E Diel, 1 Nëntor 2026

“Demokracia shqiptare nuk duhet t’u nënshtrohet dëshirave dhe tekave të një maniaku për pushtet”

23-05-2011 / Gazeta 55

Gara për Tiranën, reagojnë edhe shoqatat e ish-të dënuarve politikë

Nisur nga tensioni post-zgjedhor në vend, shoqatat e ish-të dënuarve politikë kanë dënuar qëndrimin e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, duke i kërkuar mazhorancës aktuale dhe kandidatit të saj Lulzim Basha të mos tërhiqen nga parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Në këtë reagim që mban firmën e Shoqatës Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë të Shqipërisë, Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Shqipërisë dhe Shoqatës Kombëtare të Dëbim-Internimeve të Shqipërisë thuhet se zgjedhjet e 8 majit ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, ndaj dhe Edi Rama nuk mund të kërkojë në mënyrë antiligjore zgjatjen e mandatit të tij.
“Në këto çaste të vështira që po kalon vendi ynë, për shkak të veprimeve të papërgjegjshme e antiligjore të forcave destruktive të majta, shprehim qëndrimin tonë të palëkundur, në mbrojtje të vlerave demokratike dhe kundër orvatjeve të Edi Ramës e të pasuesve të tij, për përjetësimin e pushtetit vendor”, thuhet në deklaratë.
Ish të dënuarit politikë janë të mendimit se fituesi legjitim është ai që del mbas numërimit deri në fund të votave dhe mbasi të jetë shpallur e certifikuar përfundimisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas tyre vonesa e dhënies së këtij vendimi, është për arsye të mangësive të Kodit Zgjedhor, të hartuar nga vetë socialistët e të miratuar nga të dyja forcat politike kryesore. Ata kërkojnë që demokracia shqiptare të mos i nënshtrohet siç thuhet në deklaratë, tekave për pushtet të Edi Ramës. “Ajo që duam të theksojmë është se nuk duhet nënvleftësuar situata aktuale pas zgjedhore. Demokracia shqiptare nuk duhet t’i nënshtrohet dëshirave dhe tekave të një maniaku për pushtet, siç është kryetari i Bashkisë dhe i Partisë Socialiste, Edi Rama. Atij i duhet bërë e qartë se nuk është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të jetë kryebashkiak i përjetshëm i Tiranës. Me Edi Ramën në krye të Bashkisë dhe të PS-së, Tirana dhe Shqipëria nuk do të kenë kurrë paqe e përparim”, theksohet më tej në deklaratën e shoqatave të ish-të dënuarve politikë.
Më tej shoqatat e ish të dënuarve politikë shprehin keqardhjen, që disa nga përfaqësuesit europianë, të cilët i kanë ndjekur hap pas hapi zhvillimet politike në Shqipëri dhe procesin zgjedhor, të vlerësuar pozitivisht, janë përkulur sipas tyre përpara presionit dhe kërcënimeve të Edi Ramës.
Duke iu referuar letrës që Ismail Kadare i dërgoi Lulzim Bashës, ish- të dënuarit politikë shprehen se janë qytetarët që vendosin për tërheqjen ose jo nga gara të Lulzim Bashës. Shoqatat e ish të përndjekurve i kërkojnë koalicionit “Aleanca për Qytetarin” të mbrojnë me vendosmëri votat e fituara dhe parimet demokratike si dhe të mos i hedhin poshtë përpjekjet dhe energjitë e shpenzuara gjatë kësaj fushate zgjedhore të cilësuar si madhështore. “Ka ardhur koha kur këto forca mbarë-popullore ta tregojnë ekzistencën e tyre e të mos tërhiqen përpara shantazheve, dezinformimit e presioneve të forcave të errëta destruktive, të udhëhequra nga Edvini. Qeveria dhe shteti demokratik, duhet ta përdorin pa ngurrim forcën e ligjit e të mos lejojnë aktet vandaliste të elementëve me precedentë penalë, të cilët drejtohen nga disa deputetë social-komunistë, që pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe çrregullojnë rendin publik”, përfundon deklarata e tre shoqatave të ish-të dënuarve politikë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›