E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shtet informal në duar informale

Diplomatët evropianë po përpiqen ti japin
shtysë procesit të negociatave mes qeverisë dhe opozitës duke rritur presionin
për të hyrë Partia Socialiste në parlament. Në një takim që patën sot me
Presidentin e Republikës, kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë,
Ambasadorin Helmut Lohan dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel
Montobio de Balanse me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së BE-së,
është diskutuar mes të tjerash dhe domosdoshmëria e dialogut dhe bashkëpunimit
politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë

Mero
Baze*

Qeveria shqiptare po përpiqet të përdorë
artikulimet e diplomatëve perëndimore për nevojën e pranisë së opozitës në
parlament si një mënyrë për të shmangur përgjegjësitë e saj për deformimet e
standardeve të zgjedhjeve dhe angazhimet e saj për normalizimin e jetës
politike në vend.

Viti 2010 ka nisur me një krizë të qartë
politike të importuar nga viti 2009, të cilët iu mbivendosën kriza e përmbytjes
në veri të vendit dhe kriza ekonomike, e cila po bëhet përditë e më
e prekshme.

Por në vend që qeveria të ketë një axhendë të
saj për zgjidhjen e këtyre krizave, ajo po harxhon gjithë energjitë e saj
politike diplomatike dhe financiare për të mbuluar krizën politike dhe për të
injoruar arsyet pse opozita është jashtë parlamentit.

Me këtë logjikë ajo improvizon skenarë të
futjes së opozitës në Kuvend, investohet në përçarjen e opozitës, në blerjen e
medias, në sulmin mbi biznese afër opozitës dhe ngre një sistem të tërë që i ngjan
sistemit të luftës së klasave me shpresë se do të gjunjëzoje çdo elemente
opozitarë në Shqipëri.

Pra qeveria nuk investohet në zgjidhjen e
krizës politike, por në injorimin e saj, duke mos bërë asnjë përpjekje të fokusohet
tek shkaqet e krizës, por tek zhdukja e opozitës. Ky këndvështrim i të
shikuarit të krizës nga qeveria, në të vërtete e radikalizon edhe më shumë
situatën.

Sa më shumë qeveria nxit diplomatët perëndimore
të citojnë detyrimin e opozitës për të qenë në parlament, pa përmendur
detyrimin e qeverisë për të zgjidhur krizën, sa më shumë qeveria sulmon në
mënyrë klasore mediat dhe bizneset që nuk i ka nën kontroll, sa më shumë
qeveria sillet në mënyrë selektive duke përdorur shtetin për interesa të
ngushta politike antiopozitare, aq më shumë e radikalizon situatën dhe thellon
hendekun për zgjidhjen e krizës.

Radikalizimi i situatës politike në vend, në
një kohë që vendi po përplaset me krizën ekonomike dhe pasojat e përmbytjes së
kontrolluar në veri të vendit, e rrit së tepërmi koston e kthimit në
normalitet.

Nëse kriza nuk shikohet në gjithë elementët e
saj, dhe nëse nuk shkohet drejt një kompromisi dinjitoz për të dy palët,
pasojat do të jenë shumë më të rënda. Kjo nuk është një histori që mund të
përfundoje duke gjunjëzuar opozitën. Asnjë pushtet sado arrogant dhe
antiligjor të jetë si ky që është asnjë diplomat, sado i pakujdesshëm dhe i përciptë
të jetë në vlerësimin e situatës në vend dhe asnjë opozitë apo media e
blerë, nuk e ndryshojnë dot realitetin e Shqipërisë.

Diplomatët perëndimorë të cilët po kontaktojnë
me institucionet kryesore politike në vend, duhet të angazhohen për të zgjidhur
po ashtu të gjitha krizat me të cilat ndeshet humbja e standardeve demokratike
në vend.

Është shqetësuese që kryeministri Sali Berisha
dhe një bandë huliganësh që kanë qenë në mërgim në Bruksel gjatë tete viteve të
tij në opozitë, tashmë kontrollojnë sistemin e tatimeve dhe gjithë piramidën financiare
në vend, duke udhëhequr kontrolle mbi gazetat kritike të qeverisë dhe duke
gjobitur me miliona euro biznese që financojnë median kritike.

Diplomatët evropianë duhet të japin prova se
janë të shqetësuar për sulmet selektive ndaj medias dhe biznesit në emër të
gjunjëzimit të faktorëve opozitarë në Shqipëri, nga huliganë që kanë marrë
kontrollin e institucioneve të dhunshme fianciare.

Ata duhet të kujtohen se deri në vitin 1997
opozita dhunohej nga një kryepolic i quajtur Agim Shehu, tani media opozitare
dhe bizneset afër saj, dhunohen nga i njëjti njeri, dhe një tufë banditësh që
kanë kapur poste kyçe, në sistemin e financave dhe kontrollit të territorit. Në
një vend ku shteti përdor instrumente të tilla për të gjunjëzuar mendimin e
lirë dhe faktorët opozitarë, demokracia humbet çdo terren.

Shqipëria po qeveriset aktualisht nga njerëz
të pamandatuar dhe këtu nuk e kam fjalën për shumicën parlamentare, por për
njerëzit e emëruar në pika kyçe të pushtetit, të sjellë nga bota e errët e
inkriminimit politik dhe ordiner.

Në këtë vend drejtor tatimesh nuk është
Drejtori i tatimeve që ka kartë-vizitën, por drejtori real, një ish gjeneral në
mërgim që është rikthyer të rivendosë gjoba, Ministër Financash nuk është
Ritvan Bodja, por sekserët e tij të rikthyer nga Brukseli që vendosin gjoba mbi
biznese dhe media, Drejtor i Policisë Ndërtimore nuk është ai që merr rrogën,
por ai tjetri që merr fadromën dhe shkatërron pa ligj dhe urdhër këdo që ka
lidhje me opozitën.

Ky shtet informal, i cili po përdoret nga
Berisha për të gjunjëzuar opozitën, është një grusht shteti real edhe ndaj
shumicës parlamentare që është formalisht në pushtet. Nëse diplomatët perëndimorë
nuk arrijnë ta shikojnë këtë realitet dhe ta fillojnë punën e tyre duke kuruar
plagët reale të krizës, atëherë kthimi në normalitet do të jetë shumë
larg. Asnjë makijazh dhe injorim i problemeve reale nuk mund ta zgjidhë krizën.

(*) Dërguar
nga autori. Pikëpamjet janë qëndrime personale

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›