“Edi Rama është lutur që t’i dhurohet bashkia e Tiranës”
Deputeti i PD-së, Edi Paloka
Deputeti i PD-së, Edi Paloka ka deklaruar dje gjatë një komunikimi me mediat se procesi i numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara, është plotësisht i rregullt. Paloka, ndërsa thekson se KQZ po zbaton ligjin me përpikëri, fajëson Edi Ramën kur thotë se po proteston dhe zhurmon pa një objektiv të qartë. Ligjvënësi demokrat, Paloka, deklaroi se votat e hedhura në kutitë e gabuara duhet të numërohen patjetër.
“Deputetët e PS-së këto ditë që KQZ po numëron votat e hedhura në kutitë e gabuara, kanë kontestuar votat që janë në favor të Bashës, por nuk kanë kontestuar votat e Ramës. Rama është lutur që t’i lihet Bashkia, në të gjithë konferencat e tij, se nëse i jepet ai do të jetë i urtë dhe bashkëpunues, në të kundërtën , ai do të bëjë këtë që po bën”, tha Paloka.
Deputeti Paloka deklaroi se Rama përfiton nga mosdija e qytetarëve dhe bën interpretime.
“Ai do të krijojë idenë tek qytetarët si atij i janë bërë manipulime, se i janë vjedhur votat duke u viktimizuar”, tha Paloka.
Ai deklaroi gjithashtu se pamja e shëmtuar ku deputetë të PS-së kërcenin mbi kokat e policëve për të kaluar gardhin e KQZ-së, i ka bërë ata të dalin jashtë vetes, por kështu kanë qenë urdhëruar nga Edi Rama dhe s’kanë pasur rrugë tjetër.
“Ishte e turpshme të shihje një pamje të tillë. Megjithatë ata ishin të urdhëruar të demonstronin një akt të tillë, edhe pse me vete morën turpin në sytë e të gjithë shqiptarëve”, deklaroi deputeti Edi Paloka.
Opozita vazhdon të protestojë në ambientet e jashtme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në shenjë pakënaqësie se, pse po lexohet vota e qytetarëve të Tiranës.
Edhe pse ditë pas dite po vërehet një zbehje graduale e mbështetësve socialistë, kërcënimet destruktive të Edi Ramës, janë të natyrës se, do të përshkallëzojë “revoltën popullore” në mbarë vendin. Por, ajo që edhe kuptohet në rastin konkret ka të bëjë me braktisjen totale të kauzës së Edi Ramës, në kërkim të së “drejtës së mohuar”.
Qytetarët janë të ndërgjegjshëm se verdikti i tyre ka qenë “shuplakë” për kryetarin e papërgjegjshëm, i cili s’do mund të drejtojë më bashkinë më të madhe në vend.