Tenton ta vrasë, e tërheq zvarrë 5 metra në rrugë
TIRANE - Një person mbeti i plagosur ndërsa një tjetër u shpall në kërkim nga policia, pas një konflikti të ndodhur në Shkozë të Tiranës me përplasje të rrezikshme makinash mes palëve kundërshtare. Lulëzim Zeqaj, 33 vjeç, banues në Shkozë, ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë shëndetësore pasi mësohet se është tërhequr zvarrë të paktën 5 metra, nga një fuoristradë që shtyhej nga një kamion me targa DR 6024 E, i drejtuar nga shtetasi Artur Prenga, 31 vjeç, edhe ai nga Shkoza. Pas kësaj ngjarjeje, Prenga është larguar me kamionin, duke u përplasur më pas me një autobus të linjës së ish-Uzinës së autotraktorëve. Për fat nga ky karambol nuk ka pasur të dëmtuar apo të plagosur. Pas kësaj përplasjeje, Artur Prenga ka braktisur mjetin, duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes. Pas përplasjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.1 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet. Paralelisht me ta ka mbërritur edhe një shërbim i policisë rrugore që ka nisur hetimin për përplasjen e kamionit të Artur Prengës me autobusin. Nga hetimi i kryer, policia ka mësuar se një i afërm i Prengës ka punuar në një servis me pronarët e të cilit kishte lidhje i dëmtuari Zeqaj, që u tërhoq zvarrë me makinë. I afërmi i Prengës është larguar nga puna, ndërsa ata janë konfliktuar në një lokal në lagjen Shkozë në periferi të Tiranës disa ditë më parë. Të premten, Artur Prenga, ka mbërritur tek servisi dhe ka nisur të debatojë me personat që ndodheshin aty. Këta kanë reaguar dhe sipas policisë palët janë konfliktuar deri në një konforntim fizik. Prenga nuk ka vazhduar më tej, por ka marrë kamionin e tij dhe ka shtyrë përpara një fuoristradë ku ndodheshin dy persona e bashkë me ta edhe 33-vjeçari Zeqaj, që është tërhequr zvarrë. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku sipas burimeve të policisë ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra. Pas ngjarjes, policia ka shpallur në kërkim Artur Prengën, me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, për motive të dobëta. d.b