Përplasje për Kodin e Procedurës Penale
Trazhgim Sokolaj
Një grup i përbashkët pune i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit është duke diskutuar mes debatesh ndryshimet e pritshme në Kodin e Procedurës Penale. Burimet zyrtare thanë se dy institucionet ndajnë qëndrime të ndryshme për ndryshimet që do të bëhen në Kodin e Procedurës Penale, të cilat kanë për qëllim t’i japin policisë më shumë hapësira ligjore për hetimin e çështjeve penale. Policia e shikon këtë si një sanksionim në ligj të një situate që është e pranishme në realitet, duke konsideruar se në hetimet penale veprimet bazike në të vërtetë bëhen nga policia. Nga ana tjetër, prokuroria dhe përfaqësuesit e saj i shikojnë ndryshimet e propozuara nga policia, si një tentativë për “të zbehur” rolin e prokurorit në hetim. Debati ka mbetur ende në kuadrin e grupeve të përbashkëta të punës nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, megjithatë pritet që së shpejti Ministria e Brendshme të propozojë në Qeveri ndryshimet konkrete në Kodin e Procedurës Penale. Ndryshime të cilat nëse bëhen realitet, kërkojnë mesa duket një konsensus të gjerë, për shkak se Kodi i Procedurës Penale nuk mund të ndryshohet në Parlament me shumicë të thjeshtë votash çka kërkojnë më shumë mbështetje dhe përfshirje politike sesa ligjet e zakonshme.
Prokurori-polici
Përmbajtja aktuale e Kodit të Procedurës Penale u jep prokurorëve epërsi në zhvillimin e hetimeve penale për krime të ndryshme. Kodi parashikon se prokurori është drejtuesi dhe kontrollori i hetimeve që zhvillon oficeri gjyqësor në varësi të tij dhe strukturat e policisë. Prokurori urdhëron kryerjen e hetimeve, përcaktimin e detyrave për këtë, miraton apo shfuqizon veprime hetimore apo proceduriale të policisë si dhe autorizon metodat speciale të hetimit si përgjimi, ballafaqimi për njohje dhe veprime të tjera. Ndërkaq policia përcaktohet në Kod si strukturë zbatuese e hetimeve që drejton dhe kontrollon prokurori. Për shkak të problematikës së ndeshur në praktikë, disa muaj më parë, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, nënshkruan një memorandum të përbashkët, i cili formalizonte përqendrimin e hetimeve në strukturat e policisë por që gjithsesi ruante pozitën tradicionale të prokurorit në këtë proces. Sipas memorandumit, tashmë dosjet penale nuk do të mbahen në Prokurori por në strukturat përkatëse të policisë ku do të punohet çdo ditë me to. Si rrjedhim i kësaj, një numër i konsiderueshëm oficerësh të policisë që ishin vendosur më parë në Prokurori për të kryer veprimet hetimore, u rikthyen në strukturat bazë të policisë. Burimet zyrtare nga policia thonë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrim në Kod i memorandumit të nënshkruar mes palëve. Megjithatë përfaqësuesit e prokurorisë në grupin e punës janë përfshirë në debate me përfaqësuesit e policisë, pasi duan të ruajnë gjendjen aktuale lidhur me rolin e prokurorit në hetimin e çështjeve penale.
“Sherri” për ndryshimet në ligjin e prokurorisë
TIRANE – Një tjetër ligj që shkaktoi përplasje mes Prokurorisë dhe organeve në varësi të Qeverisë është drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Ai parashikon ndryshime thelbësore në ligjin aktual “për prokurorinë”. Procedura filloi rreth një vit më parë por duket se gjatë fazës së parë të punës, Ministria e Drejtësisë punoi e vetme duke ndërtuar një draft për të cilin Prokuroria jo vetëm që nuk ishte dakord por as kishte dijeni. Gjithçka u bë publike në shtator të këtij viti, kur në mënyrë jo zyrtare u mësua përmbajtja e draftit që kishte hartuar Ministria e Drejtësisë. Një përmbajtje e cila u kundërshtua hapur nga Prokuroria e Përgjithshme për tendencën që kishte në drejtim të dhënies së pushtetit dhe kompetencave shtesë për Ministrin e Drejtësisë mbi Prokurorinë. Një tjetër kritikë e akuzës, ishte se drafti në fjalë vinte në diskutim edhe statusin e prokurorit, për shkak se hiqte imunitetin e tyre nga arrestimi apo ndalimi i padrejtë prej organeve të policisë. Debati i gjerë publik u bë shkak që një përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme të përfshihej në diskutimet e grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e draftit. Procesi pati pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve dhe me përmbajtjen që ka pas kalimit në Qeveri, drafti ka kontestime vetëm në një pikë nga prokurorët që kishin kundërshtuar më parë tetë dispozita të projektligjit. t.s
Hetimet, baza në Policinë e Shtetit
TIRANE – Kodi i procedurës Penale por edhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, veprimet bazë të hetimit i kanë përcaktuar në polici. Kjo e fundit ka në dispozicion laboratorët e ekspertizave hetimore, dhomat e shoqërimit dhe ndalimit të personave që duhet të merren në pyetje gjatë hetimeve, si dhe të drejtën për të përcaktuar dhe ruajtur vendin e ngjarjes së një krimi deri në fiksimin e provave nga prokurori. Veprimet e mirëfillta hetimore zhvillohen në polici por udhëhiqen nga prokurorët. Policia ka kërkua më shumë hapësira në këtë drejtim por prokurorët “mbrohen” duke thënë se në shumë raste ligjshmëria e hetimeve në strukturat e policisë ka qenë e diskutueshme para gjykatës.