E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personalisht

Për lirinë e lëvizjes kishte folur edhe
presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjersa e paralajmëronte vizitën e tij në
Kosovë. Por, ai nuk u ndalua. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm kësaj here. Tadiç kishte
qenë këtu edhe vitin e kaluar por prapë sishte ndaluar, megjithëse ai
gjithmonë flet për Kosovën si pjesë të Serbisë

Zgjim
Hyseni

Tek po udhëtoja nëpër qytet me një autobus të
trafikut urban, rreth orës 15:00, filluan lajmet. Nga hallet e përditshmërisë
sonë, nuk vërehej ndonjëfarë interesimi për to. Megjithatë, zëri i folësit që
po i jepte lajmet seç vërehej se dëshiron të theksonte diçka të jashtëzakonshme.
Goran Bogdanoviç, i ashtuquajturi ministër i Serbisë për Kosovën, u tha që
është dëbuar nga Kosova. Ai ishte ndaluar në Shtërpce dhe kishte tri ditë që
gjendej në Kosovë. Arrestimi u bë lajmi i ditës, ndërkohë që ai po zhvillonte
aktivitet politik prej ditës së dielë, dhe për këtë fakt opinioni nuk dinte gjë.
Kjo madje nuk është hera e parë që Bogdanoviç ndalohet. Kujt i kujtohet, ai qe
ndaluar edhe dy herë të tjera vitin e kaluar. Një herë në kufi (Merdare), dhe
herën tjetër në urën e Ibrit (prapë në kufi, veçse jo të zyrtarizuar). Gjatë
bisedës me gazetarë, Bogdanoviç kishte përmendur lirinë e lëvizjes. Ai ishte
ankuar se po i mohohej liria e lëvizjes në Kosovë e Metohi dhe se nuk do të
kërkonte kurrë leje për të lëvizur në territorin e shtetit të tij. Liria e
lëvizjes, kjo frazë që tingëllon demokratike kohëve të fundit është bërë
mbulesë për veprimtarinë armiqësore të funksionarëve të shtetit serb.

Është interesant të ndalemi pak tek kjo fraza
liria e lëvizjes. Çfarë nënkuptojnë zyrtarët serbë me të? Serbia menjëherë
pas shpalljes së pavarësisë i dogji pikat kufitare 1 dhe 31 dhe prej atëherë
nuk doganohet asnjë mall që hyn andej. Në veri tashmë u realizua liria e
lëvizjes mallrat serbe hyjnë në Kosovë pa pengesë, kufiri i Kosovës në portat
1 dhe 31 në veri nuk ekziston. Liria e lëvizjes për Serbinë është lëvizje e
përparim i ndikimit serb në Kosovë. Liria e lëvizjes për Serbinë është bllokim
i perspektivës për qytetarët tanë.

Sepse, në anën tjetër, shteti serb i ka
bllokuar kufijtë dhe nuk lejon kalimin e njerëzve me pasaportat e Kosovës, ajo
nuk lejon as hyrjen e produkteve kosovare për në Serbi qoftë edhe si rrugë
transit për në vendet e tjera.

Për lirinë e lëvizjes kishte folur edhe
presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjersa e paralajmëronte vizitën e tij në
Kosovë. Por, ai nuk u ndalua. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm kësaj here. Tadiç kishte
qenë këtu edhe vitin e kaluar por prapë sishte ndaluar, megjithëse ai
gjithmonë flet për Kosovën si pjesë të Serbisë. Si mund të shpjegohet gjithë
kjo situatë? A thua Thaçi e Sejdiu i besuan Tadiçit demokrat, e nuk i zunë
besë Bogdanoviçit të egër? Si ndodhi që Bogdanoviç u ndalua, ndërsa Tadiç u
lejua? Sipas çfarë kriteri vlerësues presidenti i një shteti armik mund të hyjë
në Kosovë ndërsa ministri i tij jo? A nuk është roli i presidentit më i lartë
në hierarki? Pse është i dëmshëm Bogdanoviç e jo Tadiç? Çfarë është më i mirë Tadiç
se Bogdanoviç? Apo ndoshta problemi është tek ne, që po kërkojmë parime aty ku
nuk ka?! Po kërkojmë kritere atje ku e vetmja mënyrë vlerësimi është interesi
privat i politikanëve. Nga refuzimi i Bogdanoviçit dhe pranimi i Tadiçit po del
që krerët e Kosovës paskan probleme personale me Bogdanoviçin, ndërsa Tadiçi
qenka në rregull. Qeveri private me probleme personale me politikanë.

U tha që Bogdanoviç nuk i respektoi procedurat.
Kjo i bie që Tadiç i paska respektuar ato. Dhe procedurat janë, siç tregojnë
ata vetë, dorëzimi i kërkesës tek zyra e BE-së në Beograd, për ta përcjellë
këtë të fundit tek zyra e BE-së në Prishtinë, ndërsa zyra e BE-së në Prishtinë
ua përcjell institucioneve të Kosovës. Pra, Serbia e dorëzon kërkesën tek zyra
e BE-së, institucion ky me të cilin kjo e fundit ka marrëveshje për Kosovën. Këtu
e kam fjalën për marrëveshjen ku BE-ja ia pranoi tri kushtet Serbisë e përmes
të cilave u mundësua funksionalizimi i EULEX-it: 1) baza juridike e EULEX-it të
jetë R1244; 2) EULEX mos ta zbatojë Planin e Ahtisaarit; 3) EULEX të jetë
neutral karshi statusit.

Pra, kjo është procedura me të cilën janë
pajtuar institucionet e Kosovës. Pavarësisht a do ta njohë Serbia Kosovën, pavarësisht
që ajo na i ka bllokuar kufijtë e na lufton ekonomikisht, pavarësisht që ajo na
ka dërguar kolektivisht në Hagë, Serbia paguan struktura paralele deri tek ato
të shërbimit sekret serb në Kosovë. Pavarësisht që ajo na e lufton pavarësinë, mjafton
kjo procedurë e gjorë për të hyrë kushdo nga funksionarët serb në Kosovë, e
Thaçi e Sejdiu ti thonë mirë se erdhe!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›