Intervista/ Kadare: Diktatori dhe shkrimtari
Në panairin e librit doli libri juaj më i ri “Darka e gabuar”. Sipas informacioneve, ky libër ka shënuar një rekord shitjesh, gjë që hedh poshtë edhe idenë që lexuesit shqiptarë nuk janë më lexues të mirë?
Mendoj se ky është një mendim i gabuar. Përgjithësisht është një paragjykim planetar që lexuesi i sotëm ka pësuar një degradim bashkë me të edhe lexuesi shqiptar. Ky mendim bie ndesh me realitetin. Sot më shumë se kurrë ka libra që botohen, ka letërsi që botohet, dhe për pasojë më shumë se kurrë ka lexues. Ka ndodhur një ndryshim në ish- botën lindore, ish- komuniste, ku leximi ka qenë më i zhvilluar përpara, për arsye të kufizimit të jetës, për arsye fatkeqe. Tani lexohet më pak, sepse lexuesi ka mundësi për të ndjekur një zhvillim kulturor normal, jo vetëm me leximin. Por lexuesi shqiptar mbetet siç ka qenë, unë e kam thënë gjithmonë, një nga lexuesit më të mirë në Evropë, me një bonsens të zhvilluar. Por, pas një traumatizimi kaq të gjatë, të një izolimi tragjik, leximi pësoi një humbje drejtpeshimi. Tani është duke u rikthyer ngadalë, lexuesi po kthehet te libri. Janë gjëra që nuk ndodhin menjëherë, por varet edhe çfarë i ofrohet lexuesit. Me këtë libër pata pak a shumë lexuesin e mëparshëm, pra një lexues të konsiderueshëm. Kuptova që bonsensi vazhdon dhe lexuesit, nëse i ofrohen gjëra me vlerë, ai do të rikthehet, pra nuk ka kokëfortësi apo braktisje të letërsisë.
“Darka e gabuar” konsiderohet si vepra më e arrirë. Shënohet kulminacion në mjeshtërinë e shkrimit, ju vetë e keni ndjerë këtë në procesin e shkrimit?
Zakonisht ndodh një gjë e tillë që shkrimtari çdo vepër të fundit, kur e fillon, kujton se po bën një kulminacion, pastaj shumë shpejt e qorton këtë mendim dhe e ndjen shumë shpejt vendin që ka vepra e fundit në kuadrin e veprës së tij. Kështu që në fillim nuk ka vlerë vlerësimi që i bën shkrimtari veprës së tij, e fundit është e favorizuara në kokën e tij. Tani që ka kaluar njëfarë kohe që është botuar vepra, vërtet është një nga librat e mi më të mirë.
Në fakt, “Darka e gabuar” ka dhe personazhe që kanë ekzistuar vërtet.
Po, është e vërtetë, por baza në letërsi nuk ka asnjë rëndësi, nisesh nga një fakt krejtësisht i rrokshëm i jetës, nisesh nga një fakt i shpikur prej teje. Letërsia përfundon, që pjesa më e bukur e saj dhe me më vlerë, është ajo çka trillon shkrimtari në mendjen e vet, edhe kur bazohet në një fakt të vërtetë. Ka qindra fakte të vërteta tronditëse në historinë e botës, që nuk kanë dhënë letërsi, sepse nuk janë trajtuar nga shkrimtarët. Ka fakte më të thjeshta që kanë dhënë letërsi të madhe, sepse janë trajtuar.
Çfarë ndodh me procesin e shkrimësisë së Kadaresë pas një kulminacioni të tillë, siç e quajtëm dhe më parë, që është “Darka e gabuar”? Çfarë ndodh me veprën më pas?
Mendimi i parë është që tashmë unë duhet të shkruaj një vepër së paku si kjo, po jo më pak të mirë ose nuk do shkruaj. Për shumë shkrimtarëve mendimi i parë është se ndoshta kjo është vepra e fundit.
Ju e keni menduar këtë?
Po.
Që “Darka e gabuar” mund të jetë vepra juaj e fundit?
Kam menduar dhe për shumë vepra, jo vetëm për këtë, është normale për një shkrimtar.
Deri në boshllëkun, nëse do të kemi apo jo një vepër tjetër, çfarë ndodh? Ju prisni të keni një vepër tjetër, nëse kjo do të jetë, ku ndodhet?
Shkrimtari ka në ndërgjegjen e tij shumë vepra që ai e di fare mirë që nuk do të dalin kurrë në dritë, se nuk është ndonjë gjë e re për shkrimtarin të jetë i zbrazët ose i mbushur. Gjendja e tij natyrale është që ai ka një rezervë që ajo që mund të quhet një vepër negative që s’ka parë dritën e botimit e që nuk do ta shohë ndoshta asnjëherë. Gjithë puna është që shkrimtari me talentin e tij të nxjerrë nga ai bodrumi i tij atë që duhet, të mos nxjerrë vepra që mund të rrinë atje duke i ngrënë kohën një vepre tjetër. Kështu që unë këtë e kam quajtur disa herë në shkrimet e mia si të thuash një lloj apologjie negative të shkrimtarit, madje kam thënë dhe këtë që, për të prishur një pjesë të kësaj vepre, nëse ajo ka nevojë të prishet, të mos e rëndojë ndërgjegjen e tij, mendjen e tij. Do njëfarë energjie, d.m.th., shkrimtari harxhon energji, kur krijon ose kur prish një pjesë të veprës. Sigurisht, energjia që harxhon për të prishur është gjithmonë shumë më e vogël se ajo për të ndërtuar, dihet. Rrënimi është shumë i lehtë, po do njëfarë pune, sidoqoftë. Prandaj ndërgjegjja e tij punon që kjo vepër, dhe kjo, dhe kjo, të zbrazet prej tyre, të ndahet prej tyre dhe të thotë “lamtumirë, mos më shqetësoni më” dhe të lërë ato që duhet, që kanë shans që të mund të dalin. Megjithatë, shumë vepra ngelen pa dalë kurrë dhe kjo s’ka pse të shkaktojë ndonjë keqardhje.
Keqardhje do të ishte, nëse vërtet “Darka e gabuar” do të ishte vepra e fundit, të paktën për mua personalisht, po dhe për shumë lexues. Po juve ndjeni keqardhje, nëse kjo do të ishte e vërtetë?
Jo. Derisa ajo mund të kthehej në veprën e fundit, le të kthehet, ashtu e kërkonte... Kjo botë është shumë e egër, bota e letërsisë. Bota e letërsisë është nga më të ashprat, sepse seleksionimi i saj është mizor, ajo nuk ka mëshirë. Letërsia s’ka mëshirë, nuk mund të bësh tolerantin me të. Ajo që nuk duhet të ekzistojë, le të mos ekzistojë, nuk ka asgjë të keqe.
Është një filtër i vetvetes, një filtër që e bën vetvetja apo ...?
Po, filtër që e bën ndërgjegjja e shkrimtarëve një për një dhe njëfarëlloj ndërgjegjeje, nëse do ta pranojmë, e letërsisë kolektivisht.
Ju vazhdoni të shkruani në kafene. Është një pyetje me tepër për të shuar një kuriozitet. Është një mani, supersticion, një komoditet?
Keni të drejtë t’i përdorni të gjitha epitetet, mani, supersticion, trill, kapriço, megalomani, budallallëk, vanitet, të gjitha janë përdorur për shkrimtarët që punojnë në kafene. Në të vërtetë nuk është ashtu, mund të ketë shkrimtarë që shkojnë në kafene, nuk i shtyn asgjë, venë se kështu kanë shkuar të tjerët para tyre dhe kanë qenë shkrimtarë interesantë, dhe kanë krijuar njëfarë legjende që punojnë në kafene. Kryesisht çfarë kanë krijuar Parisi, Vjena, kryeqytetet e para të Evropës. Tani universi i kafeneve po përhapet dalëngadalë në botë, po pushton vendet që s’e kanë njohur, por kjo është... ata që janë mësuar ose ata që kanë shkuar më parë në kafene të punojnë është një nga vendet më komode për të punuar. Nuk është problemi thjesht siç thuhet, jo në shtëpi të pengon telefoni, të mungon dikush që hyn ose del. Jo. Kafeneja është një lloj posti i luftës, atje shkon si ushtari që shkon në luftë, s’ka punë tjetër, do të bëjë luftë ose jo. Atje shkrimtari shkon për të punuar, mendja e tij zhvishet më mirë se në çdo mjedis tjetër nga trysnia e kotë e jetës, atje stereotipat janë të gatshëm, aroma e kafenesë ku hyn, kamerieri që të njeh pa të pyetur: “Zotëri çfarë doni?”, e di fare mirë, ta sjell atje, ti punon. Krijohet një gjendje pune që në një mjedis tjetër do të kërkonte disa dhjetëra minuta që ajo që quhet e famshmja e ardhur në formë, ose në mënyrë më vulgare frymëzim, që për mua është shumë e dyshimtë si shprehje, është një tjetër gjë që quhet frymëzim, sigurisht. Është diçka po ashtu siç mendohet, jo që doli hëna, iku hëna, u frymëzua shkrimtari, këto janë gjëra shumë...
Le të flasim për frymëzimin, çfarë është frymëzimi për Kadarenë?
Hyn në atë shpjegimin e vështirë që thashë unë, janë një sërë faktorësh që krijojnë atë që quhet frymëzim. Kështu që kafeneja është vërtet më komode dhe me një efikasitet tepër të lartë të punuari, atje nuk rri kot njeriu kur shkon për punë.
I keni shkruar të tërë librat tuaj atje?
Jo. Në Shqipëri, për shembull, nuk punoj dot në kafene, sepse, meqenëse është vend i vogël dhe njohja është e tillë, kjo gjë bëhet e pamundur, nuk punohet. Njerëzit nuk të shqetësojnë sigurisht, po mjafton që të shikojnë në dritë të syrit dhe nuk shkruhet.
Zoti Kadare, a mund të ndajmë sonte së bashku mendime për dashurinë, për vdekjen për pavdekësinë e një shkrimtari? Ju tremb vdekja ju për shembull?
Jo, unë mendoj se shkrimtarët nuk i tremb vdekja, zakonisht. Sigurisht, si grup shoqëror, si një kastë, si t’i quajmë, një shoqëri, komunitet njerëzor, shkrimtarët janë më pak të ndjeshëm, ose krijuesit përgjithësisht nga vdekja, sepse punojnë me të, janë mësuar, shkruajnë për të. Vetë letërsia është një art që ka një pjesë të trupit të saj, e ka në vdekje vetvetiu, është shumë e lidhur me mosjetën, mos të përdorim fjalën vdekje. Kështu që, derisa punon me këtë lëndë, derisa i ke futur duart në këtë lëndë, vetvetiu je mësuar me të.
Flasim për dashurinë, po me dashurinë a mësohet shkrimtari? Sa dashuri kanë veprat e Kadaresë?
Tani, disa herë më kanë bërë vërejtjen që s’para ka dashuri shumë. Nuk është e vërtetë, unë mendoj se ka, por është shumë e vështirë për t’u përcaktuar ka a s’ka dhe të bësh një gjë jo fort të nevojshme, në kuptimin që të diskutohet një gjë e tillë. Unë mendoj se më kanë kritikuar disa herë që ka pak femra që zënë vend ose, dhe kur zënë vend janë, si të thuash të pakta, disa janë me defekte, nuk e di si. Po unë nuk mendoj kështu, mendoj se ka aq sa duhet, unë s’e kam menduar fare këtë përqindje se sa duhet të ketë, sepse letërsia nuk është si të thuash filxhan kafeje, disa e duan me pak sheqer, disa me shumë, letërsia është tjetër gjë. Por, për shembull, ky libri i fundit për fat të keq është pëlqyer nga lexuesi shumë. Po e mendoja një ditë, ky nuk ka dashuri ose ka pak, ka shumë pak, për çudi kështu ka qëlluar. Në librat e tjera unë kam personazhe femërore, kam histori dashurie, nuk janë zotëruese, siç ndodh, po janë përsëri zonat e letërsisë, zonat e poshtme të letërsisë, kanë shumë më tepër dashuri ose kujtojnë se kanë.
Zonat e larta bëhen gjithmonë e më të vështira?
Është e vërtetë ka shumë, po të shikoni zonat e larta të letërsisë, ta zëmë një kryevepër të padiskutueshme botërore, “Don Kishoti”, s’ka dashuri fare ose ka një dashuri, një karikaturë të dashurisë, një tallje, e pengon këtë vepër?... Jo!... Po të marrim një vepër si “Hamleti”, ka një dashuri të dështuar ose një moskuptim, asgjë tjetër. Nuk është e thënë që të ketë. Mund të ketë fare mirë, e gjithë vepra e Dantes është e mbrojtur nga një dashuri e tërthortë, por veprat e tjera të mëdha.... Kafka ka shumë pak, që të vijmë te shkrimtarët modernë, Xhojsi ka shumë pak, se janë shkrimtarët e sotëm që relativisht duhet të kishin më tepër, meqenëse dashuria është një ndjenjë që në botë është shtuar.
Të flasim për letërsinë. Çfarë është letërsia për ju, Kadare? Është realitet i gjithhershëm apo më tepër se kaq, më pak se kaq?
Letërsia është për mua një lloj jete paralele. Disa herë e ngatërroj me jetën, quhet vlerë e letërsisë sa e pasqyron ose jo jetën. Unë mendoj se është pak e kundërta, letërsia nuk ka merak sa e pasqyron ose jo jetën. Ajo mund të jetë e fuqishme duke e pasqyruar jetën, po dhe aq e fuqishme duke mos e pasur aspak. Me një fjalë, marrëdhëniet e saj me jetën janë shumë të ndërlikuara. Unë njëherë diku e kam shkruar. Jeta, sa ç’është mikja më e madhe e letërsisë, aq dhe armikja më e madhe e saj. Sepse, ajo kur hyn në mënyrë të dhunshme në letërsi, kur e ka pjesën e vet më shumë se ç’duhet ta ketë, e dëmton letërsinë. Ashtu sikurse po mungoi, e dëmton letërsinë. Letërsia është një jetë paralele, sepse po të ishte pasqyrim i jetës, njerëzit s’do kishin shumë nevojë për të. Ajo është jetë që ndryshon nga jeta, dhe këtu është gjithë misteri i saj, është një jetë që ... dhe ngjan pra, dhe nuk ngjan me jetën. Një letërsi që është ajo që është quajtur një letërsi natyraliste, ka qenë një letërsi e dështuar, që e pasqyronte jetën me shumë besnikëri. Nuk ka nevojë lexuesi për atë jetë, s’ka nevojë t’i tregosh ti ç’bën ai nga mëngjesi në darkë. Disa herë ka pas një keqkuptim tragjik, duke thënë pse kjo është jeta kur ka vepra, mjedise ose gjendje të ndërlikuara, dhe thonë se kjo, sidomos në komunizëm më kujtohet, problemi numër një i shkrimtarëve ishte se kjo është jetë e punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve. Po ç’i duhet njeriut të lexojë në libra atë që jeton nga mëngjesi në darkë, aspak s’i duhet, mirëpo keqkuptimi ka qenë tragjik, dukej sikur kjo i duhej njeriut. Në fakt, kjo ishte për ta shkatërruar letërsinë, për të dhënë një letërsi të pavlerë që nuk i hyn në punë askujt, prandaj pjesë të jetës janë interesante për letërsinë, kurse pjesë të mëdha janë të pavlera. Cilat janë këto pjesë të jetës? Këtu është pastaj talenti i shkrimtarit, projeksioni i tij ku bie, drita e tij, dikush për dikë, ndriçohet ajo pjesë e jetës që atij i duket me vlerë për letërsinë, miniera e tjetrit i duket asgjë. Këtu pastaj ndahen shkrimtarët, prandaj letërsia është interesante, prandaj po theksoj është një jetë paralele, një plotësuese e jetës, dhe jo një vazhdim i jetës, një pasqyrim i saj. Një plotësuese e saj, një jetë tjetër, një planet tjetër.
Meqë jemi këtu, Ismail Kadare përse shkruan? Letërsia është fati juaj?
Letërsia është një vlerë në vetvete, është e pavarur nga detyrimet misionare, nga detyrimet e tjera të shkrimtarit, etj. Shkrimtari do të lozë edhe një rol shoqëror në jetë, nuk përjashtohet të ndihmojë shoqërinë, jetën e vet, popullin e vet, kombin e vet. Po, në qoftë se letërsia ka vetëm këtë qëllim, ajo do të jetë një letërsi tepër e kufizuar në historinë e popujve. Ekzistojnë të tilla letërsi, ato janë letërsi të fisme nga morali i tyre, ato janë krijuar nga shkrimtarë që quhen kombëtarë, që do të thotë në radhë të parë shkrimtar i flijuar për hir të misionit që ata marrin përsipër ose që iu ngarkohet. Koha ua ngarkon dashur pa dashur. Ata sakrifikojnë artin e tyre. Për shembull, Naim Frashëri, një pjesë e veprës së tij nga ana profesionale është me një vlerë të diskutueshme artistike. Shkrimtarë të tillë ka plot në letërsinë shqipe, shpesh shkrimtarët kombëtarë, dy shkrimtarë kombëtarë ka Shqipëria: Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta. Ata kanë sakrifikuar shumë nga arti i tyre për t’u shkrirë me peizazhin kombëtar historik, shoqëror të vendit të tyre dhe për mua këta janë shkrimtarët e fundit kombëtarë të papërsëritshëm, sepse besoj se nuk do ta kërkojë koha. Nuk do të ketë kohë të tillë, të kërkojë këtë mision kaq të madh të shkrimtarit, si të thuash shkrimtar martir, kombëtar dhe martir, ose i flijuar.
Le të flasim për regjime të ndryshme dhe marrëdhëniet e shkrimtarit. Z. Kadare, në regjime të ndryshme si është ky raport, si është kjo marrëdhënie?
Këtu ka shumë diskutime për këtë gjë, zakonisht unë kam mendimin që letërsia nuk duhet asnjëherë ta quajë veten, ose të pranojë të quhet viktimë. Letërsia botërore ka njohur veç regjime të egra zakonisht. Letërsia ka 3 mijë vjet që ekziston, ndërsa historia moderne e njerëzimit ka 2 mijë vjet, letërsia ka 3, është më e vjetër. Ajo zakonisht ka njohur periudha tepër të vështira, tepër të errëta, është mësuar me to. Letërsia nuk ka frikë nga regjimet, qoftë dhe diktatoriale. Është ndryshe nga ç’thuhet, që ne do të ishim shkrimtarë të shquar, të mëdhenj, po ne na qëlloi një kohë e keqe. Zakonisht ka qenë kohë e keqe për letërsinë, nuk ka qenë kohë e mirë, zakonisht. Prandaj letërsia nuk ka frikë nga kjo, letërsia nuk është viktimë. Letërsia është po aq e ashpër sa tirania, dhe ky është fakti që ajo mund të luftojë me të.
Ju a i keni bërë retushime veprës tuaj? Retushime politike?
Është një nga spekulimet që zakonisht bëhen ndaj shkrimtarëve. Janë disa klishe, njëra nga klishetë që bëhet së paku me mua është kjo çështja e retushimeve. Është një gjë e pavërtetë, absolutisht, në thelb. Parimi i parë, që është absolut për të gjithë shkrimtarët, është që shkrimtari është zot i veprës, bën ç’të dojë me veprën e vet, po ndërkaq ka një parim moral që nuk është i pari, po që vjen paralel me të, ose pak më poshtë, që epoka historike, kur ka kalime dramatike nga një epokë në tjetrën, sidomos nga një tirani në një demokraci, asnjë shkrimtar serioz nuk retushon veprën e tij me qëllime politike. Ajo vepër që ka nevojë për retushime politike, ajo zakonisht është e dobët, ajo nuk ka nevojë, bie vetë. Kurse vepra e vërtetë nuk ka nevojë, edhe kur ka mendime të gabuara politike. Ashtu ishin mendimet. Shkrimtari ashtu e ka shkruar veprën dhe nuk ka pse ta retushojë veprën, sepse moralisht është e dënueshme. Shkrimtari veprën e ka publike. Çdo lexues mund ta krahasojë dhe asnjë shkrimtar nuk do që të thotë lexuesi: “Ah, këtu paska pasur një mendim pro-diktatorial dhe e ka bërë kundër”. Asnjë nuk e bën këtë gjë. Dhe në veprën time nuk ka të tilla. Por retushe artistike shkrimtari bën gjithë jetën, kur ka mundësinë çdo rast të botojë veprën e tij ose ta ribotojë. Nuk ka shkrimtar, vetëm të jetë ndonjë budalla, që të mos ta dijë që ka paragraf të dobët nga ana e teknikës së të shkruarit dhe të mos i shmangë me rastin e ribotimit. Këtu janë dy probleme që janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në veprën time ka retushe artistike gjuhësore, dhe nuk ka retushe politike. Keni vëllimin e pestë më duket, është “Dimri i vetmisë së madhe”, unë nuk mund të them atje që me Hrushovin në sallë nuk hyri Enver Hoxha, por hyri Enver Prifti. Ai ishte siç ka qenë. Nuk mund të ndryshojë asgjë. As nuk mund të ndryshojnë fjalët që janë këmbyer, janë historike. Pra, unë, kur lë personazhin e atij që quhet diktator, përse do të kem frikë nga ngjyrime të tjera të kohës? Është fare pa kuptim, është në radhë të parë një mashtrim. ǒdo t’i ndryshoja unë “Prillit të thyer” që është një vepër me gjakmarrje? Do t’i ndryshoja këndin e pushkës, kur qëllon ai, apo ku di unë peizazhin e malit ku ecën. Ose, “Kush e solli Doruntinën”, çfarë do të ndryshoja? Çfarë mund të ketë? Ku janë ndryshimet politike? Kur në këto vepra ka ngjyrime politike të theksuara, nuk ka ndryshime si “Dimri i Vetmisë së Madhe” ose romani im i famshëm për të keq “Dasma” që ka marrë namin tani si vepra ime më e dobët. Kur unë botoj veprën më të dobët, ia jap publikut, nuk i heq asnjë presje, sepse e kam botuar si një model, ja një vepër që quhet e dobët e imja dhe nuk ka asgjë të ndryshuar, as teknike dhe as gjuhësore. Dhe ka disa vepra, dhe romani im i parë “Qyteti pa reklama” nuk ka asnjë presje të ndryshuar. sepse është romani im i parë, kur unë isha student, 23 vjeç. Pra, është gjithë problemi fiktiv, i kotë dhe i pavërtetë në thelbin e tij.
Ju përmendet pak më parë Enver Hoxhën. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të. Ju e keni takuar atë?
Njëherë në jetën time, midis klisheve që thuhen se Kadareja hynte dhe dilte te shtëpia e Enver Hoxhës. Kam hyrë njëherë në jetën time, në vitin ’71, gati 40 vjet përpara. Dhe kjo ka qenë e para dhe e fundit. Mund ta kem takuar, kur vinte në Kongresin e Shkrimtarëve apo në ditëlindjen e tij, kur shkonin 30 shkrimtarë dhe i jepnim dorën të gjithë.
Mund të na thoni diçka më shumë për këtë takim?
Takimin e kam përshkruar në një, si mund ta quaj, kujtim esé. Edhe për këtë ka patur spekulime. Enver Hoxha para se të vdiste, jo ai vetë, ndoshta ai vetë, por Instituti i Marksizmit i kërkoi njerëzve që kishin takuar Enver Hoxhën të përshkruanin takimin me të. Ishte e çuditshme se të tërë ata që do të përshkruanin takimin e dinin se ai të tëra do t’i lexonte vetë. Dhe kuptohet se si të gjithë ranë në një gjendje jo-komode të shkruash, të bësh njëfarë portreti ose një reportazh të asaj që ka ndodhur dhe të bësh portretin e tij si e ke parë ti, duke e ditur që ai do ta lexojë dhe unë kam shkruar takimin me të dhe është botuar pas vdekjes dhe këtu ka qenë pabesia, se u kërkua para vdekjes dhe e botuan pa u dhënë sqarimi se kur janë shkruar. Mirëpo ky fakt është i njohur dhe mund të verifikohet plotësisht. E kam përshkruar më duket saktësisht takimin, nuk ka elozhe, ka një përshkrim të saktë, duke thënë kryesisht përshtypjen e mirë, mund të them se përshtypja ashtu ka qenë, nuk mund të them se pata nga ky takim një përshtypje të keqe. Takimi ishte dy orë e gjysmë, ku unë kam folur disa minuta dhe ai ka folur dy orë e gjysmë. Po është e vërtetë.
ǒdo të thotë kjo?
Nëse do kërkohej një domethënie, është kjo: që ai kërkoi të linte një përshtypje të mirë, tregoi për mbledhjen e Moskës një sërë detajesh shumë interesante, bëri portretizime të personazheve, tregoi gjendjen e vet shpirtërore, trazimet e tij. Tregoi kujtime nga Gjirokastra, d.m.th., foli, foli vazhdimisht, duke dashur kryesisht, jam i sigurt, normale që një shef-shteti, partie apo epoke që do të merrte emrin e tij, do të dëshironte të linte një përshtypje të mirë ndaj shkrimtarit. Tani lind pyetja: Po shkrimtari ndaj tij? Fakti që unë fola shumë pak do të thotë se, me sa duket, përshtypjen e kisha dhënë me librat e mi dhe ndoshta nuk e kisha në dorë të flisja ose jo, se dhe nuk mund t’i prisja fjalën, por edhe mund të ndërhyja. Njëherë i thashë: “Jam dakord me ju, shoku Enver” dhe aty për aty thashë që ky njeri nuk është mësuar të dëgjojë këtë “jam dakord”. Një gjë që ne e themi në jetën e përditshme dhe thashë më mirë ta kufizoj fare të folurin, dhe e kam dëgjuar.
Ka një debat shumë të madh për rishkrimin e historisë, sidomos duke përfshirë periudhën e komunizmit në Shqipëri. Cili është vlerësimi juaj në këtë debat?
Diskutimi është farë i qartë. Sigurisht që një epokë e caktuar, që quhet plotësisht e gabuar në jetën e një kombi, është shkruar gabim, sepse është shkruar nga fitimtari. Natyrisht që historia e komunizmit do të ri-shihet. Të gjitha fazat e komunizmit janë shpjeguar në mënyrë të gabuar dhe e vërteta duhet rivënë në vend. Forcat shoqërore që kanë luftuar në Shqipëri, lëvizjet komuniste, antikomuniste, lëvizja balliste, ajo mbretërore, të gjitha këto janë shkruar gabim dhe e vërteta kërkon që ato të rishihen. Prandaj më duket pa kuptim këmbëngulja që të mos rishkruhet historia. Cila histori? Kjo pjesë e historisë natyrisht që do të rishkruhet. Pjesa e mbretërisë ka disa variante, ajo që është shkruar në kohën e mbretërisë, ndoshta dhe ajo kërkon retushim. Historia gjithmonë kërkon saktësime të mëvonshme, nuk ka asgjë të keqe, por ajo ka më pak nevojë, e aq më pak ka nevojë historia mijëvjeçare e Shqipërisë, që përgjithësisht nuk e kemi bërë vetëm, më tepër e kanë bërë të huajt se ne, përgjithësisht është e saktë. Prandaj këtu është spekulimi, që ngatërrohet termi rishkrim i historisë. Thuhet në mënyrë mjegullore dhe nuk kuptohet, dikush kupton njërën fazë, dikush tjetrën. Rishkrimi është i nevojshëm për një pjesë, dhe i panevojshëm për një pjesë tjetër dhe rishkrimi është disa herë skandaloz, siç është debati që po bëhet tani, që unë do ta quaja të turpshëm, debati për revizionimin e Skënderbeut. Nuk kuptohet qëllimi ku është. Është shumë i errët si qëllim. Nuk kuptohet pse. Nuk kuptohet si dhe cili është shkaku themelor që shtyn këtë gjë, në mos qoftë një shkak tepër banal, por i shëmtuar.
Si e gjykoni vlerësimin që mban shoqëria shqiptare për regjimin e kaluar?
Qëndrimi duhet të jetë i qartë, ende nuk është. Është e kuptueshme. Është kërkuar nga të gjitha vendet ish-komuniste të dënojnë krimet e komunizmit si një proces që do t’i çojë këto vende përpara. Ne jemi ndër më të fundit, për të mos thënë i fundit, prandaj shoqëria shqiptare duhet ta zgjidhë këtë problem.
Rikthehemi te marrëdhënia e shkrimtarit me strukturat shtetërore. Shpesh flitet për një lloj servilizmi në këto marrëdhënie...
Zakonisht flitet për servilizmin e letërsisë në regjimet totalitare ndaj regjimit totalitar. Dhe është e drejtë, sepse një pjesë e madhe e letërsisë kështu ka qenë. Ka qenë e përulur, e kemi ende sot që janë të rralla regjimet totalitare si në Korenë e Veriut që as nuk bëhet fjalë që letërsia të ketë më të voglën pavarësi apo dinjitet. Por mendoni si ka qenë përpara, kur gati gjysma e botës ka qenë komuniste. Sepse harrohet gjithmonë se një hapësirë e madhe gjigante është shumë më shtypëse sesa diktatura të veçuara, siç janë tani. Dhe prapë flitet për servilizmin e artit dhe letërsisë ndaj regjimeve, por rrallëherë flitet për servilizmin e kundërt, sepse servilizëm ka patur dhe të kundërt. Është i njohur servilizmi i regjimeve të ashpra diktatoriale ndaj artit. Është më i paktë, po i njohur. Di t’u them një shembull kurioz, të kuptohet thjesht kjo gjë nga publiku. Në kohën e nazizmit, që nazizmi në disa gjëra dhe fashizmi kanë qenë paralel dhe jo pa arsye me komunizmin, vetëm se nazizmi është më i koncentruar e koha është më e shkurtër. Ka qenë një shkrimtar i madh gjerman, Ernst Junger, shqip Ernest, ka qenë shkrimtari kombëtar zyrtar në kohën e nazizmit. Flitet ende pak për të, sepse është në periudhën e rikthimit në jetë. Historia e tij është shumë interesante, idetë e tij, jo se krijoi ide për nazizmin, po idetë e tij u shfrytëzuan nga nazizmi dhe vetvetiu mori aureolën e shkrimtarit përfaqësues të Gjermanisë naziste, shumë i njohur kudo, sidomos në Gjermani dhe ndodhi me këtë dukuria e çuditshme e servilizmit, se gjer atëherë Jungeri quhej se qe servil i Hitlerit dhe në njëfarë mënyrë u vërtetua e kundërta. Hitlerit, dihet, iu bë një komplot, desh e vranë, e plagosën, në ‘44 më duket. Hitleri dënoi mijëra oficerë të komplotit, i cili desh fitoi midis të dënuarve. U zbulua më pas që ishte pjesëtar i komplotit, por nuk u dënua haptas, po fshehtas, Romeli, marshall hero i ushtrisë. Hitleri bëri lëshimin e parë, njërin nga komplotistët kryesorë e detyroi të vrasë veten dhe e varrosi me nderime. Pra, bëri një llogari, ai Hitler që ishte aq i marrë në krimet e tij erdhi në vete këtë moment. Por një nga komplotistët që mbeti gjatë ishte Herct Jungeri, shkrimtari gjerman ndaj të cilit atëherë Hitleri i mbylli sytë. Ai që nuk mbyllte sytë kollaj. Të merrje pjesë në komplot për të vrarë Hitlerin dhe të faleshe!! Ai e fshehu në mënyrë absolutë dhe një kohë të gjatë. Gjermania nuk e dinte që Jungeri ishte komplotist. Pra, shikoni, ky tiran që dukej që s’falte kënd, e uli kokën përpara shkrimtarit. Shumë vite me pas doli e vërteta, Jungeri u tërhoq nga jeta në Gjermani. Ka vdekur para disa vjetësh, 102 vjet, por, me sa duket, shërbimet e fshehta perëndimore e dinin të vërtetën dhe ndaj tij u mbajt një qëndrim, që mund ta quash enigmatik. Nuk u tha kjo gjë në fillim, po dënimi i tij ishte i butë. Nuk u bë ai dënim që mund të pritej. Ky rapsod kryesor i nazizmit që u quajt ndoshta pa të drejtë deri në fund, se nuk ishte krejt ashtu, por u shfrytëzua vepra e tij. Shikoni pra një shembull se si një diktator kaq i egër, kaq i pasprapsur përpara asgjëje e uli kokën përpara atij që deshi ta vriste, e harroi dhe vetë, u mundua ta harronte, t’i mbushte mendjen vetes që s’ishte e vërtetë kjo gjë.
Më lejoni, nëse jam korrekte, të bëj dhe një lloj paralelizmi, ju thatë pak më para se keni takuar Enver Hoxhën dhe raporti i bisedës suaj ka qenë mbi 2 orë. A mos është pasqyrim pak a shumë i të njëjtit fenomen?
Nuk do ta përdorja fjalën servilizëm, do të ishte një mendjemadhësi nga ana ime, por një tolerancë e tepruar ishte, dhe shpesh kjo është folur në publik, përse Kadaresë i janë lejuar ca gjëra që nuk i janë lejuar të tjerëve. Kjo është e vërtetë dhe ka dalë një pëshpërimë, një mendim, që Kadare është mbrojtur nga Enver Hoxha. Unë nuk e kam mohuar një gjë të tillë, ndoshta vite më parë kam dhënë intervistë, më është bërë direkt pyetja në televizion dhe kam thënë “Po, më ka mbrojtur”. Kam shtuar dhe atë: Po nga kush më ka mbrojtur?!... Nga regjimi i vet?!... Nga besnikët e vet?!... Nga vetë Enver Hoxha? Nga pjesa e ashpër e tij? Nga pjesa e keqe e tij?!... Po kështu është fakti. Dikush shkruante një shkrim para ca kohësh që si është e mundur që në “Pallatin e Ëndrrave” hapur del Tirana dhe iu fal këtij shkrimtari kjo, iu ndalua vepra sigurisht, po u fal, për këto gjëra shkoje në pushkatim.
Pyetja sot është, pse ju ka mbrojtur?
Më ka mbrojtur, sepse, me sa duket, shkrimtari e ka me vete mbrojtjen. Kjo është pak a shumë jo në atë shkallë si Hitleri me Jungerin, por në njëfarë mënyrë ngjan, është njëfarë pasqyrimi, d.m.th., që një shkrimtar mund të ketë mbrojtjen me vete shumë më tepër se dikush tjetër. Jam i sigurt se koha do ta tregojë, kur të hapen dokumentacionet, çfarë kishte në dokumentacion ai për mua dhe sa më ka toleruar. Me sa duket, ka toleruar shumë dhe kjo thuhet tani dhe nga ithtarët e tij si një gjë që:… “sa zemërgjerë ka qenë shoku Enver me Kadarenë dhe sa mosmirënjohës është shkrimtari!...” Nuk është punë mosmirënjohjeje. Këtu unë jam shkrimtar, do e them atë që mendoj dhe, në qoftë se jam mbrojtur prej tij, më ka mbrojtur për interesin e tij dhe jo për sytë e bukur të shkrimtarit.
Ju thatë pak më parë “nëse do të hapet dokumentacioni”. Në fakt, ju jeni pro apo kundër këtij debati që vjen herëpashere në Shqipëri për hapjen e dosjeve?
Absolutisht. Është barbare të thuash që të jemi kundër hapjes së të vërtetës, sido që t’i ketë ndërlikimet ajo. Është më mirë gjithmonë që ajo të hapet sesa të rrijë e mbyllur. Të propozosh mbylljen është një gjë si të propozosh jetën dhe vdekjen, dua errësirën, dua vdekjen.
Le të flasim për një moment tjetër shumë të rëndësishëm për shumë shqiptarë. S’e di sa e rëndësishme është për ju marrja e çmimit Nobel. Një Nobel i munguar deri tani për ju. Sa e rëndësishme është për vlerësimin e veprës suaj?
Prapë duke rrezikuar të krijoj një keqkuptim për ata që e ndjekin këtë emision. Po ju them një gjë të sigurt, është më shumë e rëndësishme për ju se për mua, ju në këtë rast jeni shoqëria shqiptare dhe është e natyrshme. Popujt e vegjël, popujt që kanë vuajtur nga mosnjohja, nga izolimi i japin një dramacitet më të madh, siç duket, këtij çmimi dhe gati-gati e tragjedizojnë ndonjëherë, dhe festa bëhet tepër e madhe në rastin pozitiv. Të them që shkrimtari vetë nuk e ka plotësisht atë që ka shoqëria, ndoshta duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Unë jam profesional, jam profesionist, unë e di se ç’është letërsia që do të rrojë, që nuk do të rrojë, sa rol luan çmimi Nobel në këtë gjë dhe sa nuk luan rol. Për shkrimtarin ka gëzime të tjera të mëdha, që ju garantoj që janë më të mëdha se çdo çmim që mund të marrë. Kush janë këto gëzime që mos të flasim në mënyrë mistike. Gëzimet më të mëdha në jetën e një shkrimtari janë gjetjet e tij, ato që quhen gjetje. Xhojsi i ka quajtur epifani, një gjendje eksitante mendore, kur ai është i aftë, truri i tij me një lehtësi të habitshme bën zbulime ose struktura veprash të ardhshme. Është një mrekulli që zgjat jo shumë, po këto janë momente shumë të bukura për shkrimtarin që ai nuk i ndan me askënd, po që ai i shënon në fletoren e tij dhe i përdor për veprat e ardhshme, se ato nuk mund të botohen kurrë, janë të pabotueshme, ashtu siç janë, është shumë e vështirë të botohen. Pra, shkrimtari ka gëzime të mëdha në jetë. Sigurisht, çmimi Nobel është një trill të them, që aq më bën mua, punë e madhe, është një kënaqësi tepër e madhe, është si të thuash kurorëzim, po dihet ndërkaq që ka shkrimtarë nobelistë që kanë qenë shkrimtarë të mirë me fat dhe ai e ka shtuar fatin, kanë qenë shkrimtarë jo shumë me fat dhe ai nuk e shton kollaj fatin. Pas ca kohe fillon njerëzimi dhe përsëri shkon në statusin e mëparshëm.
Në fakt, ka nga ata që e kanë refuzuar, ka nga ata që e kanë vlerësuar vetëm për paratë që sjell...
Refuzime ka pasur shumë, shumë pak. Sartri e ka refuzuar vetëm. Pastërnaku e ka refuzuar i detyruar nga shteti sovjetik, por nuk është ajo. Është kjo më tepër që po ju kujtoj, një shkrimtar kinez e mori para 4 vjetësh, ju siguroj nuk i di njeri emrin atij dhe unë e di dhe e harrova. Kina nuk e pranoi, e quajti kot, Franca e quajti shkrimtar francez, pastaj doli që ai vetë tha nuk jam francez edhe ju nuk e dini besoj. E mori një kinez, i cili nuk u pranua nga asnjë vend, se si e mori një zot e di, pa dyshim nuk ishte shkrimtar i keq, por humbi shkrimtari, nuk e nxori dot në dritë Nobeli.
Së fundi keni deklaruar në shtyp se për mosmarrjen e çmimit Nobel ka kontribut të drejtpërdrejtë ambasadori i Shqipërisë në Suedi asokohe. Duket e pabesueshme, por për këtë kemi edhe dëshminë publike të shkrimtares Natasha Lako. Mund të na tregoni diçka për këtë?
Njëherë po ju them me një bindje, kështu është e vërteta, se këtë gjë nuk e kam marrë ndonjëherë seriozisht dhe fakti që kjo ka ndodhur në ‘94, 14 vjet përpara, dhe unë në intervistat e panumërta që kam dhënë nuk e kam kujtuar kurrë dhe ra rastësisht fjala në Gjirokastër. Tregon se unë vërtet nuk i kam dhënë ndonjë rëndësi. Jo se dua të hiqem se unë nuk çaj kokën për gjëra të tilla. Akti është shumë i shëmtuar si dukuri, dukuri shqiptare, ku ne nuk duam, nuk kemi dëshirë të vlerësojmë atë që duhet të vlerësojmë që është normale për çdo popull . Sa mirë shtetet, popujt çmenden për futbollin, është e drejtë, është normale, ca thonë ç’janë këta të çmendur, jo, nuk ka gjë, do që të fitojë vendi i vet, ndjenja është e shëndetshme, është njerëzore. Kur vjen puna në disa të tjera, nuk duan, një pjesë nuk do, aq më keq kur një pjesë e shtetit nuk do. Prandaj në rastin e një ambasadori ai nuk mund të ndikonte, vështirë, veçse në qoftë se Shqipëria sa kishte përmbysur regjimin dhe mund të merrej parasysh mendimi shtetëror, mendim i një të vërtete të munguar.
Sa keq ju ka ardhur për këtë si fenomen?
Si fenomen ju vjen keq të gjithëve mendoj unë, jo vetëm mua. Shqiptarët preken nga kjo gjë, nuk e duan dhe prapë e pësojnë
Një fenomen i ngjashëm i ka paraprirë, është marrja e një çmimi prestigjioz nga ana juaj, International Booker Prizer. Në faqen e internetit vinin për ju komente negative të vetë shqiptarëve...
Ky ka qenë shembull më i shëmtuar. Ky është çmimi më i madh që jep Britania e Madhe, i dyti pas Nobelit, pati këtë tipar që çmimi u shpall në internet, u shpallen 18 kandidatët tre muaj përpara dhe njerëzit jepnin mendime për ta, ndryshe nga Nobeli që është sekret. Isha në listë, e cila ishte shumë e zgjedhur, me shkrimtarët më të shquar nga gjithë bota dhe i vetmi shkrimtar që kishte komente negative nga vendi i vet isha unë. Sulme të shëmtuara shumë dhe është fati im që ishin aq të shëmtuara, sepse ishin të pabesueshme dhe unë e mora çmimin. Ndoshta ka ndikuar për të kundërtën. Ai site u ndoq nga mijëra lexues në botë dhe ajo u komentua shumë keq për popullin shqiptar. Ajo ishte një gjysmëmilionta e popullit shqiptar, madje disa ishin po ata që e bënin me emra të ndryshëm, por një lexues që e ndjek këtë garë thotë: “ǒështë ky popull i lig që nuk do shkrimtarin e vet?” Mua ndoshta më bëri mirë ose nuk më bëri aspak keq, por i bëri keq imazhit shqiptar në mënyrë të padrejtë. ǒfaj ka kombi shqiptar që dalin ca zuzarë atje, por nuk mund t’ua sqarosh të tjerëve. Nuk doli askush ta kundërshtojë dhe e mori Shqipëria atë njollë.
Së fundi, pas botimit të monografisë “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmitt është hapur një debat pro dhe kundër figurës së Skënderbeut. Sipas jush, pse tani ky debat dhe çfarë synon?
Debati është krejtësisht i gabuar, turpërues për Shqipërinë, për kombin shqiptar për dinjitetin e kombit shqiptar. Do të kujtohet si një gjë e neveritshme më vonë, siç kujtohen barbaritë e Haxhi Qamilit ose të Esat Toptanit. Ky është një debat që përsëritet nëpër shekuj. Problemi është shumë i thjeshtë. Është një mashtrim kolosal në radhë të parë. Skënderbeu është një figurë që nuk ka ç’t’i qortohet. Ka figura kundërthënëse në botë, siç është Napolon Bonaparti. Ka lavdi, ka dhe vërejtje të shumta. Megjithatë e ka zënë vendin e tij në historinë e Francës në qytetet franceze me bustet e tij. Të kthehemi në Ballkan, i famshmi Drakula i rumunëve. Ka qenë një prijës rumun që ka luftuar në Perandorinë Osmane, por, duke qenë tepër i egër e lig, mizoritë e tij e errësuan figurën dhe ndërsa rumunët mundohen më kot ta mbrojnë, disa natyrisht e kanë mohuar, Evropa e ka hedhur poshtë me përçmim dhe ai është bërë simbol i së keqes. Pra, komuniteti evropian ka qenë i pamëshirshëm me figurat që ndonëse kanë kryer një rol heroik nga ana e jashtme kanë qenë të papranueshëm, saqë janë mohuar. Tani, çfarë ka bërë ky Skënderbeu të keqe që ne shqiptarët duhet ta vëmë në diskutim? Dhe del një gjerman në mënyrë të papritur që ka nja njëmijë e pesëqind libra për të dhe ne duhet si servilë të ulim kokën të gjithë dhe të shohim ç’thotë ky gjerman, kur kemi qindra e qindra libra dhe vlerësim të padiskutueshëm të Skënderbeut. Ka qenë një kohë, kur ai ishte më i njohur në Evropë se në Shqipëri. Figura e tij është zbërthyer nga të gjitha anët. Çfarë i qortohet Skënderbeut? Është vërtet për të vënë duart në kokë. Si është e mundur që kjo çmenduri të ndodhë në Shqipëri?! Ose kjo lidhet më një shëmti më të madhe që neve sot nuk e kuptojmë, por që do të dalë më vonë. Është një lloj përpjekjeje për destabilizim psikotik të brendshëm të vendit. Se çfarë ka? Ku e gjetën të keqen te Skënderbeu? Disa e qortojnë se tradhtoi Turqinë. Del shqiptari avokat i Perandorisë Osmane që vetë Turqia e ka hedhur poshtë. ǒështë kjo Shqipëri e sotme? Disa kërkojnë heqjen e tij nga historia e Shqipërisë dhe vendosjen e Ballaban Pashës në vend të tij. Shikoni pra një kthim kokëposhtë, një tallje me kombin shqiptarë.
Disa thonë që emri i babait është Ivan dhe jo Gjon?
Domethënë, Skënderbeu ka këto dy alternativa që i lejohen tani nga renegatët tanë ose të Kosovës, se edhe këta nuk janë më pak aktivë në këtë gjë. Dhe është një turp gjithashtu për Kosovën që ka problemin themelor sot që të mbajë pavarësinë, ta ushqejë pavarësinë dhe lirinë e sapofituar dhe për çudi disa prej gjoja intelektualëve të Kosovës i vënë një njollë kësaj aspirate, për të cilën u derdh gjak, e vënë në dyshim papritur dhe duan të tregojnë që do ta hedhim si figurë negative që paska tradhtuar Perandorinë Osmane, që te ne njerëzve u vika keq për këtë perandori. Unë nuk e kuptoj pse. Ose, nëse do ta mbajmë, do ta mbajmë si serb. Kjo është shpifje monstruoze. Në fillim u gjet që babai i Skënderbeut paska pasur një grua sllave. Kjo mund të jetë e vërtetë. Tërë feudalët, tërë princat e Evropës merrnin gra të huaja dhe asnjëherë gruaja e huaj nuk kthente identitetin e vendit. Tani i gjetën edhe babanë, na e paska serb. Ky është kuptimi shëmtuar i kësaj, d.m.th., që nëse kjo figurë do të mbahet, do të mbahet si figurë më zanafillë sllave, që nuk është e vërtetë fare, d.m.th., që Kosova do të kthehet përsëri në statusin e provincës serbe dhe normalisht kryezotin e saj, heroin e saj do ta ketë serb. Shikoni pra “harmonia” do të kthehet si më parë, Kosova ka qenë provincë e Serbisë dhe heroin tani ia gjetën, e paska patur serb, dhe është normale, statusi i përjetshëm i saj që duhet të kthehet përsëri aty ku ka qenë dhe është turp për Kosovën, për intelektualët e saj që nuk gjejnë energji për të vënë në pozitë të vështirë ata që janë bashkuar në këtë shëmti. Në radhë të parë mendoj se përgjegjësia është këtu te ne
Duket si një konspiracion universal po të flasim edhe për situatën në të cilën është Kosova...
Atë unë nuk e them, se po të them gjysmë fjale, do të thonë të gjithë se këto janë teori konspirative, nuk besojmë më në to. Është një alibi në këtë zonë që jetojmë ne shqiptarët, se të bëhen të gjitha poshtërsitë e dheut me këtë mbrojtje që as mos dyshojnë se nuk duhet dyshuar, se kështu dyshonte Enver Hoxha
Kujt i bën mirë dhe keq ky debat?
Ky i bën keq Shqipërisë, i bën mirë të gjithë atyre që dua ta shohin mundësisht kombin shqiptar të përmbysur, dhe jashtë Evropës. Është debat antishqiptar dhe antievropian. Skënderbeu nuk është vetëm njeri i shpatës, por edhe i vizioneve të mëdha proevropiane. Është vizionari më modern jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Ballkanit. ǒështë Ballkani sot? Po psherëtin, mezi po pret të hyjë në Evropë. Kush nga të parët prijës të Ballkanit ktheu sytë nga Evropa?
Nuk ka tjetër si Skënderbeu. E kam thënë në një intervistë tjetër, homologu i tij më i afërt ishte Gjon Huniadi i Hungarisë, bashkëkohës, bashkëluftëtar, aleati i tij më i ngushtë e megjithatë Huniadi që është nga qendra e Evropës nuk ka atë njohje që ka Skënderbeu. Pra, kemi gati dy binjakë dhe Skënderbeu e ka marrë gati një aureolë të përgjithshme në kontinent dhe ne për turpin tonë duam ta rrëzojmë. Kurse hungarezët e kanë heroin e tyre dhe me të drejtë e nderojnë.
Para këtij debati dhe pothuaj në të njëjtin rrafsh ka qenë ai me Rexhep Qosjen mbi identitetin e shqiptarëve. Pse ky rikthim i herëpashershëm i debatit për identitetin tonë kombëtar? Çfarë ka të paqartë?
Nuk ka asgjë të paqartë. Paqartësinë e krijojmë vetë ne, në mënyrën më monstruoze që mund të mendohet. Problemi është shumë i thjeshtë. Problemi është i zgjidhur nga tradita e mendimit njerëzor. Popujt kanë njohur sundime, popujt evropianë të Ballkanit, se kështu janë, pjesë e Evropës, kanë patur një fat të përbashkët, jemi sunduar shumë gjatë. Asnjë popull nuk e ka modifikuar identitetin e vet duke iu përshtatur identitetit të sunduesit. Tani do të dalë Shqipëria me tezën se ne po e bëjmë këtë novacion. D.m.th., ne po shpallemi më të padenjët e Evropës, ç’të them, zuzarët e Evropës, që meqë na pushtoi ky pushtues, jemi të detyruar të quhemi gjysmë-turq, gjysmë-lindorë. Pse ne hoqëm dorë nga kontinenti ynë? ǒna shtyu? Dhe kjo është tragjedia që kthehet në një spekulim të madh politik. Feja myslimane nuk ka asnjë lidhje të identifikohet me sundimin turk. Feja është tjetër gjë, administrata dhe sundimi turk, ndonëse ishte edhe ajo që kontribuoi për hapjen gjerësisht, janë të ndara. Kur Serbia bëri plane dhe llogariti që po e vë poshtë Kosovën dhe Evropa do të rrijë duarlidhur, shpresa e saj vetme ishte që do të shfrytëzonte myslimanizmin e shqiptarëve për t’i thënë që këta luftojnë për myslimanizëm dhe jo për liri. Shqiptarët e Kosovës luftonin në radhë të parë absolutisht për liri dhe përpara se të ishin myslimanë, ishin shqiptarë dhe pastaj ishin myslimanë dhe katolikë. Katolikët e Kosovës u dërrmuan, u masakruan njëlloj si myslimanët, dhe të dy nuk luftuan për fenë, por për lirinë. Kurse Serbia donte të çorientonte Evropën: të mos lejojmë krijimin e një republike islamiste në Evropë, ndaj na lini neve të lajmë duart me shqiptarët. Evropa nuk i la dhe ajo tregoi një faqe të ndritur të historisë së saj, një emancipim të jashtëzakonshëm që goditi ata, të “krishterët”, për të mbrojtur ata, “myslimanët”. Tani duke dalë kjo, komprometimi me identitetin, thua se shqiptarët duan të tregojnë, ata paskan patur të drejtë që atje e kemi mendjen, tek identiteti i gjymtuar dhe e lidhin çuditërisht me fenë, sepse Turqia është larg, e ka rrëzuar Perandorinë Osmane, nuk ka punë me të. Prandaj bëjnë një ngatërresë të çuditshme, që nuk mund të bëhet. E kam thënë se tri grupet besimtare në Shqipëri, myslimanë, ortodoksë, katolikë janë barazisht shqiptarë, barazisht evropianë. Nuk ka një portë të hapur më gjerë për katolikët, një më pak më të ngushtë, por prapë e gjerë për ortodoksët, dhe një portë fare të ngushtë për myslimanët. Nuk ka porta të tilla Evropa. Ka vetëm një portë për kombin shqiptar që do të hyjë me tre besimet e tij me katër komunitetet e tij. Dhe këtë ne duhet ta mbrojmë si një gjë të shenjtë. Dhe këtu janë të tëra spekulimet. Çfarë po ndodh, shikoni pikat e famshme të Ban Ki Moon, si e quajmë, pika më e keqe, e gjashta, të mbrohet kisha serbe në Kosovë, domethënë kjo propagandë që bëhet pro-osmane në Shqipëri dhe Kosovë interpretohet prej serbëve: shikoni, ajo që thamë ne, këta e kanë mendjen atje, te Perandoria Osmane, pra na mbroni kishën. Kisha serbe kthehet papritur kundër lirisë së Kosovës, dhe shqiptarët nuk kanë atë mençuri dhe energji të tregojnë, t’ua kujtojnë përsëri se ne luftojmë për pavarësi dhe jo për atë që thoni ju. Ne në Kosovë kemi dy fe dhe të dy palët jemi të barabartë në principin e luftës sonë për të mbrojtur lirinë. Nuk e kuptoj çfarë ka të paqartë këtu. Nuk e kuptoj ç’kërkon ky identiteti i gjymtuar shqiptar, sepse nuk ka tjetër popull në Evropë që të mbrojë këtë turp që nga sundimi ndryshuam, u bëmë përgjysmë. Pra, dhe një sundim tjetër dhe bëhemi çerek.
Këto debate ndihmojnë në qartësimin e ideve apo thjesht turbullojnë ujërat?
Këto debate duhet ndihmojnë, por mund të dëmtojnë, kur spekulimet bëhen me dashje. Prandaj duhet roli i medias, edhe i shtetit, aq sa mund të ketë rol në këtë gjë, me mekanizmat e tij, se nuk ka shtet në botë që nuk ka një ndërhyrje në kulturë, kur duhet për të mbrojtur gjërat madhore të një kombi, natyrisht, i shoqërisë në radhë të parë, i kulturës, i medias, dhe i shtetit në fund. Një popull i mobilizon të gjitha këto mekanizma, kur është i bindur se keqkuptimet, devijimet e dëmtojnë rëndë. Ne jemi në një epokë, ku nuk na lejohet luksi i diskutimeve të kota, aq më tepër çoroditëse, aq më tepër për gallatë, aq më tepër për t’u bërë personazhe disa sharlatanë, e aq më tepër personazhe të errëta që duan të rishfaqen në botën shqiptare.