E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, PS: Korça e Pogradeci ndihma për shkodranët

Tiranë, 19 janar NOA - Shtabi i Ndihmës i
ngritur nga Partia Socialiste në qarkun e Shkodrës vazhdon të koordinojë
nevojat e banorëve të zonave të përmbytura me ato çka qytetarët e qyteteve të
ndryshme mund të ofrojnë për shkodranët që pësuan dëme të mëdha në banesa, toka
të mbjella, bagëti.

Këtë fakt e ka bërë të njohur sot pasdite
Partia Socialiste e cila shtoi se në komunën Dajç një prej komunave më të
dëmtuara, ku shtëpitë u përmbytën plotësisht, në bazë të kërkesave të banorëve
janë dërguar ndihmat e dy qyteteve, Korçë dhe Pogradec.

Janë shpërndarë 500 pako me veshje dhe
ushqime nga banorët e këtyre dy qyteteve, të cilët janë solidarizuar me
katastrofën humanitare në të cilën ndodhen shkodranët.

Po ashtu një prej bizneseve të Pogradecit ka
dërguar në këtë komunë 2000 litra lëngje frutash. Kryetarët e bashkive të
Pogradecit e Korçës së bashku me deputetët dhe drejtuesit e Shtabit të ndihmës
së PS në Shkodër janë shprehur se ndihma dhe solidarizimi i qytetarëve do të
vazhdojë edhe në ditët që vijnë në mënyrë që shkodranët në këto ditë të
vështira të mos ndihen vetëm thuhej në deklaratën e PS-së.

Niko Peleshi, Kryetar i Bashkisë Korçë tha: Ne
kemi ardhur këtu për të sjellë një kontingjent ndihmash nga qytetet tona,
bashkia e Korçës dhe ajo e Pogradecit.

Kjo ishte iniciativë e bashkive të majta, e
përkrahur nga qytetarët.

Mendojmë që ky është një kontribut modest për
të shmangur sadopak atë fatkeqësi që pësuan banorët e këtyre zonave. Është një
apel nga qytetet tona jugore, për vëllezërit tanë këtu në veri, do të
dëshironim që kjo të mos përsëritej më. Padyshim që duhet të shkoj ky mesash te
institucionet qeveritare, te qeveria që duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, jo
pasi fatkeqësia ka ndodhur,por për ta menaxhuar atë paraprakisht që të mos
ndodhë

Artan Shkëmbi, Kryetar i Bashkisë Pogradec tha:
Tani që tërheqja e ujit ka filluar, kjo zonë nuk duhet të jetë jashtë
vëmendjes së qytetarëve dhe qeverisë.

Është momenti për të kontribuar me ndihmë
gjithsecili prej nesh. Vazhdojnë kontributet nga qyteti i Pogradecit dhe i
Korçës, ku biznesmenët janë duke mbledhur ushqimet e nevojshme për ti sjellë
këtu. Ndihma jonë do të vazhdoj sërish, me ndihma ushqimore, veshmbathje, por
edhe kontribute financiare, të cilat janë të nevojshme tani që uji po tërhiqet
dhe nevojat po dalin në pah.

k.k/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›