Dy fshatra në protestë për dëmshpërblimin
SHKODER- Banorët e fshatrave ças dhe Luarz në Komunën e Velipojës protestuan dje për dëmshpërblimet e dhëna nga Qeveria pas përmbytjes së muajit janar. Për rreth 30 minuta, banorët e kësaj zone bllokuan rrugën në aksin Shkodër- Velipojë, në vendin e quajtur “Kthesa e Dajçit”. Sipas tyre, Qeveria nuk iu ka dhënë dëmshpërblimet e premtuara. Ata shprehën shqetësimin edhe për mënyrën se si u janë vlerësuar dëmet. Sipas tyre, shumë banorë të dëmtuar nga përmbytja nuk figurojnë tek lista e personave që do të dëmshpërblehen. Në protestën e djeshme ishin edhe deputetet e PS-së Ilir Beqja, Tom Doshi dhe Astrit Beci. Në një deklaratë për shtyp deputeti Beqja theksoi se protestat do të përshkallëzohen deri në rrëzimin e Qeverisë Berisha. Me pankarta në duar protestuesit i kërkuan shtetit të rishikohet mënyra se si është vlerësuar dëmi. Banorët akuzuan edhe për abuzimet në ndarjen e ndihmave në ditët e përmbytjeve, të cilat sipas tyre janë dhënë sipas bindjeve partiake. Pas përmbytjes së ndodhur në Shkodër, banorët kanë protestuar disa herë në lidhje me dëmshpërblimet pasi sipas tyre, shumë emra nuk figurojnë në listë, ndërsa disa të tjerë pretendojnë se shuma e përcaktuar nga ekspertët është më e vogël se dëmi real i shkaktuar nga ujërat. r.d