Erion Braçe: Qeveria të pranojë krizën
Socialisti Erjon Braçe deklaroi dje në Kuvend se qeveria nuk duhet të marrë kredi nga jashtë, me qëllim rritjen e pagave dhe të pensioneve. Sipas tij, qeveria nuk e pranon krizën ekonomike, pasi ka frikë nga humbja e zgjedhjeve. Ai shtoi se “qeveria nuk ka para për të rritur pensionet dhe pagat, ashtu siç premton përditë Berisha”. Sipas socialistit, taksa e sheshtë ka varfëruar së tepërmi familjet shqiptare. ”Rrogat nuk rriten me paratë e Berishës dhe familjes të tij, por nga taksat tona, ku vetëm Berisha nuk tatohet dhe nuk pranon të paguajë asnjë taksë”, u shpreh Braçe. Ndërsa Xhaferri ka replikuar, duke u shprehur se “qeveria e djathtë i ka mbajtur të gjitha premtimet”. “Juve ju tmerron rritja e pagave më 1 maj. Ju falënderoj se në këto 3 vite ju keni kërkuar rritje taksash, kurse ne jemi për uljet e tyre”, deklaroi Xhaferri. Ndërsa kreu i grupit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi se “kryeministri duhet të paraqesë në Kuvend një plan masash për përballimin e krizës ekonomike”.