Morati: Nuk jam takuar me Murinjon
Presidenti i Interit, Masimo Morati, i ka cilësuar si shqetësuese spekulimet e mediave për një takim të tij me Hoze Murinjon, ku mendohej t‘i kishte ofruar portugezit stolin e zikaltërve. Kreu i zikaltërve ka saktësuar nëpërmjet një deklarate për shtyp se gjithçka kishte qenë thjesht një trillim i mediave dhe se mes palëve nuk kishte pasur asnjë kontakt. "Në kundërshtim me atë që shkruhet në një gazetë kombëtare, presidenti i Interit, Masimo Morati, përgënjeshtron kategorikisht një takim me Hoze Murinjon për ta sjellë në Milano gjatë vitit të ardhshëm. Bëhet fjalë për një lajm fals dhe të paverifikuar që cilësohet si shqetësues nga klubi", shkruhet në deklaratën për shtyp të publikuar në faqen e internetit të skuadrës zikaltër. Me këtë përgënjeshtrim, Morati ka dashur të qetësojë trajnerin Mançini, i cili nuk rrezikon vendin e punës.