Topi, 600 kërkesa për falje nga burgjet
Të dënuarit kërkojnë mëshirë nga kreu i shtetit në festat e fundvitit. Janë rreth 600 të burgosur, që muajt e fundit i janë drejtuar Presidentit të Republikës për të përfituar lirimin nga qelia apo sadopak zbutje të dënimeve, që kanë dhënë togat e zeza në ngarkim të tyre. Shifrën e pohon numri dy i dikasterit të Burgjeve, Lulzim Kodra sipas të cilit, javët e fundit Zyrës Juridike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i është dashur të verifikojë dhe të përpilojë dinamikën e vuajtjes së dënimeve për të gjithë të dënuarit, që kanë paraqitur në Presidencë kërkesa individuale për falje të plotë të dënimit të mbetur apo ulje të tij. Kodra tha se kërkesat e paraqitura nga të burgosurit janë tërësisht individuale dhe janë paraqitur nga vetë ata, familjarët e tyre, apo organet e pushtetit lokal, ku këta të fundit kanë edhe rol propozues. Po kështu, sipas tij, personat që kanë paraqitur kërkesa për falje i përkasin të gjitha kategorive të dënimeve. Pjesën më të madhe të kërkesave sipas Kodrës e kanë paraqitur të burgosurit, që u kanë mbetur pak nga dënimi për të kryer. Duke pretenduar se tashmë janë penduar për veprat e kryera dhe në mënyrë, që të rehabilitohen sa më shpejt për t’iu rikthyer shoqërisë ata kërkojnë mëshirë nga kreu i shtetit. Por sipas nëndrejtorit Kodra nuk mungojnë as rastet kur të dënuar me burgim të përjetshëm kanë paraqitur kërkesat që dënimet e tyre të kthehen në 25 vjet burg, në mënyrë që kur të kalojnë kaq vite në qeli të lirohen. Ndërsa nuk mungojnë edhe rastet kur mjaft të burgosur kërkojnë pafajësi nga Presidenti i Republikës, apo të tjerë që kërkojnë ulje të një pjese të dënimit. Duke folur për dinamikën e paraqitjes së kërkesave Kodra pohoi, se ligjërisht kërkesat së bashku me dokumentet e duhura paraqiten në institucionin e kreut të shtetit. “Aty, pas regjistrimit të kërkesave, ky institucion i kërkon Drejtorisë së Burgjeve dinamikën e vuajtjes së dënimeve për kërkuesit e burgosur, si dhe një karakteristikë të sjelljes së tyre në qeli”, tha Kodra, i cili pohoi më tej shtoi se pas plotësimit të këtyre dokumenteve burgjet ia dërgojnë kreut të shtetit dhe, pas kësaj mbetet e drejtë ekskluzive dhe kushtetuese e Presidentit për të falur të dënuarit. Është bërë traditë në vend, që krerët e shtetit me rastin e festave të nëntorit dhe fundvitit të dekretojnë falje të dënimeve për të burgosurit. Me rastin e festave të nëntorit Presidenti Bamir Topi nuk dekretoi falje të burgosurish, ndërsa burgjet pohojnë se sistematikisht, sipas listës së paraqitur nga Presidenca i kanë vënë në dispozicion kreut të shtetit dokumentet e kërkuara. Kodra pohoi gjithashtu, se përsa i përket kohës dhe numrit të kërkesave të mbërritura nga Presidenca për verifikime, çdo ditë, muajt e fundit, në Drejtorinë e Burgjeve janë paraqitur rreth 5–7 kërkesa për verifikim të dinamikës së të dënuarve. f.m