E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrembër apo drejt?

Edmond Tupja 

Me gjithë përpjekjet e  dëshpëruara që po shpalos Shqipëria jonë e dashur për të ndërtuar shtetin e së drejtës, punët duken sikur vazhdojnë të ecin shtrembër në disa fusha apo sektorë të rëndësishëm  të jetës sonë si shtet e shoqëri. Sigurisht, të shumtë janë, mund ose duhet të jenë faktorët që e shpjegojnë këtë dukuri. Rrjedhimisht, të shumtë janë, mund ose duhet të jenë edhe analistët, opinionistët, publicistët që merren gjatë e gjerë, lart e thellë me këtë dukuri sa të qartë aq edhe të koklavitur. Ka disa kohë që edhe unë po e vras ose më saktë po e masakroj mendjen për ta kuptuar dukurinë në fjalë që e has kudo, këtu, atje, fare pranë, mjaft larg, diku lart, diku thellë, edhe përballë, edhe prapa, edhe anash. Sot më duket se, më në fund, e di ku e ka ajo zanafillën.
Zanafillën ajo e ka tek binomi shtrembër/drejt. Një binom dialektik. Në një unitet të kundërtash të pandashme: po të zhduket njëri pol ose term, zhduket automatikisht edhe tjetri. Në mënyrë të pashmangshme. Ashtu si dita pa natën, zhurma pa qetësinë, fjala pa heshtjen, besa pa pabesinë, e bukura pa shëmtinë, dashuria pa urrejtjen, lindja pa vdekjen, e drejta do të ishte e pakonceptueshme pa të shtrembrën. Ose, për ta aktualizuar në Shqipërinë e sotme, ajo do të ishte po aq e pakonceptueshme sa pozita pa opozitën, e majta pa të djathtën, Partia Demokratike pa Partinë Socialiste. Ilustrimi më i mirë, më i pakundërshtueshëm, më bindës i tezës sime është fjala e urtë “Rri shtrembër e fol drejt!”. Një fjalë e urtë, kjo, e vjetër, me siguri shumë e vjetër, shumë më e vjetër sesa mund ta pandehë ndokush, por, gjithsesi fort e çuditshme... Vërtet, pse duhet të rrimë shtrembër për të folur drejt? A nuk mund të rrimë vallë drejt e të flasim drejt? Apo ndoshta ata që rrinë drejt nuk mund të flasim veçse shtrembër? Këtë variant të fundit gojët e liga dhe gjuhët e këqija, të tëra në kor, pretendojnë se e dëshmon më së miri fakti që politikanët tanë të të gjitha ngjyrave, kur dalin para publikut në mediat elektronike ose para turmës në tribuna mitingjesh e manifestimesh madhështore, rrinë të gjithë drejt. Në këtë rast, do të bënin mirë të rrinin shtrembër që të flisnin drejt! Ah, sa i pamëshirshëm qenka ky binom dialektik!
Në këtë pikë, duhet pranuar që, sidomos për politikanët tanë, pozitë e opozitë shkartisur, shtrohet pyetja se ç’do të thotë të rrish shtrembër. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe (Tiranë, 2006, faqe 1057), ndajfolja “shtrembër” ka tri kuptime: 1. me përthyerje, me lakime, me kthesa a me bërryla; me dredha, jo drejt. 2. jo në drejtimin a në vendin e duhur; pak anash, pjerrtas a përkulur, jo drejt. 3. fig. me hile; në mënyrë të pandershme e të padrejtë.
Përfytyroni tani, o lexuesit e mi të vëmendshëm e të paanshëm, se sa të vështirë do ta kishin politikanët tanë të rrinin shtrembër (sigurisht me qëllimin fisnik për të folur drejt, vetëm drejt, gjithmonë drejt) sipas kuptimeve 1 dhe 2. Kurse lidhur me kuptimin 3, unë nuk do të doja të isha në vendin e tyre kur ata të dilnin në televizor dhe sidomos te sheshi “Skënderbej” para turmës që i kundron nga poshtë lart dhe i dëgjon nga lart poshtë. Por, njëkohësisht, turma i miraton dhe ky miratim admirues për të mos thënë adhurues (veçanërisht kur hyn në lojë – e çfarë loje! – kuptimi 3) e pengon atë t’i vlerësojë ata me objektivitet. Po të duartrokiste e të brohoriste më pak, po të tregohej më pak admiruese dhe aspak adhuruese, turma do të kënaqej e gajasej goxha me spektaklin plot qëndrime trupore të shtrembra, d.m.th. të përthyera, të lakuara, me kthesa a me bërryla, me dredha, të oratorëve që, për hir të drejtësisë së fjalëve të tyre, do të ktheheshin në kukulla komike për të mos thënë qesharake!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›