Kontraceptivët, shqiptarët ende me metodat tradicionale
zirina llambro
Shtatzëni të padë-shiruara dhe infeksione seksualisht të transmetueshme. Pasojat e tyre për një çift janë kolosale. Të gjitha këto shmangen vetëm me përdorimin e metodave moderne kontraceptive. Përdorimi i tyre në vendin tonë është mjaft i ulët. Sipas statistikave rezulton se vetëm 15% e shqiptarëve i përdorin. Pikërisht për të ndërgjegjësuar qytetarët, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë prezantuan dje programin e ri “Komunikimi për Ndryshimin e Sjelljes në Planifikimin Familjar në Shqipëri (C- Change FP in Albania). Fushata e ndërgjegjësimit me të gjithë aktorët e shoqërisë do të jetë pjesë thelbësore e tij. Programi do të përqendrohet në rritjen e përdorimit të metodave bashkëkohore kontraceptive por do të ketë në fokus edhe sqarimin e keqkuptimeve në lidhje me efektet anësore të tyre. Pjesë e tij është edhe nxitja e shqiptarëve për të pakësuar përdorimin e metodave tradicionale, kryesisht për të rinjtë dhe të rejat e moshës 18-35 vjeç. Të pranishme ne konferencën e djeshme, veç drejtueseve të lartë të USAID, ishin edhe Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo dhe bashkëshortja e Kryeministrit Liri Berisha. “Shumë nga çiftet shqiptare, tashmë e kanë të qartë konceptin e planifikimit familjar, por bazohen kryesisht në metodat tradicionale, të cilat nuk janë shumë të besueshme, ashtu siç janë metodat bashkëkohore kontraceptive të tilla si: Pilulat kontraceptive, prezervativët dhe injeksionet kontraceptive” - tha Berengere de Negri, drejtoreshë e projektit. Ajo shtoi se me përdorimin e metodave bashkëkohore, jeni të sigurt në parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara.
Në ceremoni ishte e pranishme dhe Drejtoresha e Misionit të USAID në Shqipëri, Roberata Mahoney, e cila tha se qëllimi i kësaj përpjekje është të ofrojë për shqiptarët një mundësi për një jetë më të mirë. “Është koha që shqiptarët të marrin në dorë të ardhmen e tyre dhe planifikimi familjar është prioritet i yni gjatë gjithë kohës. Në axhendën e vitit 2009 strategjia kombëtare e Shëndetit Riprodhues do të përbëjë një kornizë, ku përcaktohen drejtimet kryesore të plotësimit të nevojave për planifikimin familjar”, tha Godo. Ndërsa kryetarja e fondacionit të fëmijëve shqiptar e cilësoi fushatën e nisur si mjaft të rëndësishme.