E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sharoni bën mirë të dëgjojë”

06/05/2005  Në një intervistë ekskluzive, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite ka thënë se lidhjet ndërmjet Uashingtonit dhe Riadit janë rikthyer në binarë, çmimet e naftës duhet të ulen dhe Kina është një aktor i ri strategjik në rajon

Po ju kujtoj që Arabia Saudite është e angazhuar në reforma. Eshtë një vend që ndryshimin e ka si natyrë të dytë: është rritur nga një shoqëri tribush në një shoqëri moderne; ka lëvizur nga mungesa e arsimit, tek arsimi universitar. Por, nuk mund të kesh një shkop magjik për të ndryshuar gjithçka. Ndryshimi që ndodh rrëmbyeshëm, ose që ndodh për shkak të importimit të ideve të huaja mund të çojë në shkatërrim. Këtë e kemi parë në Iran, Afrikë e raste të tjerë. Ne nuk duam të eksperimentojmë me popullin tonë

Princi Saud al-Faisal ka lënë gjithmonë një përshtypje elegante, por ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite dukej veçanërisht i lirshëm me një kostum puplin, një kravatë të mëndafshtë teksa priste vizitorët në apartamentin e tij në Paris. Sapo ishte kthyer nga Teksasi, ku kishte qenë pjesë e delegacionit të udhëhequr nga Princi i Kurorës, Abdullah, në takimet “në fermë” me Presidentin George W. Bush. Tashmë, ai do të nisë një seri udhëtimesh për në Marok, Egjipt, Siri dhe pika të tjera.

Lajmi i mirë, thotë Princi Saud, është se marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara janë rikthyer në binarë dhe po forcohen. Tensionet e viteve të fundit janë zbehur: fakti që 15 nga 19 rrëmbyesit e avionëve më 11 shtator ishin nga Arabia Saudite; fjalimet e ashpër kundër sauditëve (dhe lidhjet e tyre me Bushët) nga personazhe, që variojnë nga regjisori Michael Moore deri te veterani i CIA, Robert Baer, janë lënë në hije. Teksa u ulëm të dy në karriget antike franceze, pranë një dritare që shihte nga një park parizien, më tingëlloi sikur politika amerikane kundrejt Lindjes së Mesme po kishte prirje të njiohura tashmë: Izraeli po kërcen në njërin cep, sauditët në tjetrin, dhe Uashingtoni vazhdon të përpiqet që të ruajë një lloj ekuilibri në mes.

Sauditët duket se ndiejnë që u ishte lënë të thoshin fjalën e fundit, pasi Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, e zhvilloi përpara tyre “pelegrinazhin” në fermën e Bushit në Crauford. Ata po kërkojnë tani më shumë sesa tërheqjen e paralajmëruar të Izraelit nga Rripi i Gaëz. Prej vitit 2002, ata janë vënë në mbështetje të një paqeje ndërmjet të gjithë botës arabe dhe Izraelit – nëse ky i fundit tërhiqet në kufijtë e vitit 1967, me qëllim që aty të krijohet një shtet palestinez, me kryeqytet Jeruzalemin lindor. Sharon ka treguar shumë pak tendenca për të ndjekur kësi iniciativash, pavarësisht mbështetjes verbale për “road map”-in, i cili përvijon hapat që duhen ndërmarrë drejt një zgjidhjeje përfundimtare. Shumë arabë besojnë se i vetmi shtet palestinez, që Sharon do të lejonte ndonjëherë, do të ishte një Gazë e rrethuar me gardh si dhe një pjesë e vogël e Bregut Perëndimor.

“Nëse SHBA nuk lëviz, dhe nuk lëviz me vendosmëri, asgjë nuk do të ndodhë në procesin e paqes”, tha Princi Saud. “Një prej gjërave që na bënë më shumë përshtypje në takimin tonë në Crauford ishte serioziteti i administratës së SHBA, kjo dëshirë e tyre për t’u angazhuar në zgjidhjen e çështjeve dhe për të mos pritur që ato “t’u zinin rrugën” për të bërë pastaj diçka. Kjo është inkurajuese. Kjo është arsyeja përse ne jemi shumë të lumtur për takimin në Crauford”.

A foli Bushi për ndonjë gjë specifike?

Ai foli për një zgjidhje me dy shtete, foli për rikthimin në qendër të diskutimeve të roadmapit, foli për planin arab të paqes (propozimi saudit i vitit 2002) si një zëvendësues për roadmapin – të gjitha këto janë shenja inkurajuese. Dhe ai foli gjithashtu për ndihmë ndaj popullit palestinez, i cili është provuar dhe dëmtuar jo pak.

A i ka thënë Bushi Sharonit të njëjtat gjëra që u ka thënë edhe sauditëve? Dhe a ka dëgjuar Sharoni?

Presidenti Bush ka shumë besim në rrugën që dëshiron të ndjekë dhe unë mendoj që Kryeministri Sharon do të bëjë mirë që ta dëgjojë.

Duke e përmbysur pyetjen, përse duhet që Bushi të dëgjojë sauditët?

Përgjigjja është e qartë. Pesha e interesit amerikan si dhe e arsyes së shëndoshë është në krahun e tyre: SHBA janë konsumatori më i madh i naftës në botë, dhe Arabia Saudite ka rezervat më të mëdha në botë. Të dy shtetet duan stabilitet ekonomik, ushtarak dhe politik në botë; të dyve u nevojitet.

Bush është një “njeri i naftës”, dhe tani ai po vepron pikërisht si i tillë. Por ne e dimë mirë që asgjë nuk është kaq e thjeshtë. Për dekada të tëra, pasi Presidenti Franklin Delano Roosevelt u takua me gjyshin e Princit Saud, Mbretin Abdelaziz ditën e Shën Valentinit të vitit 1945, në bordin e një anije amerikane lufte në ujërat egjiptiane, të dy vendet kanë qenë partnerë strategjikë në tregti, mbrojtje si dhe të gjithë llojet e marrëveshjeve të fshehta. Por, që nga 11 shtatori, ata nganjëherë janë dukur si armiq për vdekje. E kuptueshme. 11 shtatori ishte një tragjedi e tmerrshme. Por unë mendoj se tashmë të dy vendet e kanë lënë pas. Dhe takimi në Crauford ndihmoi shumë për përpjekjet për të ecur përpara.

Përse tani?

Ata kanë kuptuar atë që kemi bërë ne në Arabinë Saudite, dhe nuk është pak. Kemi luftuar terrorizmin. Jemi të angazhuar për këtë. Po luftojmë ata që e mbështesin dhe ata që përkrahin veprimet terroriste. Kemi vrarë 23 nga 26 terroristët më të kërkuar në Arabinë Saudite. U kemi ndërprerë furnizimin me para. Praktikisht kemi ndalur rekrutimet. Kemi kontrolluar ato që thuhen nëpër xhami. Kështu që, ne po e fitojmë luftën. Ne besojmë që Shtetet e Bashkuara e kuptojnë këtë.

Vërtet? Nëse po e fitojnë luftën, a është shenjë e mirë që disa javë më parë ndodhi një betejë treditore me armë me terroristë të Al Kaedas, m’u në mes të vendit?

Nuk ndodhi në mes të Arabisë Saudite, ishte në rrethinat e Mekës dhe nuk pati qytetarë të ekspozuar ndaj rrezikut. Ne dëshirojmë të shpëtojmë jetë, jo të shkatërrojmë jetë. Ne nuk do të bëjmë lojën e tyre – lojën e terroristëve. Do të bëjmë atë që duhet bërë, në kohën që duhet bërë.

Administrata Bush këmbëngul se lufta në Irak po ndihmon për të frenuar terrorizmin ndërkombëtar, por sauditët nuk mendojnë kështu.

Lufta në Irak, dhe kjo pranohet edhe nga gjeneralët e SHBA atje, po krijon terrorizëm. Tani ne vuajmë nga njerëz që kalojnë kufirin nga Iraku për në Arabinë Saudite. Ky është një problem, në të cilin forcat ushtarake amerikane nuk janë përqëndruar. Shpresojmë ta vënë nën kontroll.

A janë irakenët që vijnë tek ju, apo sauditë që rikthehen?

Sauditë që kanë qenë në Irak dhe tani rikthehen.

Dhe kanë fituar përvojë në luftën urbane?

Po.

Një panoramë jo shumë e këndshme në frontin e terrorizmit. Por amerikanët dhe pjesa tjetër e botës janë mësuar tashmë me nivelin e tanishëm të gjakderdhjes dhe vrasjet në fushat e Mesopotamisë, saqë kjo nuk është më në krye të listës së shqetësimeve të tyre. Ajo që i shqetëson më shumë ata, me afrimin e verës, është çmimi i karburantit, ku Presidenti Bush u fokusua më shumë përpara takimit me ju.

Të gjithë duan të ulen çmimet e naftës. Por pyetja është si? Ajo që kemi ne është naftë brut. Ne presim të dërgojë naftë te të gjithë ata që duan të blejnë – por nuk ka blerës. Kemi planifikuar 50 miliardë dollarë kapital shtesë për të investuar në krijimin e burimeve të reja të prodhmit të naftës në Arabinë Saudite. Tani po prodhojmë 9.5 milionë fuçi në ditë. Në 2006 këtë numër do ta rrisim në 11.5 milionë. Nuk është çështje rrallimi të furnizimit, por e kapacitetit të rafinerive, që e kthejnë naftën brut në karburant.

Ndoshta kjo është arsyeja përse Presidenti Bush shpalli planet për të ndërtuar rafineri në baza të braktisura ushtarake në SHBA, vetëm disa ditë pas takimit në fermën e tij?

Mendoj se ishte një xhest ndaj SHBA, jo ndaj Arabisë Saudite. Presidenti Bush nuk kërkon të bëjë xheste ndaj nesh, ai kërkon të zgjidhë probleme. Ai është një njeri i naftës, e di mirë se çfarë duhet.

Megjithatë, kur Bush u flet amerikanëve, ai thotë se qëllimi i tij është ta bëjë SHBA gjithnjë e më pak të varur nga nafta e huaj – domethënë saudite – e në të njëjtën kohë u kërkon atyre të investojnë miliarda për të rritur prodhimin. A nuk është paradoks ky?

Kjo është arsyeja përse ne kemi bërë thirrje për një konferencë mes prodhuesve dhe konsumatorëve. Nuk flasim të njëjtën gjuhë për të njëjtat probleme dhe duam ta bëjmë këtë. E vetmja mënyrë, është një konferencë e palëve.

Kur?

Në tremujorin e fundit të këtij viti.

Çfarë përfshihet në axhendë?

Të shihet situata e kërkesës dhe ofertës. Eshtë e vështirë t’u shpëtosh fakteve. Fakti më i dukshëm është që nuk ka rënie të prodhimit.

Edhe me rritjen e madhe të kërkesës nga Kina dhe Azia?

Ajo është përtej kapacitetit për të prodhuar, por është duke nxitur njëkohësisht spekulimet. Kanë shkuar përtej çdo logjike në rritjen e çmimeve, ndërkohë që nuk ka nevojë.

Atëherë, cilin çmim mendon Arabia Saudite si të arsyeshëm në tregun e sotëm?

Mendojmë një çmim 35-45 dollarë. (Që nga takimi i Crauford, çmimet janë ulur nga 55 në 50).

Çfarë roli zë Kina në këtë panoramë?

Arabia Saudite nuk furnizon pjesën më të madhe të naftës brut që importon SHBA dhe kjo për arsye se ka furnizues të tjerë shumë më pranë SHBA. Por Arabia Saudite është i vetmi prodhues që është në gjendje të rrisë nivelin e prodhimit për t’u bërë ballë krizave botërore, dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë: jo vetëm për Kinën, por edhe SHBA dhe Evropën.

Por Arabia Saudite është furnizuesi më i madh i Kinës?

Po.

Që do të thotë se tashmë ka një marrëdhënie strategjike mes Arabisë Saudite dhe Kinës.

Nëse furnizimi me naftë është e tillë, atëherë po, ekziston një marrëdhënie strategjike.

Si ajo me SHBA?

Janë disa gjëra, si kontakti njerëzor, që ne sapo kemi filluar t’i zhvillojmë (me Kinën). Mendojmë që solidariteti që Arabia Saudite ka me SHBA si dhe marrëdhënia strategjike me ta është e ndërtuar më shumë mbi faktorin njerëzor sesa lëndën e parë.

Ndërkohë që disa sauditë dhe amerikanë kanë gjetur gjithnjë mënyrën për të shkuar mirë (njeri nafte me njeri nafte, tregtar me tregtar, spiun me spiun), është shumë më e vështirë për amerikanët e thjeshtë të gjejnë vlera që i ndajnë me sauditët. Atje shohim një monarki teokrate, gratë duhet të mbulohen tërësisht dhe nuk u lejohet të ngasin makinën, aq më pak të votojnë.

Po ju kujtoj që Arabia Saudite është e angazhuar në reforma. Eshtë një vend që ndryshimin e ka si natyrë të dytë: është rritur nga një shoqëri tribush në një shoqëri moderne; ka lëvizur nga mungesa e arsimit, tek arsimi universitar. Pra, jemi një vend i përkushtuar për të ecur përpara, si dhe për t’u garantuar qytetarëve një nivel jetese të përafërt me standardet ndërkombëtare. Kjo, jo sepse e duan të gjithë jashtë vendit, por sepse u nevojitet vetë sauditëve. Dhe unë mendoj se qeveria e SHBA më në fund po e pranon këtë fakt. Ne kemi ndryshuar thuajse gjithçka: strukturën ligjore, sistemin e arsimit, qeverinë, mënyrën e të bërit biznes. Por, nuk mund të kesh një shkop magjik për të ndryshuar gjithçka. Ndryshimi që ndodh rrëmbyeshëm, ose që ndodh për shkak të importimit të ideve të huaja mund të çojë në shkatërrim. Këtë e kemi parë në Iran, Afrikë e raste të tjerë. Ne nuk duam të eksperimentojmë me popullin tonë.

Britanikët votojnë Kryeministrin e ri

Votuesit u derdhën dje në bashkitë, komunat, shkollat e madje dhe pabet anembanë Britanisë, për të hedhur votën e tyre në zgjedhjet parlamentare që do të përcaktojnë, nëse Bleri do të qëndrojë në detyrë për një mandat të tretë, pavarësisht zemërimit të përhapur në lidhje me pjesëmarrjen e britanikëve në luftën në Irak.

Sondazhet deri në mbrëmje vonë i jepnin një avantazh të lehtë laburistëve, dhe shumë votues u panë të mëdyshur mes braktisjes së Kryeminsitrit dhe mbajtjes në pushtet të laburistëve. “Thuajse e ndryshova votën, por në fund vendosa të qëndroja me laburistët”, tha Karol Foskeu, 59 vjeçe, e cila thotë se i qëndroi besnike partisë, për shkak të politikave të saj sociale.

Pjesa më e madhe e vëzhguesve thanë se laburistët do të fitoni, kjo falë ekonomisë së fortë, ndonëse ndjenja antiluftë dhe dyshimet në lidhje me sinqeritetin e Blerit nuk i garantojnë aspak atij një fitore si ajo e dy mandateve të parë.

Mbi 600 qendrat e votimit në të gjithë Britaninë u hapën në orën 07:00 me orën lokale dhe sipas rregullores janë mbyllur në orën 22:00. Disa zgjedhës e kishin hedhur që më parë votën e tyre përmes postës. Këtë vit u regjistrua shifra rekord prej 6 milionë zgjedhësish, të cilët zgjodhën të votojnë përmes këtij sistemi. Rezultatet e para të zgjedhjeve kanë nisur të dalin që në mesnatën e djeshme, ndërkohë që, rezultati se kush i ka fituar zgjedhjet pritet në orët e para të ditës së sotme.

Zgjedhjet janë shtyrë vetëm në një qendër elektorale, për shkak të vdekjes së një kandidati. Në 34 zona janë zhvilluar zgjedhje lokale, ndërsa në tre të tjera vendoset për kryetarin e bashkisë. Gjatë gjithë ditës ka patur prani të dukshme të forcave policore, në disa pjesë të Londrës, veçanërisht në lagjen Westminister ku ndodhet parlamenti dhe ndërtesat kryesore qeveritare. Në parlamentin e fundit, laburistët kishin 410 deputetë, konservatorët 164 dhe liberaldemokratët 54 deputetë.

Për të fituar këto zgjedhje, partive i duhet të fitojnë shumicën që do të thotë 324 vende. Sanderlandi i Jugut ishte zona elektorale që dha më 2001 rezultatet e para, vetëm 43 minuta pas mbylljes së votimit.

Vëmendja është përqëndruar edhe te pjesëmarrja në zgjedhje, që para katër vjetësh ishte 59 për qind, më e ulëta e regjistruar që prej vitit 1918. Organizatorët e zgjedhjeve thanë se votimi përmes postës ka ndihmuar në rritjen e pjesëmarrjes, por nga ana tjetër ka patur shqetësime për sigurinë e këtij lloj votimi.

Moti përcaktues

Zgjedhësit, që kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, kanë patur mundësi ta dorëzojnë votën e tyre gjatë ditës në zonën zgjedhore ku janë të regjistruar. Në të gjithë Britaninë ka qenë një ditë me shi, ndërsa temperatura më e lartë ka qenë 17 gradë Celcius. Tre zgjedhjet e fundit sygjeruan se moti mund të ketë ndikim mbi pjesëmarrjen në votime. Në vitin 1992, pjesëmarrja ishte 78 për qind për shkak të kohës së bukur edhe me diell, ndërsa katër vjet më parë koha ishte e ftohtë dhe me rreshje në të gjithë Britaninë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›