Dy të vdekur, vetëhelmohet me fostoksinë 54-vjeçarja, adoleshenti mbytet aksidentalisht
DURRËS - Qyteti i Durrësit është tronditur ditën e djeshme nga dy vdekje. Një 54-vjeçare nga Shkozeti është vetëhelmuar me fostoksinë, ndërsa një 17-vjeçar nga Shijaku është mbytur në liqen. Gruaja me inicialet D. Z. i ka dhënë fund jetës mesditën e djeshme pasi është vetëhelmuar. Burime policore kanë bërë të ditur se ajo vuante nga depresioni, duke e shtyrë që t’i jepte fund jetës. Ajo ka qenë e vetme në shtëpi në momentin kur ka ndërmarrë këtë akt. Trupi i pajetë i 54-vjeçares është gjetur nga familjarët e saj. Ata janë munduar që t’i japin ndihmën e parë, por gjithçka ka qenë e kotë pasi ajo kishte ndërruar jetë. Më pas është njoftuar dhe policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast. Siç bëhet e ditur, ngjarja është klasifikuar si vetëvrasje e pastër, pasi janë gjetur dhe disa kokrra të tjera fostoksinë.
Ndërsa mbytja e 17-vjeçarit Rikardo Berhami duket se ka qenë aksidentale. Ai ka qenë duke u larë në liqenin e Keçëve kur është mbytur. Adoleshenti ka qenë së bashku me disa shokë në momentin kur ka ndodhur mbytja. Ata janë munduar që t’i japin ndihmë, por nuk kanë mundur. Më pas është kërkuar dhe ndihma e personave të tjerë dhe në vendin ku ka ndodhur aksidenti tragjik ka mbërritur dhe policia, që ka nisur hetimet. Në ndihmë të tyre kanë shkuar dhe forcat e zhytësve. Ata kanë filluar kërkimet për gjetjen e trupit të Berhamit, por deri mbrëmjen e djeshme nuk është gjetur.
Sherr në familje, 50-vjeçarja
vret vjehrrën dhe plagos burrin
Policia ka vënë në pranga Sadije Tukën, që rezulton me probleme mendore
Behare Tuka vdiq si pasojë e plagëve. Baftjar Tuka ndodhet në gjendje të rëndë
KURBIN - Një grua 80 vjeçe është vrarë dhe djali i saj 52 vjeç u plagos me një armë gjuetie në fshatin Fushë-Gjorm të Kurbinit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, kur nusja e shtëpisë, Sadije Tuka, ka marrë çiften dhe ka qëlluar ndaj bashkëshortit dhe vjehrrës. E moshuara nuk mundi të mbijetojë pas plagëve që mori, ndërsa 52-vjeçari ndodhet ende në spital, në gjendje të rëndë. Burime nga Policia e Kurbinit kanë bërë të ditur se autore e krimit është nusja e shtëpisë, e cila në kushte të rënduara mendore ka marrë armën duke qëlluar vjehrrën Behare Tuka dhe të shoqin Baftjar Tuka. Dy të plagosurit janë çuar me urgjencë në Spitalin e Laçit, por për shkak të plagëve janë sjellë në Tiranë. Nga të dhënat e policisë është mësuar se 80-vjeçarja ka ndërruar jetë në spital disa orë pas ngjarjes.
Ngjarja
Mëngjesi i djeshëm ka qenë tragjik për familjen Tuka në Kurbin. Pas një debati të bërë në familje, 50-vjeçarja Sadije Tuka ka marrë çiften që e mbanin në shtëpi dhe e ka shkrepur ndaj bashkëshortit dhe vjehrrës. Të dy janë plagosur, por plagët e marra nga 80-vjeçarja Behare Tuka kanë qenë të rënda. Si pasojë e tyre ajo ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak. Siç është bërë e ditur nga burime të policisë, autorja e këtij krimi është me probleme mendore të ardhura nga depresioni. Këtë fakt e kanë konfirmuar dhe familjarët e viktimave. Nga dëshmitë e grumbulluara është mësuar se autorja e krimit dhe familjarët e saj kishin zënka të shpeshta, të ardhura nga shkaqe të ndryshme. Ata ishin zënë dhe dy ditë më parë, ndërsa mëngjesin e djeshëm ka vazhduar sherri. Të tre familjarët kanë dalë në oborr ku kanë debatuar. Në një moment, 50-vjeçarja ka hyrë në shtëpi dhe prej andej ka dalë me armë në dorë. Ajo e ka shkrepur dy herë duke sjellë vdekjen e vjehrrës dhe plagosjen e bashkëshortit.
Arrestimi
Kur dy të plagosurit kanë mbërritur në spital, janë njoftuar dhe uniformat blu. Me të marrë informacionin, policia është nisur drejt banesës ku ka ndodhur ngjarja, duke bërë dhe arrestimin e së dyshuarës. Sipas burimeve të policisë, pas krimit të bërë gruaja 50-vjeçare ka hyrë në shtëpi dhe ka qëndruar me armë në dorë derisa është dorëzuar pas thirrjeve të policisë. Policia ka konfirmuar se ajo është me probleme mendore. E arrestuara është dërguar në ambientet e Komisariatit të Laçit ku dhe është marrë në pyetje. Ajo mësohet se ka treguar shkaqet e krimit, që dyshohet se janë zënkat e shpeshta dhe gjendja mendore e saj.
Në mbrojtje dhe një grua
Denoncon babai i 11 fëmijëve: “Më rreh vajza”
DURRËS - Dy denoncime për mbrojtje janë bërë në Policinë e Durrësit. I veçantë ka qenë denoncimi i një burri 67-vjeçar, baba i 11 fëmijëve, të cilin e rreh vajza 20 vjeçe. “Më rreh vajza ime. Më mbroni”. Ngjarja është bërë e ditur nga burimet policore të këtij qyteti, sipas të cilave, burri i moshuar është baba i njëmbëdhjetë fëmijëve dhe u është drejtuar atyre, pikërisht për të denoncuar njërin prej tyre, vajzën 20-vjeçare me inicialet K. D. Mësohet ndër të tjera se i moshuari, i cili mban inicialet F. D., me arsim 4 klasë dhe banues në qytetin bregdetar, është ankuar para forcave policore se e bija ka ushtruar ndaj tij, në mënyrë sistematike, dhunë fizike dhe psikologjike. Në polici, ku janë mësuar të dëgjojnë kryesisht raste denoncimi nga gratë kundrejt dhunës së ushtruar prej bashkëshortëve të tyre, kanë mbetur të shtangur nga një ngjarje e tillë dhe menjëherë kanë marrë masat për mbrojtjen e të moshuarit 67-vjeçar, baba i 11 fëmijëve.
Ushtrim në mënyrë sistematike i një dhune fizike dhe psikologjike, shoqëruar me rrahje, kërcënime dhe ofendime të vazhdueshme. Kjo ka qenë akuza përmes së cilës një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj pranë organeve kompetente në Policinë e Durrësit. Lajmi konfirmohet prej burimeve policore të qytetit bregdetar, duke sqaruar se kallëzuesja është nënë e fëmijëve dhe mban inicialet I. H., 41 vjeçe. Ajo u ka komunikuar policëve se bashkëshorti ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike e psikologjike duke e rrahur, kërcënuar e ofenduar sistematikisht. Ndërsa materialet procedurale i kaluan për ndjekje Gjykatës së Durrësit.
26 Maj 2010