E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet në Gërdec, 5 komisionerë “përlanë” 220 milionë

14/04/2009  Prokuroria përfundon ekspertizën për vlerësimin e dëmeve të 24 objekteve

Shkak për fillimin e hetimeve kanë qenë pakënaqësitë e vet banorëve të fshatit Gërdec

TIRANE- Përfundon ekspertiza e vlerësimit të dëmeve për 24 banesat që u shkatërruan plotësisht nga shpërthimi i fuqishëm i tragjedisë së 15 marsit në fshatin Gërdec të Vorës. Të dhënat e paraqitura në raportin e ekspertëve të kolaudimit të objekteve të dëmtuara, flasin se në 24 objekte janë konstatuar shkelje të rënda financiare ku shuma totale kap shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra. Mësohet se ky abuzim është kryer nga pesë komisionerët e vlerësimit të dëmeve, pas shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve. Burimet nuk pranuan të japin emrat konkretë apo gjeneralitet e para të tyre, por theksuan se fatura e këtyre dëmeve është vendosur të paguhet nga buxheti i shtetit përmes institucioneve qeveritare, ndaj abuzimi në përllogaritjen e shifrave konsiderohet vepër penale në kuptim të dëmit financiar që i shkaktohet buxhetit të shtetit. Lidhur me këtë argumentim Prokuroria e Tiranës ka vendosur të marrë si të pandehur në gjendje të lirë 5 komisionerët e vlerësimit të dëmeve duke i akuzuar ata për “Nxjerrjen e të dhënave të rreme” dhe “Abuzim me detyrën”. Burimet thanë se 3 nga ekspertët i përkasin Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, ndërsa 2 të tjerë janë pjesë e administratës së Bashkisë së Vorës.

Abuzimet

Ata bënin pjesë në grupet e vlerësimit që dolën në terren pas tragjedisë së Gërdecit dhe vlerësuan dëmet e shkaktuara nga ngjarja e rëndë. Mirëpo me një tendencë abuzive komisionerët në 24 raste kanë vlerësuar një pjesë të objekteve me ndërtim modern në shuma të vogla financiare, ndërsa në disa objekte ku ndërtimi nuk ishte i kohës, ata e kanë vlerësuar me shuma të mëdha financiare. Nisur nga kjo skemë kriminale prokurorët e Tiranës kanë urdhëruar kryerjen e një ekspertize tjetër për 24 objektet, në mënyrë që rezultatet e nxjerra të krahasoheshin me shifrat e paraqitura nga 5 të pandehurit e këtij procedimi penal. Nga llogaritja e të dhënave të dy raporteve rezultoi se dëmi financiar i buxhetit të shtetit për dëmshpërblimin e 24 personave është 220 milionë lekë të vjetra. Nisur nga kjo situatë pritet që në ditët në vazhdim përfaqësuesi i akuzës së kryeqytetit, tia komunikojë akuzat pesë personave që aktualisht janë marrë të pandehur për abuzim me fondet e dëmshpërblimit të objekteve të shkatërruar nga shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008. Shkak për fillimin e hetimeve kanë qenë pakënaqësitë e vetë banorëve të fshatit Gërdec dhe Marqinet, të cilët duke parë abuzimet e punonjësve të Bashkisë së Vorës dhe atyre të ALUIZNI-t kanë vendosur që ti drejtohen organit të akuzës, duke depozituar në të një kallëzim penal. Pretendimet e tyre janë marrë seriozisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila pas një hetim njëvjeçar mundi të identifikojë dhe të procedojë penalisht 5 të dyshuarit kryesorë të këtij dëmi financiar.

Reagimi i banorëve, shkak i hetimeve

Pakënaqësitë e banorëve sollën në verifikime e dëmshpërblimeve, por nga ana tjetër edhe nisjen e hetimeve për 5 komisionerët, të cilët dyshohet të kenë abuzuar me detyrën. Për tu ardhur në ndihmë banorëve të Gërdecit, qeveria dha 3 miliardë lekë si dëmshpërblim për të kompensuar humbjet nga shpërthimi. Fillimisht, Prokuroria hetoi 15 grupet e vlerësimit të dëmeve të caktuar nga Shtabi i Emergjencës në Bashkinë e Vorës, i ngritur menjëherë pas tragjedisë. Denoncimet e banorëve sollën zëvendësimin e grupeve me persona të tjerë, duke bërë një vlerësim të dytë të dëmeve dhe përpilimit të listave të reja. Nisur nga këto abuzime rreth 30 persona përfunduan në Prokurori për tu pyetur në lidhje me veprimet e kryera dhe janë shqyrtuar të gjitha listat paraprake të hartuara. Procesi hetimor si dhe marrja në pyetje e personave kompetentë, nxorën në pah 5 abuzuesit kryesorë të shumës prej 220 milionë lekësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›