E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demitri: “Eurobondi, nuk është një nevojë urgjente”



Ministria e Financave ndjek përditë tregjet financiare për të gjetur momentin e duhur për emetimin e eurobondit. Drejtori i Borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiri, ka pohuar dje për gazetën “Albania” se, kjo punë po bëhet në bashkëpunim me partnerët e qeverisë “JP Morgan” dhe “Dojçe Bank”, dhe sipas tij tregu ende nuk është i përshtatshëm. “Do të presim momentin që tregjet të hapen dhe normat e interesit e pritshme nga tregu është favorizuese për ne. Ky është një feed-back që ne e marrim në mënyrë konstante nga menaxherët bashkëdrejtues të transaksionit të eurobondit që është ‘JP Morgan’ dhe ‘Dojçe Bank’ dhe jemi çdo ditë në pozicionin e monitorimit të tregjeve financiare. Do presim momentin më oportun të mundshëm për ta emetuar”,- thotë Demiri. Ngutja për emetimin e eurobondit ishte për shkak se me të mund të paguhej kredia sindikale e marrë për rrugën Durrës-Kukës. Pagesa e këtij kësti disa miliona euro, së bashku me deficitin prej 8 miliard lekësh, të krijuar gjatë 4 mujorit të parë kanë vënë në vështirësi serioze buxhetin e shtetit. Por duke qenë se afati i këstit të radhës ka kaluar, Drejtori i Borxhit në MF-ë nuk sheh shkak për ngutje tjetër. “Nuk kemi asnjë urgjencë për emetimin e eurobondit. Ne do ta emetojmë në momentin që është më oportun, më i favorshëm edhe për financat publike dhe për interesin e publikut. Në rastin konkret, një nga arsyet kryesore të emetimit të eurobondit do ishte për të parapaguar kredinë sindikale që kemi marrë vjet, në një kohë shumë të vështirë financiare dhe për të përmirësuar profilin e borxhit total për sa i përket uljes së kostos së portofolit”,- thotë Demiri. Shqipëria del për herë të parë në tregjet financiare botërore dhe kërkon të emetojë një eurobond deri në 400 milion euro me normë interesi deri në 8.5 për qind. Aktualisht normat e interesit në tregje janë mbi 9 për qind. Kriza greke ka turbulluar tregjet, gjë që ka bërë që normat e interesit të rriten ndjeshëm. Ky është faktori kryesor, pse qeveria po tenton të gjenerojë të ardhura në mënyra të ndryshme, siç janë rritja e taksave apo shitja e pasurive publike, si ish-hotel “Dajti”. Viti 2009 u mbyll me një borxh prej afro 700 miliard lekë, ose 60% e prodhimit të brendshëm bruto. Interesat që duhet të paguajë qeveria kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti, duke arritur në 43 miliard lekë gjithsej. E gjithë kjo situatë do e rëndojë buxhetin e shtetit, për pagesën e tij. FMN-ja nga ana tjetër ka sugjeruar dy rrugë zgjidhje: rritje të taksave ose ulje të shpenzimeve, të cilat duket se po zbatohet të dyja nga qeveria.

Bursat në tregjet botërore shënojnë rënie

Tregjet e bursave dje shënuan rënie, ndërsa euroja iu afrua minimumit të katër viteve kundrejt dollarit nga shqetësimet për eurozonën. Tregjet që reaguan nga shqetësimet në sektorin bankar në Spanjë, gjithashtu u prekën nga mundësia për masa të reja të kursimit në eurozonë, të cilat mund ta pengojnë rimëkëmbjen e brishtë globale. Ndërkohë monedha shqiptare vijoi të dobësohet përballë të gjitha monedhave kryesore të huaja gjatë ditës së djeshme, si pasojë e forcimit të kërkesës për valutë në treg dhe ndryshimeve të forta në tregun ndërkombëtar. Leku humbi 10 qindarka kundrejt euros, duke u kuotuar në 136.95 sipas kursit mesatar të paradites që publikohet nga Banka e Shqipërisë. Kjo qe dita e gjashtë negative për lekun, i cili humbi dje edhe kundrejt dollarit. Monedha amerikane fitoi 1.11 lekë dhe u këmbye në kuotën 110.22. Ndryshimi erdhi si pasojë e rënies së euros kundrejt dollarit në tregun ndërkombëtar. Në tregun ndërkombëtar, euro ra dje në 1.2376 dollarë nga 1.2572 dollarë që ishte të premten. Euro shënoi pikën më të ulët në shumë vite të mërkurën e shkuar, në kuotën 1.2144 dollarë, por u rrit me shpejtësi në fundjavë për shkak të lajmeve spekulative që flisnin për ndërhyrje të Bankës Qendrore Europiane në treg. Sipas “Neë York Times”, investitorët duket se nuk presin rënie të mëtejshme të euros dhe kanë ulur sasinë e parave të investuara duke parashikuar rënien e euros.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 24.05.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.15%
12M 12-mujor 7.04%
6M 6-mujor 6.12%
3M 3-mujor 5.36%
1M 1-mujor 5.06%
1Ë njëjavor 4.90%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.65%
1Ë njëjavor 6.26%
o/n njëditor 6.18%
12M 12-mujor 8.74%
6M 6-mujor 7.77%
3M 3-mujor 7.09%

26 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›