E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes Berishes1 dhe Berishes 2

Nuk mund të harrohet kurrë ajo tufë analistësh kompetentë e të përdëllyer, që para zgjedhjeve të 3 korrikut hakateshin të na bindnin se Berisha nuk ishte më ai që kishim pas njohur, se ai përnjëmend ka ndryshuar, se është bërë një tjetër e se udhëheqësi legjendar i PD-së më në fund kishte pas nxjerrë mësime nga pësim-gabim-zullumet e ‘92-‘97-ës! Pra, asokohe, ne qytetarëve na jepeshin garancira të plota se nuk kanë për t‘u përsëritur më gjynahet e Berishës së parë, kur ky u rrëzua nga populli me armë. E vërteta është se në historinë botërore nuk ka ndonjë rast të ngjashëm, që një udhëheqës i rrëzuar me kryengritje të armatosur të rikthehet në pushtet nga i njëjti popull me votë. Nuk jam fort i sigurt nëse kjo është meritë "historike" e Berishës, e analistëve dhe e propagandistëve të tij KOP-istë, e korrupsionit të paparë të të majtëve, apo e popullit tonë me tradita të lashta dhe me shpirt të spikatur demokratik e liridashës.

Ndërkohë nuk jam fort i sigurt edhe nëse kjo na nderon ne si popull, apo në na e nxin faqen, d.m.th. na turpëron. Këtë të vërtetë me siguri ka për ta zbuluar e ndriçuar së shpejti historia e rishkruar dhe sidomos Akademia jonë e reformuar! Por çështja që ndoshta ia vlen sot për sot të hulumtohet sadopak është kjo: A ka ndryshuar apo jo Berisha? Ku jemi dhe si jemi ne pas "kohës për ndryshim" të premtuar?

Natyrisht që edhe Berisha, edhe ne, qytetarët vartës të tij, kemi ndryshuar. Këtë e dëshmon portreti i tij më i pjekur, siguria e tij prej shtetari, fjalori i tij që mbjell e ndjell përherë e më tepër lumturi për ne, qasjet e tij publike aq të merakosura për fatet e kombit, bashkëpunëtorët e tij të bindur e kokulur që e shohin në sy si profet, vështrimi largpamës prej strategu në thellësi të historisë së përtejme dhe sidomos vendimmarrjet e tij të padiskutueshme dhe të paapelueshme, tashmë nga kurrkush… Kemi ndryshuar edhe ne që rrimë e përtypim darkave e kafeneve, me qetësinë e filxhanit të kafesë, thëniet e veprimet e tij, duke nisur nga ato për "Shqipërinë 1 euro", për kombëtaren e futbollit që paskësh shitur flamurin kombëtar, për të përfunduar te deklarimet për centralin bërthamor!

Në këtë cep të botës nuk mund të mos pranosh se gjallon e gjakon një harmoni e heshtur e në lulëzim midis udhëheqësit legjendar që i vete pas historia dhe popullit të tij, i bindur deri në dhimbje…

Kështu, besoj se nuk më kundërshton dot kush po të guxoj të them se Berisha Kryeministër është ku e ku më potent, më i sigurt, më i papërballueshëm, më i pakontrollueshëm se Berisha President. Ky tani është sovrani real dhe i pashpallur i Shqipërisë demokratike! Edhe qytetari më naiv, tanimë e di se Berisha i dytë është më fuqiplotë, më autoritar, më sovran se Berisha i parë, kur e kishim President të Republikës! Jo vetëm se tani, nën sundimin e tij, nuk ka më protesta popullore, por se media tashmë është totalisht e paralizuar, ashtu si edhe opozita. Le të thotë çfarë të dojë media, karvani qeveritar me përçorin karizmatik ecën përpara, pa pasur as edhe një pengesë!

Pra, analistët kishin të drejtë. Berisha vërtet ka ndryshuar. Ka ndryshuar, sepse sapo u bë Kryeministër vërtet nuk ka më gjyqe ndaj gazetarëve, as rrahje, as burgosje! As edhe një ministër, me urdhër të shefit të madh, nuk guxon të hedhë në gjyq as për akuza e as për shpifje ndonjë gazetar! Por kjo asesi nuk është liri shtypi! Kësaj i thonë "bjerini ju legenit" sa të keni fuqi e dëshirë, sa të lodheni e të mërziteni, ne do të vazhdojmë avazin tonë të hyrjabyrjes! Kësisoj është bërë impotente tejembanë e gjithë media, e varur dhe e pavarur! Në vitet ‘90-‘97 kishte lezet të shkruaje e të thoshe në shtyp të vërtetat e hidhura, kurse tani duket sikur je një i burgosur që i bie kot më kot murit të qelisë me kokë!

Kur Berisha ishte President, vërtet kishte rrahje e burgosje gazetarësh, djegie gazetash, por ama Fjala e shtypit kishte ndikim tronditës te qytetarët, kurse tani, hëm, tani mund të thuash që familja e Kryeministrit është bërë milionere, se ajo bën të gjitha emërimet e ç‘emërimet në këtë vend, e kjo të duket një gjë më se normale, krejt e rëndomtë… Në Shqipëri nuk ka as edhe një rast që qeveria, Kryeministri, ministrat e zyrtarët e lartë t‘i përgjigjen publikut për akuzat që ngrihen në shtyp. As Prokuroria (natyrisht ajo e djeshmja) nuk do të guxonte të hapte gojën për ndonjë politikan! Për këtë arsye ka fituar imunitet edhe ai që quhet opinion publik! As këtij nuk i bën më përshtypje as edhe një akuzë, apo çështje e ngritur në shtyp! Shtypit shqiptar i është "lagur baruti"… Ec e mos thuaj që Berisha nuk ka ndryshuar!

Le të kundërshtojë opozita, daç të dalë nga Kuvendi, daç edhe t‘u bjerë daulleve apo bilbilave, daç të kërcejë pupthi mbi podiumin e Jozefinës, prapë do të vijë, do të ulë kokën si qengj, madje do të japë votat e nevojshme për qeverinë, e paskësaj Berisha do t‘i bëjë sërish thirrje për bashkëpunim, për reforma, për "konsensus"… Ai do të gjejë patjetër një rast që të dëshmojë respekt e dashuri për Fjalën e lirë dhe veçanërisht për opozitën, si "vlera të padiskutueshme në demokraci"!... Po se mos ka ai faj që opozita dhe media janë kaq të dobëta e kaq të pafuqishme!? Nëse dje Berisha e rrihte në sheshin "Skënderbej" opozitën që donte të protestonte, sot ai jo vetëm që e përkëdhel, po edhe e fton nga ballkoni i Kryeministrisë të bëjë sa e kur të dojë protesta në çdo cep të Shqipërisë!

A mund të përfytyrohet që në vitet kur Berisha ishte President, një OJF të guxonte të varte në mur një parullë të madhe, përballë shtëpisë së tij, ku të shkruhej me germa të mëdha: "Mirë se vini në Saligrad!" dhe udhëheqësi të mos tronditej? Berisha, të paktën dy herë në ditë, kur del nga shtëpia e vështron këtë parullë e buzëqesh, ndoshta edhe e përshëndet me dorë çdo mëngjes parullën dhe ata që e kanë shkruar e fotografuar atë në mur, bashkë me portretet e Hoxhës, Stalinit dhe Çavezit! Ja pra, edhe Çavezi dështoi me referendumin, ashtu si dështoi Berisha President me referendumin për Kushtetutën, kurse sot as që mund të përfytyrohet një dështim i Berishës Kryeministër!… Kjo do të thotë, as më pak e as më shumë se Berisha Kryeministër, pavarësisht nga dispozitat kushtetuese, është shumë më fuqiplotë se Berisha President!

Ja përse Berisha aktualisht me të drejtë ndjehet dhe realisht është sovrani i vërtetë i Shqipërisë! Jo vetëm se Kryeministri mundi të zgjedhë President ish-vartësin e tij, jo vetëm se ai hoqi Kryeprokurorin, jo vetëm se ai ndërroi KD të RTSH-së dhe të KKKRT-së, jo vetëm se ai vuri në krye të KLD-së njeriun më besnik të tij, ish-kryetarin e ZMQ-së, d.m.th. të Zyrës për Mbrojtjen e Qeverisë, por se atë aktualisht nuk ka më asnjë institucion, as edhe një media, apo qoftë edhe parti opozitare që ta kontrollojë, d.m.th. ta bëjë zap! Ai do të festojë me madhështi 20-vjetorin e tij në pushtet, i qetë dhe i lumtur, pasi qysh tani e ka të larë fytyrën para historisë për mysybetet e ‘97-‘98-ës, gjë që, tekefundit do të thotë se ai ka plotësisht të drejtë t‘u bëjë karshillëk jo vetëm qytetarëve, po edhe Mbretit Zog, edhe sekretarit të tij të parë Hoxha, duke u thënë në heshtje: Unë isha më i fuqishëm se ju, më sovran se ju, sepse sundimin tim absolut unë nuk e realizova me dhunë, si ju, por me "votë" të lirë dhe demokratike!

As në partinë e tij nuk bëhet më fjalë që të ketë zëra kundër apo ndryshe. Qëkur Berisha është bërë Kryeministër nuk kemi parë as formalisht ndonjë forum partie që të mblidhet e të vendosë, qoftë edhe formalisht për çështje të rëndësishme… Jo, kjo ndoshta nuk është plotësisht e vërtetë, pasi ne kemi parë që kryesia del e shprehet "unanimisht" (nëpërmjet gojës së një zëdhënësi) për ndonjë ministër apo kryetar grupi të deputetëve, pasi ky ka nisur punën pranë Kryeministrit… Por ama nuk kemi parë që të zgjidhet as edhe një prej nënkryetarëve të partisë që mungojnë (në vend të Topit apo Topallit), nuk kemi parë e as kemi për të parë as edhe një votim direkt, as edhe një mbledhje formale të forumeve të partisë në qendër e në bazë… Në PD-në e sotme mesa duket nuk ka e as nuk ka pse të ketë statut e rregulla staturore! Ka vetëm Berishë! Pa të nuk ka PD! Rregull quhet rregull vetëm ai që pranon Berisha! Ka PD se ka Berishë! Ka qeveri se ka Berishë! Pa të as edhe një qeveri e tillë, si kjo e sotmja, nuk mund të qëndrojë në këmbë as 24 orë! Parulla e Majakovskit "Thuaj Lenin e nënkupto partinë", është realizuar në PD-në e sotme mrekullisht! Pra, është e vërtetë ajo që na patën thënë e premtuar analistët se Berisha përnjëmend ka ndryshuar. Ka ndryshuar edhe se kur ai ishte President Republike prej PD-së së tij dolën disa fraksione, disa parti, kurse tani ai jo vetëm që e vë në rresht koalicionin e tij me një të rënë të celularit, por ka mundur, me një lehtësi të admirueshme, të ngrijë jo vetëm Ngjelën, por të ngrijë e të transformojë, sikurse na pat premtuar, në një OJF mjerane gjithë opozitën, duke arritur të franksionojë jo vetëm PS-në, por Shqipërinë e sotme demokratike, ku në të vërtetë nuk ka as pozitë, as opozitë, as Parlament, as grupe parlamentare. Tani ka vetëm Sali Berishë!

***

Për të kuptuar sa më qartë ç‘ka u tha më sipër, ndoshta ia vlen të tregohet një ndodhi që ka ngjarë në ditët e festimeve të Flamurit në Vlorë.

Një piktor i njohur shoqërohej te Sheshi i Flamurit, teksa po mbaheshin fjalimet e rastit, nga shefi i rekrutimit të qytetit. Për të bërë shaka, piktori i tregon shefit të rekrutimit një kolegun e tij: Shko e trembe pak atë mikun tim atje, thuaji se i ka dalë emri për ushtar, se ai nuk ka pas bërë ushtri…

Dhe oficeri i rekrutimit i afrohet të panjohurit dhe i thotë seriozisht: Më njeh mua?

- Po, të njoh, ti je shef i rekrutimit…

- Ty të ka dalë emri për ushtar, se nuk e ke bërë ushtrinë, apo jo?

Qytetari e pranoi që nuk e kishte pas bërë ushtrinë, sepse "unë kam mbaruar shkollën e lartë, Akademinë e Arteve dhe se… se tani unë jam gjysh, jam mbi gjashtëdhjetë vjeç, kështu që sikur nuk ka lezet që … ndaj", etj., etj. Por shefi i rekrutimit i tha prerë: Nuk di unë, ti nuk ke bërë ushtri, ligji është ligj, ne do të të marrim ushtar!

Kur miku i tij që kishte sajuar këtë shaka pa nga larg se kolegu i tij ishte trembur më shumë se ç‘duhej, afrohet, e qetëson dhe i thotë që kjo ishte një shaka e paskësaj e provokon: Po si e hëngre, o burrë i dheut që do të të mirnin ushtar!?

Dhe kandidati për rekrut i thotë seriozisht: Po pse, nuk e dini ju se po iu mbush mendja Salës, a thua nuk të merr për ushtar?! Ushtar ku ta gjesh, po po iu mbush mendja për të të rrasur në burg si i korruptuar, meqë tash ne zumë vendin e tretë në botë për korrupsion dhe atij po i kërkohen nga Brukseli shembuj konkretë të luftës antikorrupsion! Ǒmund të bësh në burg, edhe po dole i pafajshëm si Nano, edhe po pagove një avokat të shtrenjtë e të dalësh para kohe një ditë?!

Sa para bën, thonë të moçmit tanë, burgun e ke se e ke ngrënë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›