Delina Zadeja: Doja ta lija pianon kur vdiq im atë
alma mile
Tanimë që është vetë prind, lidhja me babain që nuk jeton më, ndihet më e fortë. Emocionohet kur flet për të. Sytë i rrëmbushen me lot. Plaga dhemb tepër edhe pse tashmë bëhen 13 vjet, që kur i ati, çesk Zadeja, nuk jeton më. Këto ditë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit vihet në skenë baleti “Delina”, emrin e të cilit ajo ka marrë dhe prania e të atit ndihet më e fortë se kurrë. E bija e kompozitorit, pianistja Delina Zadeja tregon lidhjet e familjes së saj me këtë vepër, marrëdhëniet me të atin dhe si e ka përjetuar ajo humbjen e tij.
është e natyrshme, që sa herë të dëgjoni të luhet një vepër të babait tuaj, të ndiheni mirë, por ç’emocione provoni, kur në skenë vihet baleti me emrin tuaj, “Delina”.
Veprat e tim ati krijojnë nostalgji, jo vetëm për familjen tonë, por edhe për publikun, brenda apo jashtë vendit, ku luhen ato. Por të them të drejtën në këto momente, si unë edhe Albani ndihemi edhe më të emocionuar, pasi lidhjet tona me “Delinën” janë të shumta. Ky balet është vënë në skenë në 64-ën për herë të parë dhe vetëm në 2010-ën vihet në skenë pa censuruar, i plotë. Të dy ne i kemi emrat nga baleti. Libreti është shkruar nga babai dhe koreografi i madh Panajot Kanaçi. Notat sentimentale shtohen edhe ca më tepër për faktin që në të ka luajtur edhe ime më, e cila në atë kohë ka qenë balerinë. Pas disa vitesh lindi im vëlla dhe iu vu emri Alban (Arban në vepër), pastaj linda unë. Pas disa vitesh kjo vepër u ripunua dhe iu ndërrua edhe emri dhe ngeli vetëm Delina. Kështu që vënia në skenë e “Delinës” na kthen pak pas në kohë, në ato vite, kur familja jonë ishte e plotë.
Cilat kanë qenë arsyet që kjo vepër u censurua 46 vite më parë?
Ndoshta për shkak se veriu ka qenë katolik, se ndoshta muzika ka qenë shumë më moderne se mentaliteti i asaj zone. Tani që po rivihet në skenë mund të shihet se është një vepër bashkëkohore, rri mirë në vitin 2010, edhe pse është shkruar në vitin 1964. Aq më tepër që në të janë futur elementë të tunxhit, që të kujtonin muzikën amerikane dhe që aso kohe ishte e ndaluar. Prandaj dhe u censurua, u nda në pjesë, që më së shumti njihen si simfoni, se sa një vepër e plotë. Por i ka rezistuar kohës dhe është një fat i madh që u gjet në arkivat e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe mezi pres ta shoh të luhet e plotë dhe e pastër, si është krijuar.
Duket se babai juaj e ka pasur shumë për zemër këtë vepër, përderisa ju dha edhe emrat e heronjve...
Kjo është një vepër që zanafillën e ka nga veriu, pra nga origjina e babait tim dhe mund të thuash se është shumë intime familjare. Në këtë vepër ka disa pjesë të bukura, si dueti i Albanit me Delinën, pavarësisht se ata nuk ishin vëlla e motër, është “Vallja e luleve”, e cila është luajtur si simfoni më vete dhe Delina është imazhi kryesor. Duket si e menduar për një perspektivë.
Si ju, edhe vëllai juaj jeni muzikantë, ju është imponuar kjo rrugë?
Albani i bie trombonit në Orkestrën e TKOB-it dhe është pedagog në Akademinë e Arteve, kurse unë jam mësuese prej vitesh në Liceun Artisti, ku jam rikthyer pas një specializimi pasuniversitar në Ankara. është një trashëgimi familjare dhe ndihem krenare për këtë, sepse im atë jeton përmes tonë dhe shpresoj që të trashëgohet edhe në brezat e tjerë. Muzika ka ardhur krejt natyrshëm tek ne. Mbaj mend në mënyrë fluide veten time, teksa luaja në piano, fare e vogël, pa më thënë kush që ta bëja një gjë të tillë. Im atë as mua dhe as tim vëllai nuk i ka ndenjur mbi kokë në studim. Vinte në shkollë vetëm kur ne kishim provim, dy herë në vit. Kemi mbaruar Akademinë e Arteve dhe ai nuk vinte kurrë të interesohej te pedagogët. Ishte qetë në këtë drejtim, pasi ideja e tij ishte të na linte të lirë e t’i bënim zgjedhjet vetë.
Nuk ju ka shkuar ndër mend të bëni diçka tjetër?
Kur kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe im atë kishte vdekur, më shkrepi në kokë ta mbyllja pianon dhe të merresha me një gjë krejt tjetër, pse jo me Ekonomi, degë që më dukej interesante. Sot e vlerësoj vetëm si stres, për shkak të ikjes së tim ati, sepse çdo gjë më lidhte me të. Në Akademi, në Lice, në opera, ai ishte gjithnjë i pranishëm, aq sa më dukej sikur shihja hijen e tij ngado. Isha tepër e lidhur me të. Asgjë dhe askush nuk mund të ta zëvendësojë prindin dhe nuk ka limit moshe për të qenë i lidhur me të. Por ishte një situatë që kaloi dhe mendova që më mirë ta çoja përpara këtë trashëgimi që më ka lënë, tek e cila unë ndihesha mirë.
Si i kujtoni vitet, kur babai juaj punonte në shtëpi, kompozonte, apo jepte mësim?
Në shtëpinë tonë nuk kishte asnjë moment qetësie familjare, deri në orën 11:00 të darkës. Ishte një studio e vogël, me një piano shumë të madhe, një divan shumë të vogël dhe një tavolinë plot libra, ndërsa biblioteka ishte në korridor. Kur isha 11, apo 12 vjeç i them tim ati se nuk do ta hapja më derën, se nuk do bëja më portierin, ose të më paguanin, pasi më dukej vetja si roje. Në klasën e tetë, unë shkoja të studioja në Lice, si të gjithë fëmijët e tjerë, që nuk kishin piano e studio në shtëpi. Shtëpia ishte e mbushur nga ora 06:00 deri në 22:00 e mbushur plot me studentë. Ishte një super aktivitet në shtëpinë tonë. Por një rol të madh ka luajtur dhe nëna ime që e ka mbajtur gjithnjë derën hapur për studentët dhe ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për babain tim.
Mes gjithë kësaj vajtje-ardhjeje studentësh, nuk ndiheshit disi jashtë vëmendjes së babait?
Në momente të caktuara më vinte keq që ai merrej më shumë me ta, por gjithsesi ndihesha mirë me pavarësinë time dhe ia di për nder për këtë. Sigurisht që kontrolli ishte, por nuk ishte strikt, siç ka ndodhur rëndom me prindërit e tjerë muzikantë dhe fëmijët e tyre. Pasi ky lloj studimi nuk funksionon më në botë dhe tanimë që jam vetë muzikante dhe mësuese them se kjo mënyrë nuk është e drejtë. Si unë dhe Albani kemi ecur vetë, me këmbët tona dhe jo me prindin mbi kokë dhe vetëm kështu mund t’i bësh ballë jetës.