E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjysme te vertetat

"Studentët ëndërronin një Shqipëri si e gjithë Evropa. Nuk e kemi realizuar ëndrrën e studentëve, por jemi shumë afër realizimit të saj". Kryeministri Berisha, vetë protagonist në ngjarjet e dhjetorit 1990, ka shkuar, si shumë të tjerë, në ekspozitën fotografike që përkujtonte ata, të cilët asokohe nisën të quhen "dhjetoristët".

Fjalët e një Kryeministri, sidomos të një protagonisti të ngjarjeve të vrullshme të asaj kohe, duhen parë me kujdes, madje edhe me respekt. Nuk është e thënë që një Kryeministër të gabojë përherë, sikurse jemi mësuar ne. Jo. Ka raste, që një politikan, qoftë ky edhe Kryeministër, të jetë i sinqertë. Dhe ja ku jemi në një pikë ku mund të shënojmë një arritje të madhe për vendin: Dikush nga politika ka arritur në një gjysmë të vërtete! Nuk është krejt e vërteta, por sidoqoftë edhe gjysma e saj na hyn në punë dhe duhet shënuar.

Ajo që Berisha tha në gjysmë të vërtetën e tij, është se Shqipëria në këta 17 vjet ka bërë hapa përpara. Nuk mund të ishte ndryshe me një popull që ishte i aftë, sikurse e kanë provuar shumë tragjedi, edhe të kaptonte male e dete vetëm e vetëm që më në fund të shijonte lirinë e mohuar që prej dekadash, apo shekujsh. E kështu që nga ajo revoltë studentore nisi të marrë jetë Shqipëria tjetër, ajo e sukseseve të mëdha, por njëherazi edhe e mëdyshjeve dhe zhgënjimeve.

Më 1990-ën e kishim në kokë një model të qartë. "Duam të jemi si Evropa", thamë asokohe, duke mos e ditur, se që të jesh i tillë duhet të kesh edhe një histori të ngjashme me të dhe, sidomos, burra që shohin për nga progresi dhe jo për nga xhepi i tyre. Ato që duhet të na shqetësojnë sot janë jo gjysmë të vërtetat e ditura, se sa ato që nuk thuhen askurrë, kushdo nga palët të jenë në pushtet.

Ne bëjmë ceremoni, ngremë flamurë, i mbledhim edhe një herë ish-studentët, disa prej të cilëve u kanë rënë tashmë flokët, kujtojmë njerëzit që nuk janë më mes nesh, porse gjithmonë themi vetëm gjysmë të vërtetat që na interesojnë ne dhe fshehim pas shpinës ato që nuk na interesojnë, ato të cilat nuk duam t‘i dëgjojmë.

Askush në 8 dhjetorin që kaloi nuk u tha drejtuesve të këtij vendi se 17 vjet në jetën e një populli mund të jenë pak nëse i krahasojmë me shekuj apo me periudha historike, por janë shumë nëse i krahasojmë me jetën e një brezi, i cili pret reforma të thella, reale, të ndjeshme, të shikueshme, të prekshme. Askush nuk u kujtua t‘i thotë ndonjërit nga ata që mbanin fjalime ngazëllyese se jemi shumë larg ëndrrave që ai vetë kishte pasur këtu e 17 vjet më parë. Një ëndërr, në mos qoftë një makth, është kaherë e bukur. E kini vënë re se një ëndërr nuk ua themi gjithnjë kujtdo. Njësoj si një individ edhe një popull ia beson ëndrrën e tij atyre te të cilët ka më shumë besim. Pastaj rri e pret nëse ajo që i ka shkuar ndërmend, ndërsa shiu përplasej fort në xhamat e dritares së tij, mund të bëhet realitet apo jo. Kështu ka ndodhur edhe me ne. Patëm një ëndërr, ua besuam disa njerëzve dhe tani rrimë e presim me sytë nga ekrani se çfarë po ndodh me atë që ne guxuam më në fund ta çonim nëpër mend.

Një gjysëm e vërtetë është ajo që tha Berisha dy ditë më parë. Vërtet jemi më afër ëndrrës së kahershme të studentëve. Porse gjysma tjetër që nuk u tha është që jemi jo afër realizmit të saj, porse shumë larg, për fat të keq. Ajo ka mbetur, mbase më shumë se përpara, një njollë e bardhë, që e shohim përditë, porse nuk e prekim dot. Të shkosh në Europë nuk do të thotë vetëm të bësh ligje dhe të hartosh dokumente të kopjuara nga ekspertë masteroidë. Kjo është një gjë e mirë, porse nuk mjafton. Me pak fjalë, nëse mbahemi vetëm këtu kemi thënë një gjysëm të vërtetë dhe gjysëm e vërteta ka gjasë që të shkasë kollaj në një gjysëm gënjeshtër.

Nuk shkohet në Europë duke pasur një armatë të tërë me të varfër. Nuk shkohet kah ëndrra duke marrë me vete një turmë më analfabetë, që rritet përditë. Nuk shkohet në kontinentin e vjetër duke tërhequr mëri të vjetra, një tufë me spiunë të pademaskuar dhe duke u kthyer sërish në rrugët e përbaltura. Nuk shkohet nga ajo anë e njerëzmit, së cilës i ka ecur mbarë, duke luajtur vetëm servilin e pafund dhe rolin e një shteti të vogël satelit. Evropa, ajo e vërteta, po të lemë mënjanë Karlin e Madh dhe shekullin e VIII-të, ka lindur në kohën e Rilindjes, në kohën që vlerësoi njeriun, mendjen e lirë, talentin, artin, shkollën, barazinë dhe harenë e të jetuarit. Europa në thelbin e saj ka respektin ndaj tjetrit, atij që mendon ndryshe. Pa hidhini një sy se çfarë bëjmë ne me ata që mendojnë ndryshe nga ne. Jo vetëm nuk u flasim, jo vetëm i shohim vëngër, porse i hedhim edhe në rrugë duke i privuar fëmijët e tyre nga buka e përditëshme. Dhe këto gjëra nuk ndodhin rëndom në Europë. Ndodhin në ndonjë kontinent tjetër, porse kurrsesi në atë pjesë të dheut që e kemi vetëm pak kilometra larg nga vetja.

Studentët e mbarë nuk kishin ndërmend që të shkonin në Europë me fytyra të ngrysura dhe shikime të inatosura në një vend pa drita. Kur ata u ngritën në protesta nuk kishin ndërmend që të inatosnin shqiptarët me njëri-tjetrin. Përkundrazi, kishin ndër krye një imazh tjetër të Shqipërisë. Atë të një vendi ku të gjithë mund të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, qoftë edhe duke menduar ndryshe. Porse, dhe kjo ndodh rëndom kur ëndërron shumë, dikush tjetër vjen e të vjedh ëndrrën, dhe pastaj nis e thotë gjysmë të vërteta, duke fshehur kështu gjysmë gënjeshtrat. Dhe këto gjëra bëjnë qqë ëndrra e vjetër e një populli të tërë të jetë me kilometra e kilometra larg realizimit. Andaj gjërat duhet t‘i themi troç, njësoj sikurse ëndërronin studentët e dhjetorit të 90-ës: Vazhdojmë të ëndërrojmë njësoj si ata në atë kohë dhe u kemi atyre një borxh të madh, atë që nuk u kemi thënë asnjëherë të vërtetën, por kaherë vetëm gjysmë të vërteta, apo gjysmë gënjeshtra. Merreni si të doni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›