E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Sfida e çdo profesionisti është të jetë kritik"

06/05/2005  Majlinda Bregu thotë se pranimi i të rinjve do të sjellë më pak koka të nxehta në politikë

Majlinda Bregu, anëtare e Kryesisë së PD-së dhe e KOP, në një intervistë për "Metropol", shpjegon rrugën dhe etapat, që e ngjitën deri në kupolën më të lartë të partisë më të madhe të opozitës. Bregu thotë se zgjedhja e saj në Kryesi ka qenë një surprizë, por e shikon dhe si një vlerësim, që baza e PD i dha ekspertëve të afruar nga shoqëria civile. Bregu shprehet se, deri më tani, askush nuk i ka njoftuar zyrtarisht ndonjë zonë kandidimi për zgjedhjet e ardhshme, megjithëse burime në PD shprehen se ajo është kandidatura më e mundshme në zonën e Laprakës, një prej zonave ku në disa mandate rresht ka fituar Partia Demokratike. Bregu shprehet se i është afruar kandidimi, por jo një zonë specifike. Nga ana tjetër, Bregu premton se nuk do t'i kursejë kritikat në adresë të drejtuesve të PD-së, në rast se do të shikojë që kjo forcë politike do të shkasë sërish drejt gabimeve të kaluara.

Jeni përfolur si një kandidaturë e Tiranës. Ndoshta është paksa i nxituar kjo hedhje në politikë, pasi brenda tri muajve ju u zgjodhët në Këshill Kombëtar, në kryesi dhe tashmë së fundi përfliteni si kandidaturë e PD-së?

Do ta konsideroja të shpejtë, në rast se unë do të merrja si pikë referimi shpalljen time si anëtare të KOP. Por, vitet kanë rrjedhur kaq shpejt dhe kanë qenë kaq të vrullshme, sa nuk mund t'i ndaj, nëse i përkas shoqërisë civile apo politikës. Nuk e di nëse shpallja ime si anëtare e KOP, është hapi për t’u futur në politikë, apo hapi për të ecur përpara në politikë. Gjithsesi, tentativat për t’u anëtarësuar në KOP kanë filluar që një vit më përpara dhe unë e kam pritur me dashamirësi këtë ftesë dhe së bashku me të edhe kontributin tim pranë PD-së. Gjithsesi, dua të jem e sinqertë, do desha të falenderoja shumë ata që më kanë votuar dhe ata që më kanë besuar, si në zgjedhjen time në Këshillin Kombëtar, ashtu edhe në Kryesinë e PD-së. Madje, kjo e fundit ishte vërtet një surprizë që nuk prisja, pasi, për hir të së vërtetës, kontributi im nuk ka qenë i drejtpërdrejtë në PD. Gjatë gjitha këtyre viteve, unë kam kontribuar siç mund të kontribuojë çdo qytetar i thjeshtë, me votën time për shkak të bindjeve të mia të djathta. Kam kontribuar me mënyrën time, duke u shprehur në opinionin publik për gjërat që nuk shkojnë në qeverisjen aktuale dhe për situatën e përgjithshme sociale, në të cilën jetojmë, por, gjithsesi, ky nuk ka qenë një kontribut si i anëtarëve që janë prej vitesh në PD, dhe që kanë punuar dhe kontribuar në strukturat e partisë. Për mua, ishte vërtet një surprizë dhe një befasi. Gjithsesi, e vlerësoj me të vërtetë shumë. E vlerësoj jo vetëm për pjesën e hyrjes së diçkaje të re dhe të hapjes së PD-së, por e vlerësoj dhe personalisht.

Jeni përfolur si një kandidaturë për deputete në një nga zonat e Tiranës. Zyrtarisht keni ndonjë njoftim?

Unë nuk kam vendosur ende asnjë zonë se ku do të kandidoj, sikurse nuk më është propozuar ende asnjë zonë për kandidim. Dua të them se më është propozuar kandidimi, në këtë raund elektoral. Por, nuk më është propozuar dhe nuk kemi biseduar me askënd për zonën ku unë do të kandidoj. E pres me qetësi dhe normalisht do ta vlerësoj me shumë seriozitet, ashtu siç kam vepruar në çdo hap të rrugës sime që nga momenti i implementimit në politikë. Se ku do të jetë zona e kandidimit, nuk jam shqetësuar ndonjëherë për këtë. Më shumë më bezdis ideja që emri im lakohet shumë dhe vazhdon të lakohet për zona të ndryshme elektorale. Në media, nuk kam lënë vend pa qarkulluar, një herë në Vorë, një herë në Durrës, tashmë së fundi në Laprakë. Unë vetë nuk kam dhënë asnjëherë një prononcim, dhe nuk e di nëse do të kandidoj dhe ku do të kandidoj.

Ju vini nga shoqëria civile. Nga të dy kampet flitet për hapje me këtë pjesë të shoqërisë. Do desha një opinion tuajin, vërtet politika shqiptare po shkon drejt hapjes, dhe ku qëndron ndryshimi mes hapjes së PD-së dhe hapjes së PS-së?

Unë ndoshta nuk di ta them tani se ku qëndron ndryshimi i hapjes, por dua të them që jo vetëm dy forcat kryesore politke, por i gjithë spektri politik shqiptar do të ketë mundësi që të thithë sa më shumë mendime nga shoqëria civile, nga bota akademike, nga njerëz, të cilët ndoshta nuk janë aq gjaknxehtë për të mbrojtur interesat e partisë, por janë njerëz që dinë të bëjnë një kombinim të mirë të bindjeve të tyre dhe pjesës profesionale, pra, pa i rënë në qafë pjesës profesionale, të harrosh profesionin tënd dhe të funksionosh vetëm si militant apo anëtar i strukturave të një partie të caktuar. Sigurisht, do të uroja që të kishte sa më shumë prurje të tilla në politikën shqiptare. Ajo që më shqetëson është tjetërsimi i menjëhershëm, që shpeshherë e kam vënë re, dhe nuk dua ta besoj që është një tjetërsim që ta sjell pushteti, por ndodh shpeshherë që njerëzit harrojnë nga vijnë dhe fillojnë të mendojnë me kokën e tjetrit. Doja të thoja që individët, pikësëpari, për të funksionuar mirë një shoqëri, një parti, apo një familje, s'duhet të mendojnë me kokën e tjetrit.

Po Majlinda Bregu, sa ka ndryshuar nga pjesëtare e shoqërisë civile në politikane?

Do t'ua them këtë sapo unë të filloj të identifikoj veten time brenda kryesisë së një partie. Eshtë diçka që unë e kam për herë të parë, nuk më kishte ndodhur herë tjetër dhe nuk mund të them se cili do të jetë roli im. Në qoftë se flasim për pjesën e karakterit, për aq sa e njoh unë veten time, di që nuk tërhiqem dot kollaj në diçka për të cilën unë besoj. Sepse mendimin tim vazhdoj ta mbroj, përderisa e gjykoj si të drejtë, kjo është pjesë e karakterit tim. Në rast se ka një gjykim tjetër që më garanton se mendimi im është i gabuar, ose i shtrembët, mirë se të vijë, por lehtësisht nuk heq dorë nga idetë e mia.

Në rast se do ta shihnit se PD-ja do të kishte një rrëshqitje drejt gabimeve të mëparshme, ju do ta bënit kritizerin?

Sigurisht, ne jemi thërritur në pozicionin e ekspertit pranë PD-së, dhe mua më pëlqen ta mbroj këtë ide. Që do të thotë se ishte një nga hapat më të vlerësuar dhe më të guximshëm që një parti, një forcë politike kërkon dhe thërret njerëz për të marrë mendimin e tyre. Që do të thotë se eksperti dallohet nga individët e tjerë, pikërisht se ka guximin dhe kurajon për të kundërshtuar një ide ose mendim, pavarësisht se për pjesën tjetër ose shumicën kjo ide apo ky mendim mund të duket i drejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›