Delli i Tinës

Populli i Kosovës, por sidomos institucionet
tona prej të cilës ishin në zor, morën frymë më lirshëm kur ajo shkoi. VETËVENDOSJE!-a
pat organizuar edhe aheng dhe aksion simbolik me dy kukulla, Fatmir Sejdiun e
Hashim Thaçin, duke i kënduar Tina Kaidanowit këngë vajtuese dhe duke e lutur
me lot në sy që të qëndronte edhe më tutje në Kosovë
Nga Vetëvendosje!
Reagimet e fundit dhe aspak të hijshme të
ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ndaj aksionit të fundit të
Lëvizjes VETËVENDOSJE!, tregojnë se në raport me qytetarët dhe institucionet e
Kosovës ai ka filluar ta konsolidojë figurën e tij si trashëgimtar i denjë i
njërës prej ambasadoreve më të hidhura që kanë pasur ShBA-të në Kosovë, Tina
Kaidanowit. Gjatë sundimit të saj në Kosovë ajo i pat denigruar institucionet
në servilitet të plotë dhe patologjik, kurse politikanët na i pat traumatizuar
me autoritarizmin e saj, bërtimat e paartikuluara, rrahjet e tavolinës dhe
thirrjet telefonike kur të mbahen seancat parlamentare, çka të flitet e çka të
mos flitet fare. Ishte Tina Kaidanowi ajo që na pat quajtur armiq të popullit
(mjerë populli shqiptar kush e mbrojti nga armiqët e tij!), gjë që më pas, më
10 shkurt 2007, i hapi rrugë policëve të UNMIK-ut të na vrisnin me qetësi të
plotë sikurse në videolojëra, kurse politikanët të mos ndjenin përgjegjësi
morale, duke reaguar sikur të ishin vrarë armiqët e popullit. Në fund, disa
muaj përpara se të ikte, ajo ishte kryeprotagonistja ndërkombëtare e një
procesi të turpshëm që Kosovës ia imponoi Planin e Ahtisaarit, Kushtetutën që
është nën të, misionet e huaja qeverisëse, flamurin absurd etj.
Populli i Kosovës, por sidomos institucionet
tona prej të cilës ishin në zor, morën frymë më lirshëm kur ajo shkoi. VETËVENDOSJE!-a
pat organizuar edhe aheng dhe aksion simbolik me dy kukulla, Fatmir Sejdiun e
Hashim Thaçin, duke i kënduar Tina Kaidanowit këngë vajtuese dhe duke e lutur
me lot në sy që të qëndronte edhe më tutje në Kosovë. Ani pse të përulur nga
Tina, ata në fuqinë e saj politike e gjenin prehjen e tyre dhe shfajësimin, dhe
për çfarëdo veprimi të gabuar apo mosveprimi të dënueshëm, vshiheshin gjithmonë
pas fustanit të saj (megjithëse, dorën në zemër, ajo rregullisht ka veshur
vetëm pantolla).
Christopher Dellit aspak nuk i pëlqeu aksioni
ynë. Ai ia prishi atij planin idilik, të cilin e kishin përgatitur me Nekibe
Kelmendin lidhur me festimin e Ditës së Drejtësisë në Kosovë. Merreni me mend
ku e kishin zgjedhur vendin për ta festuar drejtësinë në Kosovë! Në vendim më
padrejtësinë më të lartë në Evropë. Aty ku udhëheqin të korruptuarit. Aty ku
ligji shkilet çdo ditë. Aty ku ka kaos legal. Aty ku më përpara shelgu do të
bëjë rrush se që do të shohim procese hetimore nga Prokuroria për njekjen e
figurave politike për hajni e krim politik. Aty ku drejtësisë i duhen vite
tëtëra për ti proceduar lëndët që po presin.
Në RTK Delli tha se aksioni i VETËVENDOSJE!-s
e kishte anën e tij të mirë dhe atë të keqe. Ana e mirë, tha Delli, është liria
e shprehjes. Pra, mirë shumë që VETËVENDOSJE!-a po i shpreh lirshëm mendimet
dhe bindjet e tyre politike. Tekefundit, kështu e edukon Dellin edhe Kushtetuta
e tij: liria e shprehjes mbi të gjitha. Por shumë keq, sipas Dellit, që ne e
kishim kaluar kufirin. Tash e morëm vesh se cili është koncepti i Dellit për
qytetarin me dell: shprehni mendimet e bindjet tuaja politike, por qetësisht, pa
na e prishur muhabetin, pa na penguar, pavarësisht çka jemi duke folur, pavarësisht
nëse jemi duke të fyer me përfundime të tilla sikur Kosova shembull i
drejtësisë në rajon etj. E kjo do të thotë shprehni mendimet e bindjet tuaja
brenda në shtëpi. Pra, mos fol hiq.
Gjatë fjalimit të tij në konferencë të
drejtësisë, Delli tha se qëllimi i aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s na qenka që
të dalin në TV duke i përzënë nga salla. E falënderoi ministreshën të cilës
pak iu lëkund autoriteti aparent edhe ashtu i brishtë, dhe kërkoi nga të
pranishmit të duatrokisnin për të. Prioritet i VETËVENDOSJE!-s nuk është dalja
në tevevizor, prej aty ku ju e ushtroni pushtetin tuaj, por për ndaljen e
padrejtësisë në Kosovë. Ne veprojmë aty ku ka nevojë, pavarësisht a ka media a
jo. Por çti bëjmë që është pothuajse e pamundur të veprojmë në aktivitetet
mashtruese të pushtetit, ku ka media, dhe ku të mos jeni ju. Kjo nuk është
detyra e një ambasadori. Detyra e tij është që ta përfaqësojë shtetin prej nga
vjen, e jo vendin ku ai është ambasador.
Besoni zt. Dell, që shumë më shumë se të
dilnim në TV, siç bëni ju përditë, do të dëshironim të jetonim në një shtet ku
drejtësia nuk festohet, por realizohet, në një shtet ku me njerëzit e
korruptuar merret prokuroria e ligji ashtu sikurse në shtetin tuaj, dhe jo
populli, në një shtet ku të mos kenë shumë punë ambasadorët si puna juaj për
tua mbuluar politikanëve tanë pisllëqet e tyre. Dhe nuk do të kishim pasur
nevojë fare të merreshim me gjëra të tilla: do të shikonim punët tona, do të
studionim vazhdimisht, do të punonim. Po ja që është puna kështu siq është, prandaj
nuk mund tia lëmë Kosovën horrave që po i mbroni.
Krejt në fund Delli nuk shpëtoi dot nga
shpërthimi i mentalitetit kolonial, që vjen si tundim nga fuqia e pafund, duke
thënë se ne VETËVENDOSJE!-a nuk e përfaqëson shoqërinë e civilizuar dhe
demokratike të Kosovës. Nëpërmjet këtij kategorizimi Delli na e paraqiti
skemën e tij të ndarjes së popullit në të civilizuarit që heshtin dhe pajtohen
me politikanët tanë të mjerë, dhe të paqytetëruarit që e ngrisin zërin dhe
demonstrojnë. Çka do ti ndodhte Dellit po ta bënte këtë përfundim të shkretë, ta
zëmë, në ndonjë vend të BE-së. Do ta bënin për pesë pare. Por ai e ka
komoditetin e përfundimeve të tilla vetëm në vendin e përkryer të rendit
kolonial: aty ku heshtja është demokraci, kurse protesta primitivizëm dhe
prapambeturi.
Por, ska faj Delli. A nuk do të bënte kështu
çdo ambasador aty ku inferioriteti i politikanëve dhe deficiti i dinjitetit
vendas ia miklon atij vellon e plotfuqishmërisë së pushtetit personal?
Edhe diçka, se për pak harruam. Sa për
leksionet mbi demokracinë, mund ta dërgoni ndonjë profesor të zot amerikan për
këtë punë. Vetë nuk do tua kishim këshilluar një rol të tillë kaq të vështirë.