E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e gjyqtarit, avokate e Delijorgjit

 

Trazhgim Sokolaj

Seanca e parë gjyqësore kundër 28 zyrtarëve të pandehur për tragjedinë e Gërdecit pritet të dështojë më 4 maj 2009 për shkak të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për përjashtimin e anëtarit të trupës gjykuese, Besnik Imeraj. Ky gjyqtar ndodhet në konflikt të hapur interesi lidhur me dosjen “Gërdeci”. Vajza e tij punon në studion e avokatisë “Hajdari & Haxhiaj”, e cila ka marrë në mbrojtje Mihal Delijorgjin, në procesin ku ai ndodhet si i akuzuari kryesor për tragjedinë. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme thanë dje se organi i akuzës do të kërkojë përjashtimin e Besnik Imerajt nga trupi gjykues. Kërkesa e Prokurorisë do të zyrtarizohet që në seancën e parë të procesit, e cila pritet të zhvillohet më 4 maj 2009. Faktet që implikojnë gjyqtarin në konflikt interesi lidhur me dosjen “Gërdeci”, duket se e kanë vetëm fillesën e tyre te punësimi i vajzës së tij në studion ligjore që mbron Delijorgjin. Gazeta “Panorama” siguroi dje një dokument zyrtar të firmosur nga vetë pronari i kompanisë “Albademil”. Në këtë autorizim të firmosur nga i arrestuari pas ngjarjes së Gërdecit, thuhet se Mihal Delijorgji autorizon tri juriste të studios “Hajdari & Haxhiaj” për përfaqësimin e kompanisë dhe interesave financiare në mungesë të tij. Mes juristeve të autorizuara nga Delijorgji, siç duket edhe nga dokumenti, ndodhet edhe Marsela Imeraj. Ajo është vajza e gjyqtarit Besnik Imeraj, i cili është zgjedhur me short për të qenë në trupën e Gjykatës së Lartë, që do të shqyrtojë dosjen penale të tragjedisë. Prokuroria duket se është vënë në dijeni të këtyre fakteve. Mësohet se organi i akuzës disponon dokumentet zyrtare që tregojnë lidhjen mes gjyqtarit të “Gërdecit” dhe të akuzuarit kryesor Mihal Delijorgji. Duke iu referuar të dhënave në fjalë, Prokuroria e Përgjithshme tha se do të kërkojë përjashtimin e gjyqtarit Besnik Imeraj nga trupi gjykues, që në seancën e parë të caktuar për datën 4 maj 2009. Për këtë shkak, seanca e parë pritet të dështojë. Procedura parashikon se Gjykata duhet të tërhiqet për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë pa marrë në shqyrtim asnjë fakt penal nga dosja “Gërdeci”.
Vajza e gjyqtarit,
avokate e Delijorgjit
Historia e konfliktit të interesit në rastin e gjyqtarit Besnik Imeraj duket se ka filluar shumë kohë para ngjarjes së Gërdecit. Prej vitesh vajza e gjyqtarit është punësuar si avokate në studion ligjore “Hajdari & Haxhiaj”, e cila mbron Mihal Delijorgjin si i pandehur në dosjen e tragjedisë së Gërdecit. Megjithatë punësimi i vajzës së gjyqtarit në studion që mbron biznesmenin Delijorgji, duket se është vetëm njëra anë e medaljes. Lidhja mes gjyqtarit dhe Delijorgjit duket se bëhet akoma më e ngushtë në gusht 2007. Në këtë kohë, Mihal Delijorgji ka firmosur një autorizim në cilësinë e administratorit të kompanisë “Albademil”. Është pikërisht kompania, e cila nënshkroi kontratë dhe po demontonte predha të artilerisë së rëndë në Gërdec, atëherë kur aty ndodhi ngjarja që u mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Në gusht 2007, administratori i kësaj kompanie, Mihal Delijorgji, firmos autorizimin ku ndodhet emri i avokates Marsela Imeraj, vajza e gjyqtarit Besnik Imeraj. Autorizimi është bërë me qëllim që në mungesë të Delijorgjit, njëra nga avokatet e studios ligjore ta përfaqësonte atë në veprimet që mund të kryheshin me kompaninë.

Gjyqtarët

Trupi gjykues i Gërdecit

Relatore
1.Majlinda Andrea

Anëtarë
2.Evgjeni Sinoimeri
3.Irma Bala
4.Evelina Qirjako
5.Besnik Imeraj

Delijorgji firmë për vajzën e gjyqtarit, bleu 8 % të aksioneve të “Albademil”

TIRANE – Të premten e 13 marsit 2009, rreth një vit pas tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen në Gjykatën e Lartë. Grupi i hetimit mori të pandehur 28 persona, nga të cilët katër në gjendje arresti me akuzën e “vrasjes masive”, ndërsa 24 të tjerë në gjendje të lirë me akuzat “shpërdorim detyre” si ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pasi mori në shqyrtim materialet voluminoze të fashikullit penal, Gjykata e Lartë vendosi pranimin e çështjes, ndërsa më 2 prill 2009 me anë të shortit të goglave, u caktuan pesë gjyqtarët që do të shqyrtonin çështjen në themel. Në këtë kohë ndodhi edhe përfshirja e gjyqtarit Besnik Imeraj në trupën e togave të zeza, që do shqyrtojnë provat e tragjedisë së Gërdecit. Ligji parashikonte se vetë gjykata duhej ta përjashtonte emrin e tij edhe nga shorti me gogla në momentin që do merrej dijeni për faktin se një e afërme e tij ishte punësuar në studion që mbronte Delijorgjin, apo aq më tepër, vetë i akuzuari kishte autorizuar për vajzën e gjyqtarit për ta përfaqësuar në veprimet tregtare e ligjore me kompaninë e tij. Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga gazeta “Panorama”, rezulton se në gusht 2007, Mihal Delijorgji ka firmosur autorizimin ku ndodhet edhe emri i vajzës së gjyqtarit, për shkak se disa kohë më vonë ai do të blinte nga ortaku Patrick Henry III, 8 për qind të aksioneve të subjektit “Albademil”, e krijuar më 28 dhjetor 2006. Për të kryer këtë veprim financiar e ligjor, Mihal Delijorgji autorizonte tri avokate nga studioja “Hajdari & Haxhiaj”: Jonida Gaba, Marsela Imeraj dhe Eris Hysi. Siç duket qartë nga dokumenti, mes atyre personave që Delijorgji u besonte kompaninë ndodhet edhe vajza e gjyqtarit, që është caktuar në trupën gjyqësore të dosjes “Gërdeci”, ku pronari i kompanisë “Albademil” është i pandehuri kryesor. Mihal Delijorgji u arrestua më 18 mars 2008 së bashku me Dritan Minxollin, drejtorin e fabrikës që kompania “Albademil” kishte ngritur në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Bashkë me dy biznesmenët ra në pranga edhe Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, e cila organizoi veprimtarinë e demontimit të municioneve duke sjellë ngjarjen tragjike.

Ligji

Neni 17 i Kodit të Procedurës Penale
“Heqja Dorë”
Gjyqtari ka për detyrë të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete”:
1. Kur ka interes në procedim ose kur një nga palët private ose një mbrojtës është debitor a kreditor ndaj tij, bashkëshortit ose i fëmijëve të tij;
2. Kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit ose njërës nga palët private, ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini e afërt
e tij ose e bashkëshortit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›