Zonat e përmbytura, plani i Emergjencës: Kujdes me dezinfektimin

Tiranë, 19 janar NOA - Ministria e Shëndetësisë
prej tre ditësh ka dorëzuar pranë autoriteteve shëndetësore në qytetin e Shkodrës,
planin e emergjencës i cili do të shërbejë për pastrimin e zonave të përmbytura
nga ndotjet që sollën ujërat gjatë vërshimit të tyre.
Në planin e emergjencës që komiteti ndërministror
miratoi javën e shkuar prioritare mbeten shërbimet shëndetësore, shëndeti
publik dhe kujdesi spitalor.
Në plan theksohet se uji është një prej prioriteteve
që duhet të kenë specialistët.
Ata duhet të bëjnë një vlerësim të veprave të
ujësjellësve, inspektimin dhe marrjen e
mostrave të paktën 2 herë në ditë.
Një tjetër vëmendje kërkohet për puset, për vlerësimin
e cilësisë së ujit të puseve.
Në lidhje me rrezikun e përhapjes së epidemive
nga ujërat e zeza, kërkohet monitorim i shkarkimeve të ujërave të zeza dhe
sipërfaqësore në lidhje me nivelin e ndotjes mikrobiologjike, kimike, fizike,
në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit dhe strukturat e pushtetit vendor.
Informim dhe udhëzim i vazhdueshëm i publikut
mbi dezinfektimin e gropave septike, pastrimin e sipërfaqes përreth gropave
septike dhe groposjen e mbeturinave.
Kontrolli i sëmundjeve infektive është një nga
pikat e planit të emergjencës që ka hartuar ministria e Shëndetësisë.
Në të theksohet se nevojitet hetim i shpejtë i çdo vatre të mundshme,
dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i tyre.
Kujdes i duhet kushtuar evidentimit grumbullimit dhe groposjes së kafshëve të
ngordhura në bashkëpunim me Inspektoratin Veterinar, Inspektoratin e Mjedisit
dhe Pushtetin Vendor.
Plani është përgatitur në përputhje me
orientimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për emergjencën në
situatat e përmbytjes dhe në përputhje me eksperiencat e mëparshme.
Në këtë plan veprimi, shëndetësia ka rolin e
monitoruesit, analizuesit dhe orientuesit sanitar të veprimeve dhe
bashkëpunimit me të gjithë aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi për të ndërhyrë
në infrastrukturë dhe me veprime të tjera të shumëllojshme që dalin jashtë
kompetencave të veprimeve të shëndetësisë.
Plani i emergjencës shëndetësore Për
rehabilitimin sanitar të zonave të përmbytura është objekt i rishikimit të
vazhdueshëm në varësi të evoluimit të situatës.
b.m/NOA