E Diel, 1 Nëntor 2026

Irlandezo-veriorët braktisin stërvitjen: Fusha ishte katastrofë



Pas skandalit me dushet, në takimin ndaj Danimarkës, errësirës që la për 90 minuta Real Madridin në “Qemal Stafa”, tashmë shtohen edhe fushat e amortizuara. Një ditë para takimit, përfaqësuesja e Irlandës së Veriut, nuk ka kryer dot seancën e stërvitjes, pasi federata e ka çuar në fushën e “Selman Stërmasit”, aty ku dhe skuadrat e Superligës shqiptare refuzojnë të zhvillojnë takimet e tyre. “Refuzuam të bënim stërvitje, pasi fusha ishte e mbuluar nga uji dhe kishte shumë baltë, ishte e pamundur. U detyruam të iknim që aty pasi, ajo nuk ishte një fushë ku luhet futboll. Madje, mund të them, se edhe stadiumi Kombëtar, ku do luhet ndeshja, nuk është në gjendjen e duhur dhe aty kishte shumë ujë. Por me sa duket nuk kemi zgjidhje tjetër, këto kushte na ofroni”, është shprehur Najxhëll Uorthington, trajner i Irlandës së Veriut. Duhet theksuar se Irlanda e veriut zhvilloi pardje një seancë stërvitore në “Qemal Stafa” dhe sipas rregullores nuk mund të stërvitej dhe dje po në këtë stadium pasi para takimit lejohet vetëm një senacë stërvitore. Ndaj dje irlandezët u stërvitën në aneksin e kompleksit sportiv “Dinamo”.

Irlanda, me 5 mungesa
Sipas sajtit zyrtar të federatës irlandezo-veriore, përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Najxhëll Uorthington, për ndeshjen kundër Shqipërisë nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e katër futbollistëve mjaft të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Kris Brunt, i cili ka pësuar një tërheqje në ndeshjen e fundit, Garet MekAulej, që vuan një dëmtim prej disa javësh, Damien Xhonson, i cili së fundmi ka pasur shumë takime me klubin e tij dhe është lënë pushim, si dhe Uarren Fenej. Ndërkohë që dje Uorthington ka konfirmuar se në takimin e sotëm nuk do të luajë as mbrojtësi i Mançester Junajtid, Xhoni Evans. 22-vjeçari pësoi një dëmtim në fitoren e Mançester në Carling Cup ndaj Aston Vilës 2-1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›