Nostalgji për mësuesin
Artan FUGA
Edhe sot e kësaj dite nuk mund ta heq nga kujtesa profilin e një burri të madh, një zotnie, në të gjitha kuptimet e fjalës, që ecën i qetë, i menduar, me hap të mbështetur fort mbi tokë, me sytë përdhé, paksa të lodhur ...ndofta nga leximet e shumta, me një fytyrë të bardhë, të rrumbullakët, plot mirësi, e përshkruan heshturazi, mendueshëm, rrugët e Tiranës të viteve ’70 dhe ‘80. Kam parasysh mësuesin e nderuar të gjuhëve të huaja, përkthyesin e shquar nga frëngjishtja, anglishtja e gjermanishtja, intelektualin me tradita familjare patriotike, Mahmut Bobrati. Kujtimi i nderuar i tij ndjek pas gjithë ata breza të rinjsh që patën fatin të marrin mësime humanizmi dhe kulture, gjuhësh të huaja prej tij.
Zotni.
Fjala zotni në atë kohë nuk kishte kuptimin semantik që ka marrë sot. Zotni, sikurse ishte ai, kishte kuptimin e mësuesit që emancipon, jo ai që bën thjesht mësimin duke përsëritur librin. Zotni, ishte dikushi, pavarësisht profesionit të tij, kur frymëzonte nderim, i distancuar nga gjërat e vogla të kësaj bote, nga inatet, hakmarrjet, qejfmbetejet, sikurse ishte ai. Edhe fizikisht, ngjallte respekt. Bënte alternativë mode pamja e tij e jashtme, sepse sillte kujtimin e intelektualit të patundshëm të viteve ’30 në rrugët e Tiranës së Pasluftës së Dytë Botërore: kapele republike, çantë lëkure e zbutur nga përdorimi, ngjyrë kafe e errët, me rripa që e mbyllnin duke e shtrënguar fort, këpucë me taban të trashë, veshur shpesh me ngjyrat e vjeshtës, mbuluar nga palltoja gub që dukej sikur e izolonte nga të gjitha gjërat kalimtare të kohës, të pushtetshmit, reklamat, honoraret.
Na qëllonte ta kryqëzonim në rrugë pas mësimit. I shihja të gjithë shokët e mi të klasës që stepeshin, nisnin të ecnin ngadalë, rregullonin këmishat, shtronin hapin, ulnin zërin, dhe e shihnin drejt e në sy. Ai i kishte parë të gjitha, por nuk e bënte veten. Na buzëqeshte, ndërsa shikimin e mbante lart. Për ne gjithçka kishte qenë e qartë. Na kishte qortuar për sjelljen tonë të mëparshme. Edhe më shumë, për hipokrizinë fëmijërore. Pa dashje e kishim bërë. Donim të paraqiteshim sa më mirë përpara vështrimit të profesor Bobratit. Na kishte falur. Kur shihte ashtu larg, kuptohej qartë se e kishte harruar. Ajo mendje, ajo zemër, ai shpirt i madh dhe i thellë harronte sepse falte, falte sepse harronte, kishte diçka përtej të metave njerëzore ku ai e hidhte vështrimin e tij.
Dukej sikur jetonte një jetë të pakohë. Të gjithë ata që kanë bërë mësim gjuhësh të huaja me të, e mbajnë mend që në seanca pas shkolle, kishte qejf të fliste për kulturën, historinë, gjuhët, duke e pirë një kafe. Nuk e mësova kurrë dot, sepse nuk ma lejonte mungesa e kurajos përpara atij burri të madh, zotnie, nëse kafen e linte të ftohej sepse ashtu e shijonte më shumë, apo i përfshirë nga pasioni i dijes, sikurse rrezatonte, e harronte në filxhanin që e priste i bindur sikurse ne nxënësit e tij. Kur filxhani i kafesë priste heshtur duke u ftohur mbi tavolinën pas mësimit, sytë e profesor Bobratit, të zinj e të thellë, medoemos do të kishin një shkëlqim të gëzuar. Vetëm atëherë shihja realisht gëzim te sytë e tij. Kur shpjegonte pa u lodhur. Kushedi sesa herë e kishte shpjeguar të njëjtën gjë, e gjithmonë dukej sikur ekzekutonte një pjesë muzikore për herë të parë, ishte një premierë çdo mësim i tij. Sa shumë kam dëgjuar prej tij për Rusonë, Volterin, Hygonë, Mopasanin, frazat e të cilëve vinin për të mbështetur një ide, për të dhënë një argument, për të sqaruar një kundërshti logjike në gjuhë.
Ai sillej shumë modestisht, sepse përndryshe kultura e tij do t’i shkatërronte psikologjikisht nxënësit që ai donte të edukonte. Se përse ndiheshim gjithmonë me faj përpara tij. Ai e dinte siç duket këtë. Zotnia i madh. Dhe merrte masat që të mos shkaktoheshin dëme psikologjike. Na linte t’i shërbenin në gjëra të vogla si për të thënë se duhet respektuar mosha dhe statusi, por edhe për t’u gëzuar me atë se edhe ne do të kishim kohë për të nxënë nga pak. Nuk bërtiste kurrë. Ndonëse gabimet tona sikur i shkaktonin një zverdhje të lehtë në fytyrën e tij të bardhë. Nuk na i korrigjonte kurrë gabimet me stilolaps të kuq për t’i bërë edhe më të dukshme. Shkruante me një stilograf të trashë, me pompë, mbushur me bojë të zezë, me një shkrim të bukur kaligrafik, duke korrigjuar anash fletës gabimet tona.
Më ka qëlluar që jam takuar me shokë e miq, të cilët kishin përvetësuar gjuhë të huaja të ndryshme, dikush anglisht, dikush frëngjisht, dikush gjermanisht. Fati e deshte që shumica të kishin kaluar nga duart e tij. Grindja që nuk e zgjidhëm dot kurrë: Cilën gjuhë dinte më mirë pedagogu ynë.
Një shqipe e përkryer. Përkthyes i mirë është ai që di shqip në perfeksion. Me siguri traditat e familjes Bobrati nga Elbasani këtu kishin lënë gjurmë të pashoqe. Ai ishte i biri i një patrioti të shquar, doktor Ruzhdi Bobratit, që iu bë krahë pavarësisë në atë qark. Se përse dilte me aq peshë fjala shqipe nga buzët e tij. Nuk ishte as e lirë, as e dlirë, as e lehtë. Ishte me peshë, solide, serioze, sepse në çdo rast merrte një formë të përkryer, shpjegonte deri në pafundësi etimologjinë e fjalës, kontekstet e përdorimit të saj, sinonimet, analoget në gjuhë të tjera. Kështu bënte për frëngjishten, për anglishten, për gjermanishten, për italishten. Zotni, sepse ishte mjeshtër i paimitueshëm, ndonëse figura e tij qëndron para syve prej shumë prej nesh që vendosëm të ndjekim deri në fund profesionin e mësuesit, të mjekut, të gazetarit, të inxhinierit. Puna është dëshirë, pasion, qejf, luks. Është krijim puna e mësuesit. Sytë tanë ndiqnin pa fund e pa u mërzitur kurrë shpjegimet e pafund të tij. Gjithçka e idiomatizuar. Sa shumë idioma. Tani e kuptoj se përse ndalej aq shumë te fjalitë kontekstuale. Na tregonte se përkthimi ka një mister të vetin, nuk është thjesht transkriptim. Është interpretim. Se çdo popull ka folenë e vet ku nuk mund të hyhet pa trokitur e pa mundim. I pari mësues që më shkatërroi kuptimin e universalizmit naiv të një ligjësie që vepron gjoja lisho kudo në botë e kudo barazimtarisht në kultura të ndryshme.
Sa shumë kundërsense linguistike na shpjegonte! Sa shumë fraza në gjuhë të huaja, të papërkthyeshme në shqip, i kthente duke bërë para së gjithash një përkthim kulturash! Nga ai e kam dëgjuar për herë të parë, shumë herët, se nuk mund të japësh mësim a të mësosh një gjuhë pa mësuar kulturën e atij kombi që e flet gjuhën në fjalë. Dhe sytë e tij na shihnin trishtueshëm. Isha adoleshent. Nuk e kuptoja, sikurse të tjerët, peshën e kësaj shprehjeje heretike që kërkonte ta lidhte mësimin e gjuhëve të huaja me atë të kulturave përkatëse. Nuk e di se përse ecjen e tij të heshtur në rrugë, sytë e trishtët shpesh, qetësinë olimpike, të qeshurën e rrallë, por të ëmbël dhe të plotë, vështrimin disi ironik, por të dashur, të ndruajtur disi, e kam lidhur shumë më vonë me këtë shprehje që e dëgjoja për herë të parë nga goja e tij.
“Po ju profesor, cilat vende keni vizituar, keni qëndruar, keni njohur, nisur nga gjithë këto gjëra që na thoni për to, për kulturën e tyre, për pasuritë e tyre gjeografike, historike, linguistike?”, guxova një ditë ta nxirrja pyetjen që më mundonte prej javësh, ndërkaq që ai vuri filxhanin e kafes në gojë.
E uli menjëherë, na pa paksa me një vështrim të qeshur e ironik dhe u përgjigj: “Nuk kam lëvizur kurrë nga Shqipëria”.
Shqipja e tij shkëlqente njësoj si gjuhët e huaja që transmetonte brezave të shkollarëve të asaj kohe dhe më pas. Kur nostalgjia dhe kujtimi për mësuesin më mbulon lexoj përkthimet e tij, lexoj shqipërimin e tij të Zvajgut, Drajzerit, Mopasanit, Klauzeviçit etj. Prej tij nuk pranoj që Zvajgun ta lexoj në asnjë gjuhë të huaj veçse në shqip. Nuk ndihen gjembat e një shqipeje që mezi mbart gjuhën e huaj që përkthen. Gjithçka rrjedh ëmbël në atë shqipe që lartësohet si një gjuhë e madhe midis të mëdhajave. Kur pyes veten përse ka kaq pak përkthyes të vërtetë në shqipen e sotme, nuk di të bëj arsyetime të mëdha. I them thjesht miqve të mi: “Kjo vjen sepse nuk ka të deklasuar. Një i deklasuar mund të jetë një përkthyes i mirë”. Sigurisht që bëj shaka, por jo tërësisht. Është punë e rëndë dhe me përgjegjësi përkthimi. Sikurse vetë mësuesia. Mund ta bëjnë vetëm ata që nuk kanë asnjë shans, ose nuk duan asgjë tjetër nga shoqëria ku jetojnë. Fjali pas fjalie, gërmë pas gërme, një punë e imtë arkeologu i gjuhës, që mund të bëhet nga njerëz të qetë, që kanë marrë një lloj distance nga shoqëria e tyre, nga tregu komunist dhe nga tregu liberal. Të dy nuk janë për intelektualin.
Dukej edhe me trup të fuqishëm, shpeshherë kolos, sikur t’i duhej vërtet për të përballuar atë punë të rëndë të përkthimit apo të hartimit të fjalorëve sikurse ishte ai i anglishtes, apo metodat e mësimit të gjermanishtes së kohës, çka fitoi edhe çmim ndërkombëtar. Nuk kishte aso kohe as diapozitiva, as filma didaktikë për gjuhët e huaja, televizioni i huaj belbëzonte lehtazi, as kaseta, as video, asgjë. Vetëm letër, kalem dhe libër. Edhe një zotni si Mahmut Bobrati dhe të ngjashmit e tij të pakët që rrinin të tërhequr në jetën e Tiranës së kohës. Vlerat rrinin të tërhequra dhe nuk përziheshin me ngjarjet e kohës. Kishin një peshë të madhe këta njerëz që e bartnin me heshtjen e tyre të madhe. Ashtu ecte, vizitonte, fliste edhe djali i tij i hallës, mjeku i madh Hamdi Sulçebe. Ishte një prerje që kapte si duket një gjeneracion të tërë intelektualësh të dalë nga familje me tradita kulturore të shquara, kryer shkollën e vjetër, (Bobrati dilte nga liceu francez i Korçës), mësuar me një kulturë jete që nuk ishte ajo e punës vullnetare, e zboreve, e paradave.
Kurrë nuk e pata dëgjuar të fliste për politikë. As nuk lavdëronte, sigurisht as nuk shante gjë. Thjesht e refuzonte politikën e kohës. Kam frikë se refuzonte çdo lloj politike. Elitar i shkallës së parë, nuk ngatërrohej me asgjë që mund të bënte për vete turmat. I diplomuar për histori, njohës i shkëlqyer i historisë së vjetër dhe të re, e dinte ndofta se politika, pavarësisht rolit të saj të madh, nuk kapërdihet kollaj nga një natyrë intelektuali si ai. E shihja tek shihte paksa me qafën e kthyer anash e trupin drejt ata që shkëlqenin në pushtet, fytyra nuk i lëvizte asnjë grimë. Shikonte përtej sikur nuk kishte përpara asgjë. Kështu ishte ai. Librat dhe mitingjet si duket nuk shkojnë bashkë.
Nuk kërkoi kurrë asgjë nga nxënësit e tij. Mësues i madh. E dinte se nxënësi sikurse fëmija është egoist. E harron mësuesin, prindin, sepse ka jetën përpara. Nxitohet në rrugët e jetës dhe nuk ka kohë ta kthejë kokën pas. E falte edhe këtë. Nuk e dinte sesa e donim, sesa e adhuronim, sepse nuk ia thamë dot kurrë. Me sjelljen e vet braktisëse çdo nxënës i thotë padashje tjetër gjë mësuesit të vet. Kush ka dhënë ndonjëherë mësim e di këtë. Mësuesi i mirë është si ai i plagosuri që i thotë mikut të tij: “Ik! Vazhdo rrugën ti! Mos qëndro me mua! Më lër mua këtu ku jam”. Sikurse duhet të bëjë edhe një prind i mirë.
E dinte me siguri Mahmut Bobrati i madh se një ditë, edhe pas ndarjes nga jeta prej një viti, nxënësit e tij do të riktheheshin tek ai me po atë nderim, me po atë nostalgji, duke iu falur e kërkuar të falur për gabimet e bëra, duke e falënderuar për zotnillikun e tij, për shembullin e tij të madh intelektual, për ato që na mësoi, e sidomos, për metodën e tij për të na thënë me delikatesë sesa pak dinim, sesa pak njeriu mund të dijë në jetë, sesa kokulur duhet me qenë në dije.
Nuk bëri asgjë mediatike, nuk bëri asgjë për zhurmë, qetë gërryente fantazmat e padijes, si një mjek i mirë në kohëra epidemish ideologjike apo tregu, nuk bëri asgjë për të cilat shoqëritë e zhurmshme e budallaqe japin dekorata, ngrenë buste e përmendore. Ai mësoi brezat e rinj, bëri fjalore, përktheu, përpunoi në praktikë shqipen e kulluar, dha shembullin e intelektualit që pranon në heshtje se shpesh është heshtja dhe mosangazhimi çmimi i lirisë intelektuale. Bëri shumë.