E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Do të shkoj në takim vetëm si President i Kosovës



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu rrezikon të bojkotojë pjesëmarrjen e tij në konferencën për Ballkanin Perëndimor në Slloveni. Pala sllovene është shprehur se në këtë konferencë do të preferonte të kishte si Sejdiun, ashtu edhe Tadiçin. Por Presidenti serb është shprehur se nuk do të marrë pjesë në asnjë konferencë ndërkombëtare apo rajonale, nëse Kosova do të jetë e ftuar si palë e pavarur. Në një takim të fundit me gazetarët, ai tërthorazi propozoi që pala kosovare të ftohet nën emrin e UNMIK-ut. “Nuk kam asgjë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në takime ndërkombëtare, nëse ajo përfaqësohet nga UNMIK-Kosovo”, ka thënë ai. Kjo me sa duket është mënyra që ka gjetur Sllovenia për të bërë që si Kosova, ashtu edhe Serbia të kenë përfaqësuesit e tyre në takim. Sipas burimeve të gazetës serbe, “Danas”, Sejdiu dhe Thaçi kanë pranuar emrin e vendit “UNMIK/Kosovo”, që ka qenë një nga kushtet e Serbisë për të marrë pjesë në këtë konferencë. Në konferencën rajonale BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 20 mars në Bërdo afër Kranjit, do të vihet në dukje se Kosova do të marrë pjesë me emrin “UNMIK/Kosovo”, kurse në tavolina para pjesëmarrësve do të qëndrojë mbishkrimi vetëm me emrin e mbiemrin e tyre, pa u përmendur shteti. “Sllovenia do të ftojë nga Kosova edhe përfaqësuesit e Prishtinës, edhe të UNMIK-ut”, ka deklaruar e ngarkuara me punë në Ambasadën e Sllovenisë në Beograd, Jadranka Shturm Kocjan. Por Presidenca e Kosovës ka reaguar duke konfirmuar se Sejdiu do të marrë pjesë vetëm në qoftë se do të ftohet si President i shtetit të pavarur të Kosovës, e jo si UNMIK-Kosovo. “Presidenti ende nuk ka marrë ftesë për takimin, i cili duhet të mbahet në Slloveni në Bërdo afër Kranjit. Por, ai do të shkojë atje vetëm nëse ftohet në cilësinë e Presidentit të shtetit të pavarur dhe sovran, dhe kurrsesi ndryshe”, ka thënë zëdhënësi i tij, Xhavit Beqiri për REL. Ai e përjashtoi mundësinë që Presidenti i Kosovës të marrë pjesë si përfaqësues me logon “UNMIK-Kosovo”, siç raportuan më herët mediat serbe.

Kushner injoron gazetarin serb
Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner e ka quajtur “të sëmurë” gazetarin e “Zërit të Amerikës”, Budimir Niçiç, pasi ai i ka bërë një pyetje provokuese në lidhje me trafikimin e organeve në Kosovë, menjëherë pas lufte. Në atë kohë, Kushner ishte kryeadministrator i Kosovës. I pyetur në fund të vizitës së tij në Kosovë, të komentojë mbi çështjen e ekzistencës së ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri, si dhe pretendimet e familjeve të serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë, të cilët e kanë akuzuar atë se mori pjesë në tregtinë me organe njerëzore, Kushner u përgjigj me ironi se nuk di asgjë për këtë, raporton B92. “Ti je i sëmurë, pra, je i çmendur, mos fol marrëzira të tilla”, i ka thënë Kushner, i cili shtoi se nuk mund të besojë se dikush i bën një pyetje kaq “të mjegullt”. “ç’është kjo shtëpi e verdhë? Pse e verdhë? Zotëri, ju duhet të shkoni të kontrolloheni te një mjek. Njerëzit po flasin për diçka të tillë janë dështakë dhe vrasës”, ka cituar radio KIM, të ketë thënë Kushner.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›