Mjekët: Operacioni ndaj emigrantes shqiptare, sukses i plotë
Gjendja e 28-vjeçares, reagoi shumë mirë pas 24 orëve
Pas tre muajsh pritet që vajza të rifillojë të ecë sërish
Greqi
Operacioni mjekësor ndaj emigrantes shqiptare, e cila para tre ditësh përjetoi një krim horror, pasi burri i saj 39-vjeçar i preu këmbët dhe duart me sharrë elektrike, ka përfunduar me sukses të plotë. Tashmë, sipas mjekëve që realizuan operacionin, gjendja e 28-vjeçares është e stabilizuar, ndërsa do të duhen edhe tre muaj të tjerë për të përcaktuar nëse ajo do të rikthehet të ecë përsëri. Sipas të përditshmes greke “Ta Nea”, mjekët në spitalin shtetëror të Athinës u shprehën se “ndërhyrja kirurgjikale ndaj pacientes shqiptare mund të quhet një sukses i plotë”. “Gjendja e saj është e stabilizuar. Tani ajo nuk ka nevojë për një ndërhyrje tjetër dhe nuk ka asnjë rrezik për shëndetin”, - u shprehën ata. Kirurgët grekë i trembeshin faktit, nëse pas ndërhyrjes në këmbë, në plagët e pacientes do të zhvillohej gangrena apo ngjitja do të kryhej në perfeksion të plotë, gjë që do të bënte që sërish ajo t’i nënshtrohej operacionit. Por, pas 24 orësh, gjendja e saj është shumë e mirë dhe rreziku për jetën mund të quhet tashmë i kaluar. Sipas mjekëve grekë, “këto operacione janë të vështira, pasi problemi nuk qëndron nëse këmbët e saj do të ngjiteshin, një herë ose disa herë, por për faktin se nëse aty do të fillonte e do të shfaqej gangrena, atëherë ata do të ishin të detyruar që t’ia prisnin më pas”. Mjekët shprehen se 28-vjeçarja shqiptare i ka të gjitha mundësitë që të rikthehet e të ecë përsëri. “Do të duhen edhe 3 muaj për të përcaktuar qartë nëse pacientja do të rikthehet në gjendjen e mëparshme dhe të ecë lirisht si më parë, por si fillim gjithçka ka nisur mirë”, - shprehen ata.
Operacioni
Ditën e diel mjekët grekë nëpërmjet një operacioni i kanë “ngjitur” sërish këmbët emigrantes shqiptare 28-vjeçare. Mjekët deklaruan pas operacionit se kishin arritur që të mbyllin plotësisht plagët, ndërkohë që do të duheshin edhe 24 orë për të përcaktuar nëse ajo do të mund të mbijetojë. Gruaja 28-vjeçare i ka këmbët e prera deri në kofshë, por edhe duart, si pasojë e përfshirjes së tyre nga një sharrë me korrent. Sipas mjekëve, gjendja e saj është kritike, për shkak të prerjes së arterieve. Ndërkohë autori i krimit, I. Ramaj doli ditën e djeshme përpara gjykatës së Kallamatës, ku mori masën “arrest me burg”. Ngjarja që tronditi opinionin grek dhe atë shqiptar ndodhi ditën e shtunë. 39-vjeçari I. Ramaj, lindur e banues në Librazhd, jetonte në qytetin e Veria-s të rajonit Makedonia të Greqisë. Ai kishte shkuar në Shqipëri para disa ditësh, ku kishte marrë fëmijët e tij, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeç, të cilët jetonin me të afërmit e tij. Një javë më parë, 39-vjeçari bashkë me dy fëmijët ka mbërritur në Kalamatë, në shtëpinë me qira në rrugën “Navarinu” në zonën e Mesinia-s, ku jetonte e vetme gruaja e tij 28-vjeçare. Një ditë përpara krimit, ai kishte blerë një sharrë elektrike me zinxhir, të cilën e kishte vendosur tek qilari i shtëpisë. Rreth orës 14:00 të ditës së shtunë, çifti kishte pasur sërish një konflikt. 39-vjeçari i kishte kërkuar bashkëshortes së tij, që të rikthehej me të dhe të mos jetonin më të ndarë. Përgjigjja negative ka bërë që ai të rrëmbejë nga oborri pranë shtëpisë së tij sharrën elektrike, dhe i ka prerë 28-vjeçares të dyja këmbët dhe të dyja duart deri lartë në krahë në sytë e fëmijëve të mitur. Më pas, të gjakosur, ai e ka marrë të shoqen e tij dhe e ka futur në qilarin e katit të poshtëm të godinës së banimit. Pas këtij veprimi, Irfan Ramaj ka marrë dy fëmijët, i ka futur në makinë dhe i është drejtuar bulevardit pranë detit, ku ka parë një patrullë policore dhe ku i ka treguar për krimin e tmerrshëm të bërë. Ai i ka çuar punonjësit e policisë tek qilari ku gjendej e shoqja. Agjentët kanë parë se 28-vjeçarja kishte shenja jete dhe e kanë dërguar atë menjëherë në spital. Për të marrë një ndihmë më të specializuar, ajo është nisur më pas në spitalin shtetëror të Athinës. Me gjithë gjendjen e vështirë, në të cilën ndodhej, ajo i është nënshtruar një operacioni, ku mjekët grekë arritën që t’i ngjisnin përsëri këmbët e dëmtuara rëndë, si pasojë e prerjes nga sharra elektrike. Ndërkohë që pas 24 orëve nga kryerja e operacionit, ndërhyrja përfundoi me sukses dhe gjendja e të resë tashëm është e stabilizuar. Mjekët grekë shprehen se nëse gjithçka shkon mirë, emigrantja 28-vjeçare shqiptare do të fillojë të eci pas 3 muajsh.