste të para 2005-s. Pra, aktualisht kemi një projekt të përfunduar pa njollat e korrupsionit dhe grabitjes dhe mbi të gjitha me rregulla që i kufizojnë në maksimum politika të ngjashme edhe pushtetit vendor. Planet urbanistike i janë lënë pushtit lokal, por të kushtëzuar nga rregulla që garantojnë ruajtjen e mjedisit, standardet e larta dhe në mënyrë të veçantë, konkurrencën e lirë.

Mirëpo kjo situatë ka prishur plane të mëdha si dhe pazaret mes politikës së majtë dhe klientëve politikë e ekonomikë të saj që kanë investuar shuma të mëdha, duke blerë apo grabitur troje, eficenca ekonomike e të cilave ishte garantuar nga qeverisja e PS-së.

Duket se vetë debati politiko-meditaik është pasojë e drejtpërdrejtë e prishjes së pazareve dhe interesave që në prag të zgjedhjeve të reja po kërkojnë apo edhe shpresojnë të riaktivizohen. Kjo situatë ndoshta po i paraprin edhe ndonjë projekti tjetër grabitës të së majtës që duket se synon sërish rikthimin e politikave klienteliste dhe monopoleve në turizmin e bregdetit. I hapur në prag të zgjedhjeve politike, ky debat përbën një kërcenim serioz, në mënyrë të veçantë për pronarët e zonës, por edhe për ekonominë turistike të saj. Nëse plani i njollave rikthehet, trojet e banorëve të thjeshtë do të kthehen në zona të gjelbra në funksion të monopoleve politike e korruptive që përmendëm më lart. Nuk besoj se ka shqiptar të besojë se kundërshtarët politiko-mediatikë të projektit kanë hallin e disa shtëpive pa leje të prishura në Jal, por kjo po përdoret si pretekst për të reaguar ndaj prishjes së pazareve dhe interesave të tyre prej të cilave duket se ende nuk kanë hequr dorë.

Bardhë e zi

Gjithsesi, hapja e debatit në këto momente ka të mirën e saj. Falë investimeve të qeverisë, sidomos ndërtimit të rrugës, vëmendja e banorëve, por edhe të tjerëve sidomos biznesit, ndaj bregdetit, është rritur ndjeshëm. Banorët e zonës janë të aftë ta ndiejnë, madje edhe ta prekin ndryshimin midis dy politikave apo dy qeverisjeve. Edhe pa pasur dijeni për planet apo projektet , do të mjaftonte vetëm ndërtimi i rrugës për të përcaktuar drejt raportet me politikat respektive. Rruga nuk është gjithçka, por ajo është e mjaftueshme që banorët e zgjuar të bregdetit të vlerësojnë raportet me politikat dhe qeverisjet. Nuk dua të gjykoj në bardhë e zi, por realiteti, në veçanti në bregdet, ka kaq kontrast, sa e lehtëson zgjidhjen edhe për më të painformuarin për raportet me politiken dhe qeveritë. Si bregdetas,nuk më shqetëson debati politik, por ideja se e majta nuk ka hequr ende dorë nga planet e saj për grabitjen e pronave dhe shkatërrimit të ekonomisë turistike në bregdet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›