E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonia celulare, në qershor aktivizohet operatori i katërt



Në muajin qershor tregu i telefonisë celulare pritet të bëhet me katër operatorë. Lajmin e bëri të ditur gjatë raportimit vjetor në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese kreu i AKEP-it, Pirro Xhixho. Ndërkohë po sipas tij veç shtimit të numrit këtë vit pritet të bëhet e mundur e ashtuquajturi portabilitet i numrit me të cilin për të njëjtin numër mund të zgjedhësh operatorin sipas dëshirës. “Krahas futjes së operatorit të katërt do të jetë edhe shërbimi i portabilitetit të numrit. Me të gjitha llogaritjet dhe parashikimet tona mendojmë që brenda vitit 2010 ne të implementojmë këtë shërbim” tha Xhixho. Zhvillime të rëndësishme Xhixho ka paralajmëruar edhe në tregun e internetit, kjo falë futjes së teknologjisë “3G”. “Ashtu sikurse celulari sot është harruar se sa transformim të madh bëri do shikojmë që dhe ‘3G’ do të bëjë një transformim akoma edhe më të madh. Kemi mbaruar studimin për brezin. Kemi marrë vendimet përkatëse për mënyrën se si do të procedojmë dhe jemi në momentin e vendimmarrjes që lidhet me dokumentin e politikave që është në proces miratimi në Këshillin e Ministrave. Mendojmë që brenda këtij viti të shfaqim edhe operatorë që shfrytëzojnë brezin e OMTS ”- tha Xhixho. Sipas raportit vjetor të AKEP-it, telekomunikacioni, tregu i të cilit është afro 6 për qind të PBB-së ka njohur rritje edhe gjatë vitit 2009. Ulja e tarifave që raportohet të ketë krijuar përfitim rreth 30 milionë euro për konsumatorin, zgjerimi i shërbimeve të ardhura këto nga konkurrenca në rritje janë dy veçoritë më kryesore të këtij tregu.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›