Milo prezanton kandidaturat
06/05/2005 Paskal Milo prezantoi në Shkodër kandidaturat e partisë së tij për zgjedhjet e 3 korrikut. Milo u shpreh se, bazuar në punën që është bërë, ishte optimist se këtë radhë do të fitonin 100 mijë vota dhe këto kryesisht i priste nga Shkodra dhe 5 qytete të tjera kryesore të vendit, që do të arrinin t’i siguronin partisë dy të tretat e synimit të përcaktuar. Milo, megjithëse e pranonte se i përkiste spektrit të majtë të politikës shqiptare, nuk ngurroi të theksonte keqqeverisjen e vendit në këto vite. Megjithatë, Milo nuk ishte i mendimit për të ndërruar këtë qeverisje nga e majta në të djathtë, por ndryshimi të bëhej brenda për brenda së majtës, sepse duke parë kushtet, në të cilat ndodhet vendi, ka ardhur koha që partitë e vjetra me njerëz të vjetër të largohen nga pushteti dhe të zëvendësohen nga parti të reja me njerëz të rinj. Në lidhje me marrëdhëniet me PS-në, Milo u shpreh se kjo parti e ka humbur monopolin e së majtës, prandaj që të qeveris e majta duhet një bashkëpunim i fuqishëm dhe i ndershëm ndërmjet të gjitha partive të këtij spektri.