E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dëmi nga prokurimet qeveritare 1.2 miliardë lekë

07/03/2005  Ilir Bano akuzon Këshillin e Ministrave për shkeljet në proçedurat e tenderave

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për Prokurimet në Kryeministri dhe ministritë, Ilir Bano tha dje se shmangia nga tenderat e hapur në kryeministri ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 1.250 miliardë lekësh. Sipas tij, nga 40.7 miliard lekë të prokuruara nga institucionet nën hetim parlamentar, për 10.1 miliardë lekë duke përdorur proçedurat e tenderit të kufizuar. "Rezulton se në tenderat e hapur për çdo 1000 lekë të prokuruar, janë kursyer rreth 140 lekë ose 14% e shumës së vënë në dispozicion, ndërsa në tenderat e kufizuar janë kursyer vetëm 20 lekë, ose 2 për qind e shumës, ndërsa në tenderat me prokurim të drejtëpërdrejtë asnjë lek. Si pasojë e këtyre veprimeve, shteti ka pësuar një humbje shtesë nga tenderat e kufizuar dhe në kërkesën për kuotim me rreth 898 milion lekë, ndërsa në prokurimet e drejtpërdrejta 353 milion lekë. Në total kjo shumë shkon në rreth 1miliard dhe 250 milionë lekë", tha Bano. Sipas tij, institucioni që rezulton me shkeljet më të rënda është Këshilli Ministrave, i cili 77 për qind të tenderave gjatë tri viteve i ka kryer me prokurim të drejtëpërdrejtë. "Nga 290 milion lekë të prokuruara gjithsej, nga Këshilli i Ministrave në tre vjet, 224 milionë lekë ose 77,2 për qind e shumës janë prokuruar me procedurë të drejtëpërdrejtë, vlerë e cila pa asnjë justifikim ligjor ka shkuar për rikonstruksionin e ministrive. Në rast se kjo mënyrë do të shmangej, atëherë shteti do të kursente, ose më mirë të themi do të vidheshin rreth 25 milionë lekë më pak. Gjithashtu, të gjitha tenderat e zhvilluara me tender të kufizuar dhe ftesë për kuotim për tre vjet, janë fituar nga konkurentët me 100 për qind të vlerës së fondit limit", tha Bano. Kreu i komisionit, tha se humbjet më të mëdha të shkaktuara nga shmangia e tenderit të hapur janë shkaktuar nga ministria e transportit në masën 347 milionë lekë. Bano u shpreh se shkeljet, e bëra publike dje, janë vetëm një pjesë nga konstatimi, që ka bërë komisioni hetimor parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›