E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risia, anëtarë të Gjykatës së Lartë, kandidatë për në KLD



Propozimi, në projektligjin e ri të Konferencës Gjyqësore. Gjyqtarët: Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë në KLD rrit cilësinë në vendimmarrje

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të jenë pjesë e kandidatëve për të konkurruar për vendet vakante në KLD. Kjo është një nga risitë e propozuara për ligjin e ri të Konferencës Gjyqësore, e cila pritet që shumë shpejt të kalojë në qeveri dhe më pas në Kuvend. Palët e interesuara kanë rënë dakord për këtë ligj të përgatitur në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkohë që të gjithë bashkë kanë rënë dakord në pikën ku si pjesë e KLD-së të jenë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Sipas burimeve të kontaktuara për këtë shtesë në ligjin e Konferencës Gjyqësore, arsyeja pse u kërkua përfshirja e kësaj kategorie gjyqtarësh është rritja e cilësisë së vendimmarrjes në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Deri tani, përzgjedhja e anëtarëve të KLD-së është bërë nga gjykatat e Shkallëve të Para dhe Apeleve, ndërkohë që nga Gjykata e Lartë vendin e përhershëm e kishte vetëm pozicioni i kryetarit, kushdo që zgjidhej në krye të kësaj gjykate. Ndërkohë që anëtarët e tjerë nuk e kishin të drejtën për të kandiduar, por vetëm për të votuar kandidaturat e kolegëve të dy shkallëve të tjera. Nëse ky projekt i ligjit për Konferencën Gjyqësore kalon në Kuvend pa ndryshime, atëherë dy shkallëve të tjerë të gjyqësorit u shtohen në konkurrim edhe kandidatë nga Gjykata e Lartë në vijimësi. Megjithatë, në KLD prej disa muajsh ka pesë vende vakante, 4 prej të cilëve u ka përfunduar mandati por do vazhdojnë në detyrë derisa të miratohet ligji, të zhvillohet Konferenca Gjyqësore dhe të zgjidhen anëtarët e rinj. Ndërsa vendi tjetër vakant i përket Kuvendit të Shqipërisë për ta zgjedhur. Konferenca Gjyqësore ishte lënë për t’u mbajtur në datat 27-28 shkurt, por nuk u arrit të zhvillohej vetëm prej mungesës së ligjit, i shfuqizuar në Gjykatën Kushtetuese. Sipas burimeve nga gjykatat, numri i kandidatëve që kanë shpallur ambicien e tyre për këto vende, si dhe kanë paraqitur kërkesën për të kandiduar, ka shkuar deri tani në 14 gjyqtarë. Në të njëjtën kohë me shpalljen e kandidaturës për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, prej kandiduesve ka nisur edhe lobimi mes kolegëve. Nga burime brenda gjyqtarëve bëhet e ditur se gara parashikohet të jetë mjaft e fortë, pasi edhe kandidaturat e deritanishme janë potenciale.

Kandidatët

Numërohen disa gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe bëhet fjalë për Artan Brocin, Gjin Gjonin dhe Artur Gaxhin. Lista e kandidatëve pasohet nga disa drejtues në gjykatat e apelit në rrethe, si Marie Qirjazi nga Gjykata e Gjirokastrës, Entela Prifti nga Apeli i Korçës, tri kandidaturat nga gjykatat e Shkodrës, që janë Hasan Selimi, Luan Dervishi dhe Lindita Hoxha, dy kandidatura nga gjykatat e Durrësit, që janë Dhurata Bilo dhe Shpëtim Reka, Ibrahim Hoxha nga Gjykata e Beratit, si dhe Agron Papajani nga Gjykata e Pogradecit. Ndryshe nga mbledhjet e tjera, pas kalimit të ligjit në Kuvend, parashikohet që kur të mblidhet Konferenca Gjyqësore të jenë pjesëmarrës të gjithë gjyqtarët në vend, përkatësisht 366 gjyqtarë, përfshi edhe ata të Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit, gjyqtarët e zgjedhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të kenë shërbyer në detyrë për të paktën dhjetë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë, me të paktën 15 vjet përvojë. Përjashtohen nga shërbimi në KLD prokurorët, “anëtarët e organeve drejtuese apo ekzekutive” të partive politike, ose ata që aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e avokatisë në Gjykatën e Shkallës së Apelit apo të rrethit.

Shfuqizimi i ligjit të mëparshëm nga Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa muaj më parë si antikushtetues ligjin nr. 9399 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, të miratuar gjatë qeverisjes socialiste. Ankimuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Kushtetuesja pranoi pretendimet e tyre për përfshirjen në Konferencën Kombëtare të Gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si dhe miratimin e një ligji që parashikon funksionimin e këtij organi me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. “Argumentet kryesore të kërkuesit lidhen me pretendimet për mosparashikimin nga ligji, objekt shqyrtimi të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si një organ gjithëpërfshirës, në përbërje të së cilës duhet të marrin pjesë gjyqtarë të të gjitha niveleve, si dhe në mosrespektimin nga ligjvënësi të procedurës së miratimit të një ligji që parashikohet në nenin 81, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës”, - thuhet në vendimin e Kushtetueses. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin nr. 9399. Kontestimi i këtij ligji erdhi pak kohë para nisjes së procedurave për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, të cilëve u mbaron mandati në shkurt dhe mars të këtij viti. Ligji në fjalë është ankimuar nga SHKGJ-ja fiks tre vjet pas miratimit të tij në maj të vitit 2005. Përfaqësuesi i saj në Kushtetuese, gjyqtari Klodian Rado, në seancën e parë të çështjes theksoi se ligji në thelb prek pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe nuk përfaqëson vullnetin e gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Pjesëmarrja, sipas tij, në Konferencën Gjyqësore e anëtarëve ex-office, pra gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetarët e gjykatave të apelit dhe të shkallëve të para, lejon mundësimin e ndikimit të ekzekutivit mbi pushtetin e pavarur të gjyqësorit. Në këtë mënyrë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimi i emrave për kandidatë të KLD-së nuk do të bëhet më vetëm nga delegatët, por nga të gjithë gjyqtarët e Republikës. Konferenca Gjyqësore është një organ i rëndësishëm i pushtetit gjyqësor, për sa kohë nga mbledhja e saj dalin 9 anëtarë të KLD-së, numër i konsiderueshëm për vendimmarrjen e KLD-së.

Kandidatët për vendet vakante

Gjin Gjoni, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë

Artan Broci, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë

Artur Gaxhi, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë

Marie Qirjazi, Gjykata e Apelit Gjirokastër

Entela Prifti, Gjykata e Apelit Korçë

Dhurata Bilo, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës

Shpëtim Reka, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës

Hasan Selimi, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër

Luan Dervishi, Gjykata e Apelit Shkodër

Lindita Hoxha, Gjykata e Apelit Shkodër

Ibrahim Hoxha, Gjykata e Shkallës së Parë Berat

Agron Papajani, Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec

Anëtarëve që u mbaron mandati

Edmond Islamaj

Admir Thanza

Besim Trezhenjeva

Armando Subashi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›