E Hënë, 2 Nëntor 2026

Demokratët akuzojnë TVSH për njëanshmëri

06/05/2005  Partia Demokratike ka akuzuar për njëanshmëri të theksuar Televizionin Publik shqiptar në transmetimin e kongresit të Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë një fenomen si të kohës së Enver Hoxhës. TVSH, sipas ligjit, duhet të jetë i paanshëm në kohën e transmetimit, për vetë faktin se buxheti financohet prej taksave të shqiptarëve dhe jo prej investimeve private. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në PD, Spartak Ngjela, është shprehur se qëndrimi i vënë re dje "përngjan me tentativat naziste dhe staliniste të propagandës". Në këtë mënyrë, ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë që të abuzojë me taksat e shqiptarëve. "Mund të them se është stili tipik, me anë të cilit Enver Hoxha mendonte se po luftonte imperializmin amerikan. Me pak fjalë, ata nuk bënë gjë tjetër vetëm se u kthyen në origjinë", tha Ngjela. Reagimi i Ngjelës ka qenë dhe më i ashpër në faktin se në periudhën e pushimit të Kongresit socialist, TVSH nuk ka ndërprerë transmetimin e drejtpërdrejtë, duke dhënë në ekran vetëm siglën e PS-së. Ndaj kjo është cilësuar një fushatë e padrejtë prej vetë TVSH-së. Vetëm dy ditë më parë, zëdhënësi i PD-së, Edi Paloka ka akuzuar për njëanshmëri drejtorin e TVSH-së, Artur Zheji, pasi gjatë zhvillimit të Kuvendit të PD-së, TVSH ka dhënë vetëm pak minuta lajme në lidhje me këtë aktivitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›