E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deliu: Elbasani nuk i humbet vlerat e kampionit

Pavarësisht gjendjes jo të mirë, trajneri i ri i ekipit kampion të superligës, shprehet ambicioz në lidhje me të ardhmen e Elbasanit. Në ditën e dytë të punës si trajneri i këtij ekipi, Deliu ka përveshur mëngët për të bërë më të mirën gjatë kohës që i ka mbetur në dispozicion deri në fillimin e kampionatit. Ai nuk e quan pengesë kohën për zhvillimin e një minifaze përgatitore. Për trajnerin Deliu, rëndësi ka fakti që në ekip të afrohen të gjitha ata futbollistë, të cilët ai i gjykon të nevojshëm për Elbasanin. Këtu e ka fjalën për ata, që do ta bënin ekipin verdheblu sërish pretendent për të fituar trofe. "Nuk ka asnjë arsye të jemi pesimistë para fillimit të kampionatit, sepse po punohet nga drejtuesit e klubit për të konfiguruar një ekip me futbollistë nga më cilësorët," - theksoi Deliu. Për të, largimi i futbollistëve që e shpallën kampion Elbasanin, krijoi idenë se situata nuk do të ishte aq e mirë, ndërsa tani ai mendon se Elbasani do të mbetet një nga pretendentët kryesorë, duke mos i humbur vlerat e kampionit. Ekperienca si drejtues dhe premtimet që ka marrë nga dyshja e aksionerëve Laze Cërraga, e bëjnë mjaft optimist trajnerin e ri të Elbasanit. "Kam besim se ortakët e shoqërisë aksionere do të bëjnë një merkato të bujshme, sikurse kanë deklaruar, pavarësisht se kanë mbetur vetëm dy javë kohë deri në mbylljen e afatit të federimeve. Presim që shumë shpejt ekipit tonë t'i bashkohen futbollistë të tjerë, qoftë shqiptarë, qoftë të huaj," - tha më tej trajneri Deliu. Por, ai tregohet i rezervuar në publikimin e emrave të futbollistëve që preferon të ketë në ekipin e tij. Nga ana tjetër, trajneri Deliu shpreh kënaqësinë për ambientin që ka gjetur, ku sipas tij, mund të punohet rehat. "Në këtë klub janë hedhur themele të shëndosha dhe të gjitha hallkat funksionojnë më së miri. Kjo na e lehtëson së tepërmi punën për ta bërë atë ekip, sic e ëndërrojnë elbasanasit, të cilët vitet e fundit po mësohen me rezultate të larta. Bashkë me ndihmësit Dosti dhe Filja, besoj se do të arrijmë ta përgatisim një ekip të denjë për sezonin e ri," - theksoi trajneri elbasanas.
Ballafaqimi i parë, i rëndësishëm për kampionët, do të jetë ndeshja e superkupës, ku përballë verdhebluve do të jetë Tirana. Kjo është sfida e parë e trajnerit Luan Deliu, i cili dëshiron ta kalojë me sukses, aq më tepër që pak ditë pas këtij takimi, Elbasani dhe Tirana do të ndeshen sërish në kampionat. "Natyrisht që na duhet të zhvillojmë një volum të madh pune në seancat stërvitore. Për këtë, u kam kërkuar futbollistëve të jenë sa më të përkushtuar. Kush mendon se Elbasani nuk do të jetë në elitë, e ka gabim. Ne do t'u tregojmë të gjithëve se kampionët do të jenë po aq të fortë, sa në edicionin që lamë pas. Ndryshimet që do të pësojë ky ekip, do të duken në pak ditë," - deklaroi në fund trajneri Deliu.
Fatmir Popja
(Sporti Shqiptar)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›