Dëmi përfundimtar, 4200 shtëpi
Të dhënat e fundit nga gjendja e llogarisë "Fondi për mbështetjen dhe rindërtimin e Gërdecit", flasin për një shifër që shkon në total rreth 42 milionë lekë. Të ndara në katër valuta kryesore, në llogarinë bankare të hapur nga Këshilli i Ministrave në mbështetje të familjeve të prekura nga tragjedia, shuma në lekë shkon në 11,800,390, në euro 205,962, kurse në dollarë shuma shkon në 8,950, tregues këto për ditën e djeshme. Balanca ndryshon çdo orë, por paralelisht me të rritet dhe numri i objekteve të dëmtuara nga shpërthimi i fabrikës së armëve në fshatin Gërdec, pranë Vorës. Ministria e Financës nuk bën të ditur se kush janë individët apo subjektet që kanë kontribuar në "fondin për Gërdecin", por nga shifra e lartë në valutën euro, duket se të huajt kanë reaguar më shpejt në përmbushjen e këtij solidariteti. Në përfundim të vlerësimit të dëmeve në aspektin monetar, fondi i krijuar nga donacionet dhe 6 miliardë lekët e aprovuara nga qeveria (rezerva dhe kontigjenca), do të bashkëngjiten për t‘u shpërndarë në drejtim të familjeve të prekura, në përpjesëtim të dëmit të pësuar. Lidhur me këtë të fundit, ka përfunduar vlerësimi i dëmeve nga grupet e ekspertëve të ngritura nga ALUIZNI. Sipas Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile, procesi i vlerësimit të dëmeve materiale të shkaktuar nga tragjedia e Gërdecit, me ndihmën edhe të Prefekturës dhe Bashkisë së Vorës nxjerr përfundimin se, janë dëmtuar 4200 banesa, nga të cilat 412 banesa janë shkatërruar plotësisht dhe 3800 të tjera paraqesin dëmtime të mesme apo të lehta. Gjatë ditës së djeshme ka nisur puna për vlerësimin financiar, në bazë të dosjeve të përpiluara nga grupet e ekspertëve dhe të firmosura nga të gjithë kryetarët e familjeve, pronarë të objekteve të dëmtuara.