Një femër në ditë
Kurdoherë m‘i kanë grishur kureshtjen dhe hormonet, historitë e haremeve, ato të sulltanëve aziatikë me aq shumë femra, sa për të populluar një pallat të tërë e shtretër pa fund. Një femër në ditë dhe ... sigurisht, disa syresh që mbeten pa "risk", sepse madhëria mund ta bëjë dhe ndonjë ditë pushim. Babëzi njerëzore? Shthurje emocionale, orgazëm e shumëfishtë pushteti që veç ne burrat e kemi? Duhet të jetë diçka e errët dhe okulte, përderisa rrëfenjat me një femër çdo ditë, kanë veç seksit e grykësisë edhe vdekjen brenda. Histori si "Njëmijenjë netët", ku Shahriari i vriste virgjëreshat e tij të përnatshme. Disi më ndryshe, por me ngjashmëri periodiciteti, historia shqiptare e bajlozit të Gjergj Elez Alisë që kërkonte çdo ditë një dash me pjekun e një femër me... (megjithëse, më fisnik ish-bajlozi ynë se sundimtari pers, ngaqë mjaftohej të priste veç koka burrash e idealisht, po aq të tillë "mbillte", si për të shëmbëllyer përpjekjen historike të "përdhosësve" të huaj për të na përmirësuar racën). Në çdo rast, shpagimi i seksit del se na qenka vdekja.
Në një rastësi të tillë, të një cinizmi brutal, nga ai që zaret e fatit luajnë me ngjarjet e ngjashmëritë absurde, ne po i kemi këto femra çdo ditë, me vdekjen e tyre të paralajmëruar e krimin e mishit, veç të hamendësuar. I vrasim më së shumti për "nder": për "kurvëri" të provuara a të supozuara, për xhelozi të verbëra, për dashuri të papërmbushura. I vrasim se nuk i bëjmë dot pronë, se nuk i dominojmë dot. Sepse duam t‘i pushtojmë, por i duam edhe të virgjëra. I duam përjetësisht tonat edhe kur s‘na duan më edhe kur s‘i duam më. Sepse jemi veç ca diktatorë në miniaturë, të ndyrë e të veckël. Ca vrasës të fëlliqur frikacakë, që zvarritemi çarçafëve me thikë në dhëmbë e mullarëve me kallashnikov ndër shalë, për të masakruar gruan, dashnoren apo motrën.
Ndoshta edhe Berisha e kuptoi këtë kur propozoi burgim të përjetshëm për ata që vrasin familjarët, ndonëse nuk shpjegoi si do t‘ia bëjë me ata që, bashkë me gruan, vrasin edhe veten, duke shpresuar ndoshta për një stinë të përbashkët në ferr. Kë do të dënojë ky në këtë rast, kur gjykimi ka kaluar në duart e Zotit? Dhe a del plumbi kurdoherë me plumb? A shmanget çmenduria me hekura burgu? A ka plumb aq të shndritshëm sa të vrasë xhelozinë negër të Otellos? Vetë Kryeministri mund të kishte dhënë një tjetër shembull, duke shtyrë reformën gjinore për më shumë femra në politikën aktive. Në vend që të hedhë gurin e parë, ai duhet të vendosë tullën e parë të ngrehinës së një demokracie që duhet të jetë edhe gjinore.
Dhe vrasjet, jo gjithnjë janë "krime erotike". Vrasin njerëzit nga varfëria, nga skamja, nga poshtërimi i përditshëm, nga dëshpërimi pa kufi e pa kuptim. Psikoza njerëzore mund të ndikohet edhe nga ç‘sheh lart, tek ata që e qeverisin. Dhuna e lidershipit ka pushtuar shtypin e ka errësuar ekranet. Dhuna është kurdoherë një infeksion ngjitës. Në një vend ku gjuhët ushtarake të politikës këngëzojnë ligjërata me ritme luftarake, parakalime rrokjesh e akuza si toga pushkatimi, qytetarët nuk mund të gjejnë paqe brenda vetes. Nuk mund të gjejnë paqe në familje për sa kohë ka despotizëm në udhëheqje. Sigurisht nuk ka kush ta japë shembullin, kur në Parlament janë gjithsej 7 femra që jo vetëm dëgjojnë sharje të ndyra nga kolegët deputetë, por rrezikojnë edhe të rrihen, kur kordonët e sigurisë nuk i frenojnë dot agresorët meshkuj. Këta të fundit kanë organikisht disa të drejta më shumë, përderisa natyra apo Perëndia i ka bekuar me diçka tepër të veçantë mes shalëve.
Dhe natyrisht politikat e planet e veprimit për probleme të tilla, kurdoherë do të mungojnë, për sa kohë shumica dërrmuese e atyre "organikisht të bekuar" do t‘i konsiderojnë këto probleme, "muhabete grash". E vërteta është se maskilizmi politik shqiptar ndjen përbuzje ndaj femrave. Janë po këta burra atje lart që përfaqësojnë ata maniakët vrasës atje poshtë. Por, natyra ka dhe hakmarrjet e saj të vogla, për shembull, kur ndonjë nga këta xhelozët, vetë na del edhe pak homoseksual. Por, kjo është tjetër histori. Historia e vërtetë është ajo që shohim, dëgjojmë e lexojmë çdo ditë. Historia e vërtetë nuk është aspak ekzotike. Nuk ka sulltanë të sëmurë romantikë apo bajlozë që dalin nga deti. Është thjesht makabër. Është thjesht një harem vdekjeje, një pishinë gjaku, ku lahen virgjëreshat e epsheve tona. Nënat, vajzat, motrat e të dashurat. Sigurisht lahet edhe ndonjë Hamlet pederast me pushkë model 56 në dorë.
Nuk zhbëhet kjo as me burgim të përjetshëm, as me fushata publicitare ku u thuhet burrave të mos i rrahin gratë, e grave, të mos lejojnë që burrat t‘i rrahin. Sepse meqë jemi në këtë pikë, le të sponsorizojmë një fushatë që mbi sëpata, kazma e lopata të vendoset një pllakëz metalike: "Përdoret ekskluzivisht për të punuar. Mos vrit gruan me të!"
Që ky vend të mos hyjë brenda pak vitesh në ndonjë "hitpareid" sondazhi gravrasësish, në tre klasifikimet e para, pas ca shtetesh që edhe emrat mund të mos ua shqiptojmë dot mirë, duhet bërë diçka më serioze, diçka e vërtetë. Duhet një edukim kombëtar, në shkolla, në rrugë, në punë... kudo. Duhen nisma si ato të gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore, që ende sot dërgojnë fëmijët në kampet-muze të përqendrimit, për të mësuar dhe për të mos harruar kurrë. Ne nuk mund t‘i harrojmë këto gra. Të paktën, pasi i vramë të mos ua përdhosim edhe kujtimin. Të paktën, të shpëtojmë ato që ende nuk i kemi vrarë. Të mos kemi një femër të vdekur çdo ditë.