E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia përgjysmë për asistentë pedagogët

Më dhjetë janar 2008, në të gjitha universitetet shqiptare, pas një odiseje të gjatë për organizimin e zgjedhjeve do të zhvillohet votimi për zgjedhjen e organeve dhe autoriteteve drejtuese. Ligjvënësi dhe hartuesit e rregullores për zgjedhjet janë kujdesur për të gjitha kategoritë, që bëjnë pjesë në procesin akademik. Janë kujdesur të mos lënë jashtë procesit studentët (dhe kjo duhet përshëndetur), janë kujdesur të mos lënë jashtë procesit personelin jo akademik, janë përpjekur që të mos lënë jashtë edhe administratën universitare. Sigurisht, Personeli Akademik me tituj madhorë, Profesorët dhe Doktorët e Shkencave. Këto kategori kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen.

Por jashtë këtij procesi të rëndësishëm për jetën universitare ka mbetur një kategori jo e vogël, rreth gjysma e trupës akademike, dhe jo e parëndësishme. Asistentë-pedagogët, që janë pjesë e procesit mësimor dhe kanë përfunduar studimin pasuniversitar. Këta të fundit (nëse kanë mbushur një vit punë me kohë të plotë pranë Departamentit) kanë të drejtë vetëm të votojnë (edhe kjo është vendosur me vështirësi). Por nuk kanë të drejtë të votohen. Një demokraci përgjysmë.

Sipas rregullores për organizimin e zgjedhjeve, kandidatët për organet dhe autoritetet drejtuese universitare, shef Departamenti, Dekan apo Rektor, Këshill Fakulteti, Senat Akademik dhe Këshillin e Administrimit duhet domosdoshmërisht të kenë gradën "Doktor Shkencash". Por në këtë pikë, personalisht, dhe shumë të tjerë biem dakord. Megjithëse, disa kolegë këmbëngulin që grada nuk mund të jetë kriter për një post sa shkencor aq edhe administrativ. Problemi qëndron te përfaqësimi i kësaj trupe zgjedhore në organet drejtuese të universitetit, që janë Senati Akademik, Këshilli i Administrimit, Këshilli i Fakultetit. Sidomos në dy organet e para, ku vendimmarrësi ka lënë përqindje përfaqësimi për administratën dhe studentët. Por, ndalon përfaqësimin e asistent-pedagogëve.

Përfshirja e kësaj trupe akademike do të kishte shmangur edhe rrezikun e dështimit të zgjedhjeve në disa fakultete, për shkak se nuk kanë numrin e nevojshëm të Doktorëve të Shkencave për të kandiduar për në organet drejtuese të universitetit. Kur kjo ndodh në Universitetin e Tiranës, imagjinoni se ç‘mund të ndodhë në universitetet e rretheve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›