Dëmet e Gërdecit, prokuroria vendos:riekspertim për 24 banesa të shembura
TIRANE – Prokuroria e Tiranës vendosi të riekspertojë dëmin e shkaktuar në 24 banesa të zonës së Gërdecit, me qëllim matjen e saktë të dëmtimeve që u shkaktuan aty nga shpërthimi katastrofik i 15 marsit 2008. Ekspertimi në banesat e dëmtuara po zhvillohet në kuadër të hetimeve të filluara disa muaj më parë nga prokuroria, për abuzime të mundshme gjatë vlerësimit të dëmeve pas tragjedisë, me qëllim dëmshpërblimin e banorëve. Hetuesit dyshojnë se ekspertët që shkuan në zonë pak ditë pas tragjedisë dhe përcaktuan shifrat e dëmshpërblimit, duke llogaritur dëmet e shkaktuara banorëve, kanë abuzuar duke “fryrë” faturat. Këtë veprim ata dyshohet se e kanë kryer me qëllim që të përfitonin vetë pjesë nga shumat e dëmshpërblimit që Qeveria u dha banorëve nga buxheti i shtetit. Një veprim i tillë përmes falsifikimit të llogaritjeve konsiderohet vepër penale dhe dëm i shkaktuar shtetit. Për këtë janë në hetim mbi 80 ekspertë që kanë vlerësuar 24 shtëpitë që do ekspertohen për të parë dëmin real që është shkaktuar. Më parë prokuroria dyshonte se ishte abuzuar në 72 ndërtesa por verifikimet e hetuesve në terren hedhin dyshime vetëm për 24 prej tyre. Në një banesë në Marqinet, pranë Gërdecit, ekspertët kishin vlerësuar si dëm katin e tretë të një shtëpie duke pretenduar shembjen e tij nga tragjedia kur në fakt ai nuk ishte ndërtuar fare në kohën kur ndodh shpërthimi. tr.so