Siguria në shkolla, përplasje PS-MASH
Përplasje të reja mes Ministrisë së Arsimit dhe Partisë Socialiste për sigurinë në shkolla. Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Informimit, Ledi Shamku deklaroi se mësuesit dhe prindërit po bëhen peng të një politike antiqytetare, që nuk garanton sigurinë dhe jeta ka pak vlera. “Nëse do t’i kishin dëgjuar qoftë edhe një ditë të vetme mësues e prindër, do të kishin mësuar se ata thonë prej kohësh që ky sistem i kalbur arsimor e ka humbur lidhjen me edukimin e i është larguar vlerave qytetare, kujdesit ndaj adoleshentëve, vëmendjes së veçantë ndaj fëmijëve që kanë probleme në familje apo në shoqëri”, deklaroi Shamku. Sipas saj, qeveria i ka detyruar prindërit ta paguajnë vetë rojën e godinës së shkollës dhe u ka kthyer kurrizin, duke i lënë thuajse në dorë të fatit. I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Arsimit. “Është e turpshme se si Partia Socialiste me synime përfitimi elektoral nxit panikun publik për sigurinë në shkollat tona. Është e pamoralshme të gëzohesh, për ngjarje të papëlqyeshme për çdo shqiptar”, thuhet në deklaratën ë këtij dikasteri. Në të theksohet se është fatkeqësi që zëdhënësja e PS për arsimin nuk e ka mësuar ende se me legjislacionin e ri bashkëkohor është miratuar, në shkollën e sotme shqiptare bashkëveprojnë edhe MASH me drejtoritë përkatëse, edhe pushteti vendor, edhe komuniteti i prindërve, edhe komuniteti i vetë nxënësve apo studentëve.