Hetim pasurisë së oficerit,u kap me ryshfet në Durrës
Trazhgim Sokolaj
Zyra e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës do të kërkojë “arrest me burg” për oficerin e prokurorisë së Durrësit, të arrestuar me akuzën e korrupsionit. Kolegët e tij në Tiranë, që hetuan skandalin, mësohet se kanë bërë një kërkesë për bankat dhe hipotekën me qëllim që të verifikojnë pasuritë e ish-hetuesit të Prokurorisë së Durrësit, që ra në pranga pasi mori 10 mijë euro ryshfet për “mbylljen” e dosjes që kishte në hetim. Sipas të dhënave operative, dyshohet se veprime të tilla janë kryer edhe më parë nga hetuesi i arrestuar ndaj ka dyshime se me paratë e paligjshme ai mund të ketë vendosur pasuri. “Takohemi më 28 Nëntor, ditën e Flamurit, te lokali në plazh, besoj se do të jetë qetësi atë ditë se është festë dhe nuk na shqetëson njeri”. Këto kanë qenë fjalët e këmbyera mes oficerit të arrestuar të Prokurorisë së Durrësit, Thoma Marina, dhe pronarit të tokave “të pushuara” në Durrës, nga i cili hetuesi i akuzuar për korrupsion mori 10 mijë euro ryshfet tri ditë më parë. Oficeri i Prokurorisë së Durrësit pas tratativave një mujore me personin që po hetohej ka rënë dakord për shumën e ryshfetit dhe ka zgjedhur pikërisht ditën e festës së Flamurit për të marrë paratë, me idenë se atë ditë palët do të ishin më të qeta. Mirëpo qetësia e klientëve të pazakontë në barin që ndodhet në zonën e plazhit në Durrës, jo vetëm që është prishur, por agjentët e Antikorrupsionit kanë filmuar hetuesin e Prokurorisë së Durrësit, që po merrte ryshfet 10 mijë euro për “mbylljen” e dosjes penale që hetohej prej tij. Për këtë shkak policia kodoi operacionin e arrestimit të oficerit me emrin “Qetësia e Rreme”, pasi nga përgjimet e telefonatave mes oficerit Thoma Marina dhe personit që dha paratë ishte mësuar vendtakimi i tyre, madje aty ishin instaluar edhe kamerat që kanë filmuar gjithë skenën e korrupsionit. Në përfundim të veprimeve që po kryente oficeri me personin që hetohej, kur 10 mijë eurot janë dorëzuar dhe oficeri i ka vendosur në rrobat e tij, agjentët e Antikorrupsionit kanë ndërhyrë duke i vënë prangat kolegut të tyre. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” nga zyrtarët që kryejnë funksione publike. Sipas hetimeve që po zhvillohen prej më tepër se një muaji, ai ka marrë ryshfet nga një person që akuzohej se kishte ndërtuar pa leje dy vila në qytetin e Durrësit. Pronari i truallit të zënë kishte bërë denoncim për “pushim prone” dhe “falsifikim dokumentesh” ndërsa hetuesi i Durrësit, që mori dosjen në fjalë, ka bërë pazar me të akuzuarin duke i premtuar lehtësira ligjore me anë të manipulimit të provave, nëse paguante 10 mijë euro ryshfet.