Delneri Me Kievon sfide vendimtare duam fitore
Kievo është udhëkryqi i Juventusit. Në prag të sfidës me ish-skuadrën e tij, trajneri Delneri i tregon bardhezinjve rrugën e duhur: “Ndeshja me Kievon është thelbësore: duhet ta mbyllim vitin në mënyrën më të mirë, kjo do të na jepte energji për gjysmën e mbetur të sezonit. Nesër (sot) dua lojë me intensitet dhe kujdes maksimal: pushimet ende nuk kanë filluar, duhet të bëjmë gjithçka për të fituar”. Pas triumfeve me Katanian e Lacion, Juventusi kërkon “trisin” e parë sezonal: “Pavarësisht të gjithave, ecuria jonë ka qenë e mirë. Kemi fituar tre nga katër ndeshjet e fundit. Në këtë sfidë me Kievon paraqitemi me modesti dhe respekt për kundërshtarët. Përballë kemi një skuadër mjaft të stimuluar, cilësore dhe agresive. Për të marrë tri pikët, duhet të zhvillojmë ndeshjen më të mirë”. Terreni i vështirë në stadiumin “Bentegodi” do të jetë një kundërshtar më shumë për bardhezinjtë. Një tjetër problem për Delnerin janë dëmtimet, ku situata më e komplikuar është në qendër të mesfushës. Trajneri ka arritur të rikuperojë në limit Akuilanin, i cili do të luajë, edhe pse nuk është në formë optimale. “Alberto do të jetë në fushë përkrah Sisokosë, pasi për Markizion duket e pamundur që të rikuperohet”. Gjithsesi, tekniku sheh anën pozitive: “Dëmtimet në lojë i dhanë mundësinë Sorensenit të evidentohet, Groso u rikthye i rëndësishëm, por mbi të gjitha, treguan mobilizimin e të gjithë skuadrës”.