E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet, asnjë e dhënë nga Shtabi i Emergjencave

09/12/2008  Prefekti i lë një javë kohë për pasqyrimin. Në qark llogariten mbi 60 banesa të dëmtuara

DURRES- Shtabi i Emergjencave Civile në prefekturën e Durrësit ende nuk ka përfunduar përpunimin e të dhënave për të deklaruar dëmet konkrete që janë shkaktuar nga era e fortë dhe reshjet e dendura të shiut.

Inspektimi

Prefekti Klodian Pajuni, sipas disa burimeve, i ka lënë një javë kohë përgjegjësit të zyrës së Emergjencave Civile Artur Lekbello për të pasur në tryezë dosjen me të dhëna të dëmeve që janë shkaktuar. Shumë qytetarë janë ankuar lidhur me indiferentizmin e treguar nga Shtabi Emergjencave ditët e përmbytjeve të javës së kaluar. Vet prefekti ka qenë gjatë tre ditëve të vështira në terren në zonat e thella për t’u vendosur për një kohë të gjatë në zonën e Kënetës ku kishte edhe informacione se gjendja qe ndërlikuar për shkak të mosfunksionimit të disa kanaleve. Pajuni madje ka dalë përtej kufijve të qytetit dhe lagjeve të Durrësit ku dhe ka shkuar në Fushë-Krujë, Krujë, Ishëm, Manëz etj, duke u kërkuar drejtuesve të mandatuar dhe stafeve të zgjedhura prej tyre të ndjekin e të informojnë për situatën. Informacionet paraprake që nuk kanë dalë nga Shtabi i Emergjencave Civile, por nga rajone brenda bashksië si dhe të dhëna nga komunat e bashkitë e qarkut, bëjnë fjalë për dëme serioze.

Dëmet

Një pjesë e shtëpive janë bërë të pabanuara, ka shtëpi me kulme të zbuluara e çati të dëmtuara, shtylla të rrëzuara, toka buke nën ujë dhe prodhime të kalbura në arë, ura të shembura etj. Në Shkozet kanë pësuar dëme nga uji 27 banesa, në Plazh 13 shtëpi janë fundosur nën ujë në katet e para, në Porto Romano 6 shtëpi, në NISH Tulla 11 banesa familjare kanë qenë katër ditë në ujë dhe janë bërë të pabanuara, në Kënetë shtëpitë e lokalet pranë kanaleve kanë pasur të njëjtin fat, por nuk ka të dhëna të deklaruara. Burimet thonë se edhe në Fushë-Krujë, Bubq, Cudhi, Nikël ka pasur dëme, por në një masë disi më të vogël dhe që më së shumti është ndjerë në godina e objekte të vjetra, të cilat nuk kanë mundur t’i rezistojnë erës. Prefekti Pajuni ka kërkuar që të ketë një tabelë me të gjitha të dhënat ku të cilësohen jo vetëm numri shtëpive të prekura nga vërshimi i reshjeve dhe era, por deri në detaje. Konkretisht lypset që Pajuni të dijë se sa shtëpi kanë pësuar dëme në pajisje elektro-shtëpiake, biznese, ushqime të bagëtive etj. Të gjitha këto pothuajse nuk janë pasqyruar fare në deklaratat e Shtabit të Emergjencave. Gjithsesi prefekti i ka lënë një javë kohë këtij të fundit për të bërë punën e tij.

Sërish erë e fortë dhe dëme

Durrësi sërish është përfshirë nga moti me erë të fortë. Fundjava pati erë në trajtën e një cikloni, e cila bllokoi futjen e trageteve në port. Mjetet lundruese, të cilat mundën të ankoroheshin, patën shumë vështirësi dhe hynë me 3 deri në 4 orë vonesë. Të dielën edhe ditën e hënë dallgët kapërcyen pengesën dhe ujërat u derdhën deri në mesin e sheshit të bregdetit të shëtitores "Taulantia" dhe në lokalet që ndodheshin në afërsi të bregdetit tek zona pranë "Bërrylit”.

Rrezikohen nga pemët kalimtarët

Tek stacioni i trenit në Durrës, stacion i ekspozuar tërësisht për shkak të sheshpamjes dhe mungesës së pritave era ka thyer pemët e larta aty parë duke i lëshuar mbi kokat e udhëtarëve. Policisë i është dashur të kërkojë ndihmën e emergjencës për të larguar nga rruga kryesore Qendër-Ura Dajlanit pemët dhe degët e rënë, të cilat kanë bllokuar trafikun rrugor. Ndërkohë që kurora pemësh kanë mbetur të kryqëzuara në majë të eukalipteve duke përbërë një rrezik për udhëtarët që kalojnë në trotuar.

Dëmet e një jave më parë

Në Shkozet kanë pësuar dëme nga uji 27 banesa, në Plazh 13 shtëpi janë fundosur nën ujë në katet e para, në Porto Romano 6 shtëpi, në NISH Tulla 11 banesa familjare kanë qenë katër ditë në ujë dhe janë bërë të pabanuara, në Kënetë shtëpitë e lokalet pranë kanaleve kanë pasur të njëjtin fat, por nuk ka të dhëna të deklaruara. Burimet thonë se edhe në Fushë-Krujë, Bubq, Cudhi, Nikël ka pasur dëme, por në një masë disi më të vogël dhe që është ndjerë në godina e objekte të vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›