E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delvinë, drogë Lazarati në bidonë qumështi



DELVINë- Kanabis në bidonët e qumështit, prangoset 24- vjeçari. Operacioni antidrogë u realizua paraditen e djeshme në fshatin Vergo të Delvinës, ndërsa u sekuestruan 70 kg kanabis sativa. Sipas policisë së Sarandës, sasia e lëndës ndodhej në mjetin furgon, tip “Mercedes-Benz” me targë DL 26 99 A. Mjeti drejtohej nga shtetasi Ndriçim Roboçi nga Delvina. Sipas burimeve policore, droga ishte e presuar dhe e vendosur në dhjetëra bidonë qumështi, metodë kjo e pa hasur ndonjëherë nga agjentët e antidrogës. Ndaj 24-vjeçarit Roboçi është marrë menjëherë masa e arrestit ndërkohë që vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve. Nga hetimet është zbuluar se droga ishte siguruar në fshatin Lazarat dhe si destinacion i mundshëm dyshohet Saranda e më pas Greqia. Që prej fillimit të vitit, në disa operacione antidrogë, policia e Sarandës ka sekuestruar më shumë se 2.7 ton kanabis sativa e gjitha me destinacion tregun grek. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›